Ted Orlin: Arti, ai që i jep zemër mbrojtjes së të drejtave

tedPasi mësoi historinë e pikturës së ekspozitës që të rinjtë e grupit ASA kishin realizuar për këtë edicion të IRHFFA, Theodore S. Orlin, presidenti i tij i Nderit vendosi ta takonte studenten kosovare që e kish pikturuar. Paraqitej një grua, e dënuar për diçka banale, që kishte lindur fëmijën në një burg të Kosovës. “Më pëlqen shumë, i tha ai, dhe dua ta ble për 200 dollarë. Je dakord?” Dhe më pas e porositi ta firmoste dhe t’ia paketonin për ta marrë me vete. Ted, siç thotë ai ta thërrasin, është njeriu që do e shihje në çdo forum të organizuar për të drejtat e njeriut gjatë gjithë javës së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. Avokat dhe profesor i kësaj kauze në SHBA, ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1992 dhe vazhdon betejën e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tashmë dhe me bashkëpunëtorët që ka gjetur, siç është  Kujtim Çashku.

Cila ka qenë vizita juaj e parë në Shqipëri?

Unë jam avokat i të drejtave të njeriut në SHBA. M’u kërkua të shkoja në Rumani, ku zhvilloheshin zgjedhjet e para të lira pas rënies së Çausheskut. Unë isha aty për të vëzhguar zgjedhjet dhe organizuar shoqërinë civile. Pastaj më thanë që do donin të dinin nëse mund të ishte dikush në Shqipëri me të cilin të bashkëpunonim në drejtimin e të drejtave të njeriut. Fluturova prej Bukureshtit në Tiranë. Shqipëria ishte një shtet shumë i vështirë në atë kohë. Mendoj që kam qenë një ndër fare të parët gjykatës të të drejtave të njeriut. Kishte shumë pak grupe që punonin për të drejtat e njeriut: Komiteti i Helsinkit dhe disa të tjerë. Dikush nga Komiteti i Helsinkit, Altin Hazizi më priti në aeroport dhe Komiteti i Helsinkit i kishte zyrat te Piramida dhe aty e takova Kujtim Çashkun, i cili ishte shumë i dhënë pas çështjes së të drejtave të njeriut. Aty filluam të punonim bashkë për të drejtat e njeriut.

Cilat ishin çështjet më të mprehta në ato vite në Shqipëri?

Shteti ishte shumë i dobët. Një çështje shumë problematike ishte ajo e të burgosurve politikë, të cilët kishin dalë nga burgjet pas shumë vitesh, 20 ndoshta dhe më shumë disa, dhe ishin të traumatizuar nga ndryshimet, nuk kishin punë, as para, nuk kishin mbështetjen për të cilën kishin nevojë pasi dolën dhe ne u munduam t’i mbështesim. Pastaj, kishte edhe shumë njerëz në burgje. Ne shkuam nga një burg në tjetrin në të gjithë Shqipërinë bashkë me Kujtimin, burgje me të rinj, por edhe institute mendore. Kushtet e tyre ishin shokuese. Në burgjet e të rinjve kishte 22-23 vjeçarë pa asnjë dhëmb, për shkak të kequshqyerjes ekstreme dhe shumë nga ata ishin burgosur për shkaqe pothuaj qesharake; kishin bërë një sherr në rrugë, i kishin kthyer një fjalë mësuesit, kishin thënë diçka të papërshtatshme. Kjo ishte vizita e parë. Pastaj kam ardhur shumë herë të tjera. Punoj me Elsa Ballaurin e Komitetit të Helsinkit, Maks Velon dhe shumë e shumë të tjerë të interesuar për këtë çështje.

Me kalimin e viteve, cilat janë kthyer në elementët më problematikë të mosrespektimit të të drejtave të njeriut?

Ka shumë. Një nga ato është dhe tema e Festivalit të këtij viti të të Drejtave të Njeriut, që zhvillohet te “Marubi”, ajo e dhunës në familje. Është varfëria, cilësia e arsimit dhe pse sot të paktën ka shumë universitete, pra ka shumë mundësi. Megjithatë, axhenda e të drejtave të njeriut është shumë e ngjeshur. Nuk di nga t’ia nisësh.

Dhe nga ia keni nisur?

Ti merresh me problemin e parë që të del përpara. Për shembull, unë kujtoj që në fillim bashkë me Kujtimin shkuam në drejtorinë e policisë dhe policët nuk dinin asgjë për të drejtat e njeriut. Ne nisëm t’u mësonim për to. Sepse zbuluam që ata vetë duke mos i ditur, i shkelnin edhe vetë të drejtat e njeriut. Ishte si të kapje diçka me dorë në një vend të panjohur dhe ajo të dilte e prishur. Megjithatë, të sillje ndryshimin në një Shqipëri të tillë ishte një përvojë e rëndësishme.

Keni qenë dhe në vende të tjera të Evropës Lindore?

O po. Kam punuar në Moldavi, Rumani, Bullgari, Maqedoni, Sllovaki. Kam punuar në Azinë Qendrore, Indi, Sri Lanka, Kamboxhia, gjithashtu në Afrikë, Kamerun, Gambia. Kam punuar në shumë shtete, por vendi ku kam kaluar më shumë kohë është Shqipëria.

Ka diçka specifike te Shqipëria, për sa i përket problemeve të saj, në krahasim me shtetet e tjera të Lindjes?

Është një vend që ka qenë për shumë kohë i izoluar, asnjë shtet tjetër nuk ka qenë kaq gjatë. Prandaj dhe unë jam i kënaqur dhe i befasuar për progresin që ajo ka bërë dhe pse duhet shumë punë, sigurisht. U bë anëtare e NATO-s, nënshkroi MSA-në etj. Po sigurisht duhet ende të bëhet në fushën e të drejtave të njeriut. Prandaj ne po përpiqemi të informojmë sidomos të rinjtë për të drejtat e njeriut, që e ardhmja e Shqipërisë të jetë më e mirë, pasi disa gjëra janë zgjidhur, por çështja e të drejtave të njeriut vazhdon, ka probleme me dhunën në familje, me varfërinë, me komunitetet rome dhe egjiptiane, institucionet duhet të përmirësojnë shërbimet. Pra, ajo që është bërë në të shkuarën nuk është fundi, është thjesht fillimi.

Ju synoni të punoni më shumë me të rinjtë e me komunitetet sesa me strukturat shtetërore?

Shpesh njerëzit mendojnë që çështja e të drejtave të njeriut ka të bëjë me abuzimin e shtetit me individin, por të drejtat shkelen dhe nga individi për individin. Pra nuk është vetëm vertikalisht po dhe horizontalisht dhe shteti duhet të mbrojë të drejtat e njeriut nëpërmjet forcës së ligjit dhe mbështetjes që ofron, por shoqëria civile duhet t’i bëjë presion. Sepse nëse rinia mendon që nuk ka probleme, atëherë nuk do ketë nxitje për shtetin që të bëjë atë që duhet të bëjë. Ky brez do ketë fëmijë dhe nëse prindërit nuk dinë çfarë janë të drejtat e njeriut, as fëmijët nuk do e dinë. Po një nga problemet është që,  duke qenë se ju nuk keni vuajtur si prindërit tuaj, jeni më pak të prirur për të luftuar për të drejtat e njeriut. Prandaj janë dhe festivalet e filmave, si ky.

Besoni realisht në ndikimin e artit në sjelljet e të rinjve?

Arti ndoshta është mjeti më i fortë për të përcjellë mesazhe në çdo shoqëri. Po jap një shembull të dy shekujve më parë nga vendi im. Ne patëm një luftë civile, që përfundoi me marrjen fund të skllavërisë dhe kur Abraham Lincoln takoi Harriet Beecher Stowie, gruan që kishte shkruar “Uncle Tom’s Cabin”, ku tregohej sa e tmerrshme ishte skllavëria- ai ishte shumë i gjatë, ndërsa ajo shumë e shkurtër- e pa dhe i tha: “Oh, pra ti je ajo gruaja e vogël që nise lëvizjen e madhe”, pasi ishte libri i saj që i bëri njerëzit të ndryshonin qëndrimin ndaj skllavërisë. Apo muzika e Shoppen-it, që përcillte mesazhe për lirinë e polakëve dhe ai ndihmoi për krijimin e shtetit polak. Ti sheh Manet-in dhe sheh një ekzekutim, apo Pikason…dhe kujton luftën civile të Spanjës, pra arti ka ndikuar emocionet e njerëzve dhe është shumë i rëndësishëm për të ndryshuar sjelljet e njerëzve. Muzika, gjithashtu. Në rininë e brezit tim, në vitet ‘60-‘70, muzika ishte shumë e rëndësishme, muzika black, të gjithë njerëzit e këndonin dhe kërkonin të drejtat civile, apo Beatles, njerëzit akoma i dëgjojnë.

Por sot mund të jetë më e vështirë që arti ta arrijë këtë, pasi ka shumë alternativa dhe njerëzit janë më pak të fokusuar.

Unë nuk mendoj kështu. Ajo që më ka bërë përshtypje vitet e fundit është që kur ndodh një shkelje e të drejtave të njeriut dhe vendoset në Youtube, merr mijëra klikime nga e gjithë bota dhe komente që kundërshtojnë dhunën. Pra njerëzit nuk janë aq indiferentë sa mendojmë. Unë mendoj që dhe arti ka një rol të rëndësishëm. Kur ne shohim një film, pasi dalim nga kinemaja na rreh zemra, kjo është shumë e rëndësishme për të menduar ndryshe për të drejtat e njeriut: të përcjellësh mesazhin për këto të drejta nuk mjafton t’i bësh njerëzit të mendojnë, por edhe të ndjejnë. Sepse siç thotë një filozof spanjoll, “nëse nuk ndjen një pjesë të dhimbjes së tjetrit, humbet një pjesë të cilësive njerëzore”. Dhe arti e bën shumë mirë këtë. Na bën empatik. Unë kam parë pjesën më të madhe të filmave në këtë festival dhe ende kujtoj një mbi vrasjet për nder në Gjermani të myslimanëve turq. E lashë kinemanë duke e kuptuar atë problem. Apo kur u shfaq filmi “Mama Illegal” me gratë moldave që linin vetëm fëmijët për të punuar në emigracion dhe në ditën e nënës, në fshatin moldav i pyesnin fëmijët ku e ke nënën, njëri thoshte në Itali, tjetri në Gjermani, të gjithë në kinema qanin. Tani e kuptoj problemin e emigrimit ilegal. Pse e bleva atë pikturën e studentes nga Kosova… Sepse kam qenë në burgjet e grave të Kosovës dhe kur dëgjova që një artiste e sillte atë realitet në pikturë, një grua që kishte lindur fëmijën në burg, thashë që do ta ble. Sa herë do e shoh, do mendoj për atë gjë. Arti ka me të vërtetë forcë.

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur