Enver Hoxha në optikë të re

1. EnveriErdhi një tjetër libër i ri me dokumente, përsiatje, shënime dhe gjetje arkivore tejet interesante për diktatorin Enver Hoxha, plot imazhe të bluhirta dhe po ashtu me psherëtima të përdorura me elegancë të mjaftueshme për t’u lexuar me ëndje. Duket se është një punë mjaft e gjatë e autorit, dr. Vasfi Baruti (studiues e historian), në arkiva e biblioteka për të qëmtuar materiale, siç thotë vetë, që ngrenë peshë. E pra, materialet që lidhen me Enver Hoxhën janë të laminuara (të ngjitura me art fletët një mbi një!), janë të ruajtura edhe sot në arkivin e tij me dyer të blinduara; madje edhe fotografitë e tij në një arsenal krejt të retushuar.

Por në këtë libër na vjen kumti më interesant, si të jetë fyti i ndryshkur i vetjakësisë së vdekur njëherë e përgjithnjë: Enver Hoxha u ka shërbyer mbretit Zog I dhe fashistëve italianë (madje ai ka “studiuar” në Francë dhe ka “jetuar” në Paris apo edhe ka “punuar” në Belgjikë si mbretëror, si spiun i mbretit, si një spiun edhe i fashistëve! Madje ai ka qenë edhe në punë në Liceun e Korçës duke qenë në shërbimin Sekret Shqiptar… Hijet e tyre duken mbi pëlhurë si blana të zeza mërzie. Por autori hap një dritare për partizanët e mendimit ndryshe. Fjalimi që mbajti Enveri në Gjirokasër, në ceremoninë për Bajo Topullin është si çelësi “sol” që i shpjegon të gjitha. Enveri mbretëror i thekur, adhurues i mbretit, lider në djalërinë shqiptare. Në krye të partisë ishte ilegjitim, i pazgjedhur dhe i pabotuar nga forumet e partisë, i votuar për herë të parë në Kongresin e Parë (1948), në krye të partisë ishte sekretar politik dhe jo sekretar i përgjithshëm. Ishte i emëruar nga Miladini dhe nga Bllazho Jovanoviç. Partia dhe byroja politike identifikohej me Miladinin e Mugoshën. Dhe këto nuk janë thjesht metafora që dergjen në gropë ose në faqet e tmerruara të Arkivit të Shtetit.

Hapat që hidhen në këtë libër të vëllimshëm dhe mjaft interesant, janë të kujdesshëm. Doza e informacionit është jo me pikatore por plot bollëk. Autori vjen në kundërshti me të tjerë historianë dhe autorë të biografisë së Enver H. Dhe vihet re që nuk merret me ta, veçse shqyrton problemin që ngre, analizon, hedh dritë, gati-gati sundon mbi vepër, sepse analiza e tij vjen shkallë – shkallë, duke e zotëruar lëndën e këtij libri. Madje të mban edhe në ethe, sepse shigjeton gjithnjë me kursim dhe elegancë. Si të thuash, autori zukat zgafellave të shpirtit të diktatorit më të egër që është njohur…Sigurisht nga një libër i tillë mëson, madje mëson shumë, fiton edhe sinergji tjetër, bëhesh edhe të zot i atyre problemeve e dukurive që trajtohen në libër. Hollë – hollë libri të bën një leksion domethënës si është themeluar PKSH dhe cili është roli i Enver H. Në këtë organizëm politik, cilët janë njerëzit, personazhet që kanë vepruar e jo  ashtu siç vijnë edhe sot e kësaj dite nga historia. Nga ana tjetër njohim Vojo Kuhsin e vërtetë dhe gjithë të tjerët, njohim “dekorimet” që bënte Enver H. gjatë luftës dhe gjatë jetës. Dhe “dekorimet” e malulta janë pushkatimet, nga Zai Fundo e Anastas Lulo e deri tek Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebrea e qindra të tjerë vite e vite me vonë. Sepse Enveri është autor i kodit stalinist “Të Dekorohet” me plumb pas koke, në pabesi e në fshehtësi pa lënë shenjë varri, por edhe me nderime në përcjelljen e fundme! Po në këtë libër njeh (dhe kjo të revolton) masakrën ndaj nacionalistëve në Shipskë të Voskopojës, por edhe masakrën ndaj ballistëve nga M.Shehu në Dumre etj. Shpirti i zi i Enver H. thurte me to rrjetat e kurthit e të krimit. Nuk mund të lihen pas dore faqet që lidhen me Konferencën e Pezës dhe rolin e nacionalistëve, me Mukjen dhe tradhtinë e lemerishme të Enver Hoxhës, me qëndrimet e Abas Kupit apo të mjaft e mjaft figurave – personazheve që vrapojnë para syve tanë e që ndalen në pikat më të nxehta të luftës nacionalçlirimtare. Po në këtë libër, veç shumë e shumë tipareve të tjera njohim biseksualitetin e ish-diktatorit, gjithashtu edhe për lëkundshmërinë e tij, dredhinë, pangopësinë dhe urrejtjen ndaj shokëve të tij të luftës.Ky njeri i urryer njihet edhe për dyfaqësinë e tij. Edhe pse “i sinqertë” deri në vitin 1946-1947, është edhe një fodull i papërmbajtur në vitet e mëpastajme, duke vuajtur së tepërmi të bëhej protagonist i egër i ngjarjeve të mëdha, duke e çuar Shqipërinë në skëterrën e pafundme të mjerimit. Jeta e këtij njeriu është rrotulluar duke kafshuar bishtin e vet nëpër korridoret e zinj (dhe nganjëherë tepër të kuq) të hullive të ngushta të luftës, duke mbjellë ndodhitë e zhveshura nga kurioziteti, por edhe nga vetë vdekja e tij…

*Botues UEGEN

Komentet janë mbyllur