visi baner 5

Alketa Vejsiu ,në biznes, me “Class”

download (11)Është i gjithi një ajër tjetër brenda ateliesë së Alketa Vejsiut, ku shqisat i kap pashmangshmërisht një nga ato dehjet e ëmbla. Gjëja e parë që të vjen ndër mend pas kësaj është emri mbi portën ku sapo ke kaluar dhe pse vetja të duket pafundësisht larg prej andej. “Class” në fakt është e vetmja gjë nga ato që lë jashtë dhe e gjen edhe brenda. Është gjithçka aq perfekte sa duket sikur po të hedhësh dhe një hap e do shembet gjithë ajo harmoni që varet në ajër. Mirëpo nuk është aspak vendi ku duhet të ecësh në majë të gishtave e të belbëzosh me drojë. Alketa e para, e qeshur dhe mikpritëse, të fton që në sallonin e saj të fustaneve të nuseve të vish vërdallë si në sallonin e shtëpisë tënde. Shumë klas rreth e rrotull? Shumë luks dhe elegancë? Shumë atmosferë mbretërore? E ç’të keqe ka, kur Alketa vetë është e bindur, tej klisheve, që klienti është mbret, …ose princeshë, për të qenë më afër natyrës së këtij biznesi që kujdeset për nuset e ardhshme që dita më e veçantë e jetës, të jetë fiks siç e kanë ëndërruar. Prandaj asgjë nuk është e tepërt: as fustanet e markave të njohura përfshirë “Jenny Packham” që vesh princeshën Kate Middelton, të varura një zgjatje dore larg, as dhomat e zhveshjes të arreduara në mënyrë luksoze, ku vajzat mund të veshin penjuar sateni e të pinë çaj në mes të seancave të provës, as ajo komo e bardhë viktoriane që ka brenda lingërie-të e dantellta të ditës speciale…Aty një nuse mund të gjejë vërtet gjithçka, por nuk është vetëm kaq, është e sigurt që në çdo moment që do kalojë brenda sallonit do ndihet e ledhatuar jo vetëm nga copat cilësore mbi lëkurë, por dhe nga aroma dhe muzika që vallëzojnë në ajri, nga shërbimi llastues, nga gjithçka që do e shndërrojnë vizitën e saj në atelie “Class” në një eksperiencë të mrekullueshme! Po sigurisht nuk duhet të fluturojmë pa kthim nga realiteti ku ekzistojnë dhe konkurrentët: shumë atelie dhe agjenci dasmash, disa prej të cilave kanë krijuar tashmë emrin e tyre në treg. Mirëpo Alketa Vejsiu, jo vetëm e ka ëndërruar me detaje të gjithën, por edhe e ka menduar mirë.

Pse pikërisht një biznes i tillë mes shumë mundësive?

Sepse gjithmonë ka vend në treg për diçka të re. Ka me dhjetëra kompani mode që nisin, mbyllen apo ekzistojnë prej vitesh në botë… Sepse është një punë që më apasionon e bën që të jem, si të thuash, një stampë që vulos momente dhe ngjarje të lumtura në jetët e njerëzve. Sepse mendoj që është një aktivitet që mund ta ushtroj mirë për formimin akademik dhe praktik që kam në fushën e medias, e marketingut dhe biznesit. Sepse më pëlqen të ndërtoj një portofol biznesi që ka lidhje me të bukurën, median e marketingun. Sepse mendoj që Class mungonte. Sepse është një industri me risqe të ulëta dhe shanse të larta për të qenë sukses kur bëhet siç duhet.

Si të lindi ideja e hapjes së sallonit?

Ka qenë shtysa e një mikes time shumë të dashur duke udhëtuar me tren që më nxiti drejt materializimit të këtij projekti. Ka qenë edhe mungesa e shpeshtë e fustaneve të duhur në evente të ndryshme televizive… Mikja ime më tha: “Ti komunikon shumë mirë me njerëzit… Fokusohu tek kjo aftësi e spikatur, është brenda teje shpirti i sipërmarrjes. Vendos një standard të ri për shërbimet në Shqipëri. Do të jetë sukses!”. Ndodh që një blic drite në një moment të caktuar të ndriçon një projekt, një ide. E kam njeri shumë të mbarë në jetë ndaj si supersticioze që jam besoj që ky bekim do të më prijë mbarë.

Pse ke zgjedhur këtë emër për biznesin tënd?

Kam pasur gjithmonë një ndjeshmëri të veçantë ndaj detajeve dekorative, gastronomisë së sofistikuar, ndriçimit special me të cilin merrem në çdo mjedis ku shkoj (përfshirë dhe restorantet e Tiranës, ku në disa vende besnike ku shkoj, e dinë tashmë që kur unë hyj, gradienti i dritave duhet të ulet :-)), deri tek muzika që duhet të jetë speciale…Të gjitha këto i sintetizova në një emër “CLASS”. Class do të thotë për mua të realizosh një ngjarje të bukur me shije dhe elegancë pa kapërcyer asnjë element që të bën ta jetosh jetën në atmosferë e frymëzim.

Tek “Class”do të jetë një sallon vetëm për fustane nusesh, apo do të ofrojë dhe shërbime të tjera?

Class është një atelier multi brand fustane mbrëmjesh dhe nusërie dhe një strukturë që ofron dhjetëra shërbime për të kënaqur nevojat e klientit në një ditë të rëndësishme Fustanet përrallore dhe dekorimi i mjediseve janë dy shërbimet bazë. Ti thjesht do i japësh emrin, apo do jesh dhe vetë e angazhuar në veprimtarinë e tij të përditshme? Projektet e suksesit duan skuadra njerëzish të apasionuar. Jam me fat që i kam gjetur këta njerëz. Kam një vit e gjysmë që punoj vetë personalisht sigurisht. Nuk është rasti im që t’i vë emrin dhe të pretendoj suksesin.Energjizoj çdo qelizë të “Class” dhe i jap çdo ditë pak nga vetja dhe jeta ime në mënyrë sistematike. Kam punuar mbi një vit e gjysmë duke kontaktuar e takuar kompani ndër më prestigjiozet në Europë e përtej Kontinentit. Jam gëzuar shumë kur mbërritën në Tiranë drejtorët e shitjeve të dy kompanive dhe më thanë që Atelier Class mund të qëndronte shkëlqyeshëm edhe në Milano edhe në Paris për mënyrën se si është konceptuar dhe arreduar. Në të vërtetë “Class” ka dhe ekskluzivitetin e disa markave të njohura të fustaneve, për Shqipërinë.

Si është arritur kjo kur bëhet fjalë për shtëpi botërore mode, shumë të vlerësuara gjithandej?

Ishte një tratativë e vështirë, por e fituar, marrja e ekskluzivitetit të Jenny Packham (Nr. 1 në Britaninë e Madhe për fustanet e nusërisë dhe të mbrëmjes që vesh princeshën Kate Middleton apo Vera Wang, lider në USA apo Aimme Montenapoleone, marka më prestigjioze e modës italiane (100% Made in Italy). E vështirë të sjellësh në konsideratën e disa kompanive të mëdha e prestigjioze tregun shqiptar, por me ca sekrete në negociata ja dolëm.

Je vazhdimisht duke folur si një bizneswoman dhe dukesh në petkat e tua. Këto plane duan të thonë që në të ardhmen do i kushtohesh biznesit?

Më apasionon pafund biznesi. Në moshën 18-vjeçare kam themeluar e kam qenë drejtuese në Agjencinë e Marketingut “On Time Concept” së bashku me një kolege tjetër duke vijuar paralel edhe studimet e larta për Menaxhim Biznesi. Në Fakultetin Ekonomik kam spikatur veçanërisht në marketing e menaxhim. Dy vitet e fundit ngadalësova pak ritmin e punës e iu përkushtova shkollës për t’i marrë më të mirën asaj periudhe ku njeriu formohet e lexon… Menaxhimi Strategjik ishte 10 absolute. Më të vështirë kam pasur Kontabilitetin e Financën, por me punë edhe aty arrihen rezultate pavarësisht prirjeve natyrale. Të gjitha i kam bërë sepse kam pasur një vizion: të ndërtoj një markë. Marka ime sot është Class By Alketa Vejsiu dhe, meqë përmenda kohën e shkollës po flas me termat e saj: kjo markë do të diversifikohet si portofol në disa drejtime.

Ke thënë që je duke punuar dhe për revistën “Class”. Me çfarë do arrish ta bësh ndryshe nga gjithë revistat e tjera në treg?

Është një revistë shumë origjinale ajo që po projektohet. Format që nuk është parë asnjëherë në treg. Do të quhet “Class” për të sjellë tek njerëzit Class 360 gradë të konsultuar nga unë dhe kolegët e mi të specializuar në fusha të ndryshme të jetës. Ju drejtohet të gjithëve dhe s’ka të bëjë me njerëzit që kanë mundësi e standard të caktuar ekonomik. “Class” është kushdo me pak dije, Class je ti! Je e prirur ndaj zgjedhjeve elegante dhe mesazhit pozitiv, por, a je e bindur që këto “shesin”?

Ke vendosur që në fillim të mos bësh kompromis me komercializmin? Mendon se ekziston një publik i tërhequr ndaj këtij stili mondan e elitar të themi, që është dhe një blerës i mirë?

Do ketë ndonjë element komercial patjetër se s’do të doja të kisha një stok revistash në redaksi, por do të ketë një mesazh në fund, një punë informuese, kulturuese, orientuese, frymëzuese…Pas numrit të parë pres vërejtjet. Them që kam gjetur një formulë interesante…

Ta lëmë pak biznesin, për të folur për një fushë po aq intriguese: politikën. Ke qenë e angazhuar gjatë fushatës së PS-së, ke mbajtur një fjalim ku ke thënë që nuk je socialiste, por që do e votosh këtë parti pasi beson në Rilindjen që ajo premton. Cila është e vërteta e këtij angazhimi?

S’ka asnjë të vërtetë tjetër përveç asaj që dukej e që u dëgjua me zë të lartë. Unë isha aty me një qëllim të vetëm: të jepja një model të qytetares dhe profesionistes së lirë të medias që s’ka asnjë barrierë përpara lirisë së fjalës, sepse kjo është demokracia, si dhe të vija fjalën time në funksion të një ndryshimi të domosdoshëm të vendit tim, meqë kam fatin të dëgjohem.

Vetëm kaq? Po tashmë që PS fitoi, parashikohet një përfshirje në strukturat drejtuese apo administrative?

Absolutisht jo. Unë jam shumë e lumtur dhe e qetë në jetën dhe rrugën time. Ajo dalje do të më mbetet historike në jetë dhe e di që sa herë do t’i rikthehem për ta parë do të ndjehem krenare që thashë timen, duke mposhtur atë frikë që ligështon njerëzit që duan të thonë gjëra me zë të lartë, por mpaken se mos pushteti u hakërrehet e paguajnë kosto për këtë. Kjo bie ndesh me mendësinë time prej qytetareje të lirë europiane. Ka humbje më të madhe për secilin nga ne sesa të humbasësh lirinë? Pastaj doja edhe të frymëzoja ata qytetarë që kishin disa pikëpyetje nëse duhet t’ia jepnin votën Rilindjes Kombëtare. Në atë fjalim që secili mund ta gjejë në youtube, e motivova bindjen time.

Po meqë po flasim për angazhim dhe shpresa qytetare, cila është “rilindja” konkrete që pret në jetën tënde si qytetare tani?

Ai mesazh i thjeshtë kishte vlerë atëherë kur Partia Socialiste ishte në opozitë, sepse sot një pjesë e mirë e njerëzve janë të prirur të bëhen palë me pozitën, por unë dëshiroj ta them sërish me zë të lartë: besoj fort tek lidershipi i Edi Ramës, tek vizioni dhe projekti i tij për një Shqipëri europiane, tek rekrutimi i njerëzve të aftë në radhët e administratës në një shoqëri shansesh të barabarta dhe mospërjashtimi i të djathtëve të aftë nga vendet e punës pavarësisht bindjeve politike, tek Shqipëria e ndërtimeve me leje dhe tek mbyllja e kapitullit “Kam një copë tokë e po bëj një kat shtëpi, po lë dhe ca kunja gati për katin tjetër”, tek zhvillimi i turizmit dhe vendosja e disa standardeve të domosdoshëm për pushuesit shqiptarë dhe thithje e turistëve dhe investitorëve të huaj, besoj tek infrastruktura moderne, tek përmirësimi i sistemit shëndetësor e shërbimeve në spitale që janë në kushte mjerane, tek Shqipëria jeshile me natyrë dhe bujqësi të begatë, tek një Shqipëri me rend, ku njerëzit nuk vriten në mes të plazhit, tek Shqipëria me një sistem drejtësie funksional.

Ky interes ndaj politikës do të thotë që në mos sot me qeverinë ‘Rama’, një ditë, e shihni veten brenda saj?

E kanë bërë këtë edhe J Lo dhe Beyonce për Obamën…asnjëra nuk është pjesë e politikës, apo jo? Vitet e fundit kam qenë vërtet e interesuar për zhvillimet në vend sepse nuk mund të mos jem kur politika prek çdo ditë jetën time dhe të shoqërisë sonë. Çdo gjë që shkon kundra asaj që është përparimtare, paguhet ndër breza….Dhe gjëja që kushton më shumë është koha e jetës sonë. Çdo gjë e paguajmë shtrenjtë me kohën që ikën e na bën të jetojmë cilësisht keq. Të jesh indiferent ndaj politikës do të thotë të mos duash veten, fëmijët e tu, jetën tënde!

Ndërrojmë temë, sepse bashkë me krijimin e qeverisë po afron sezoni i ri i ‘X-Factor’. Çfarë mund të thuash për edicionin e ri, për njerëzit e përfshirë në të?

Kemi përfunduar xhirimet e audicioneve dhe vilave. Live Show-t nisin në tetor. Kemi vokale dhe personazhe që godasin këtë vit. Në tetor nisin netët Live. E dua shumë këtë format. Ka të rinj, ka ëndrra, ka garë, ka muzikë, ka ngjyra dhe drita, ka gëzim… Në Tv Klan punohet shumë qetë dhe mirë. Teknologjia ka ekzaltuar punën kreative. Do jetë një sezon fantastik. Kënaqësia më e madhe është kur shoh në ngjarje të ndryshme artistike dhe muzikore këngëtarët që promovon ky format. Them “janë krijesat e ‘X Factor” dhe kënaqem për ndihmesën që u është dhënë për t’u evidentuar talentin…

Një pyetje klishe, por në rastin tënd që pak flet për jetën private, ndoshta i shpëton pak asaj: Sa kohë të ngelet për familjen?

Ç’marrëdhënie ke ndërtuar me vajzën që po rritet ngadalëngadalë dhe me djalin, i cili ndryshe nga vajza, ka lindur në një periudhë më aktive për ty?

Ka gjithmonë kohën e vet ekskluzive familja. Udhëtojmë shumë dhe është pjesa më e bukur e jetës e shpenzuar më mirë se çdo sekondë tjetër për emocionin dhe përmbushjen që fal. Argëtuese janë koncertet që bëjmë me karaoken që kemi në shtëpi. Nicol i pëlqen shumë lapsat dhe ngjyrat, bën punë shumë të bukura me baltë dhe e adhuroj kur e shoh të zhytet në botën e saj si skulptore e vogël. Çdo ditë kthehet nga kopshti dhe vjen tek puna e më thotë “dua të të ngjaj, por s’do bëhem si ty. Do bëhem ose arkitekte, ose stiliste…”. Po punoj që të nisë mësimet e pianos, siç jam e përgatitur që, nëse s’do ketë dëshirë ose talent, s’do ta detyroj të bëjë atë që dua unë e që ajo nuk e do. Shoppingu na pëlqen të dyjave shumë J. Lionel është i vogël ende. Është një eksplorator që nuk ndalet. I kam rritur e shpenguar, të gëzojnë lirinë e të jetojnë natyrën. Janë të qetë e s’më kanë lodhur shumë. Kam qenë dhe vijoj të jem prezente në jetën e tyre dhe kam bindjen që fëmijët nuk bëhen vetë, janë produkt i një edukimi të vazhdueshëm dhe kryesori është modeli i familjes që shohin dhe jetojnë çdo ditë.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur