Editori i lexuesit, përvoja e gazetës MAPO

Nisma e Institutit të Medias për krijimin e një enti-vetërregullues, brenda enteve mediatike në Shqipëri, ai që u quajt Avokat i Lexuesit apo Editori i Lexuesit, nga stafi i gazetës MAPO u prania si një mjet më shumë për të komunikuar me publikun. Për disa ditë, në variantin e shtypur të gazetës u publikua një lajmërim i vogël mbi ngritjen e kësaj ‘redaksie’ brenda redaksisë, ndërkohë që në sajtin e gazetës www.mapo.al, sigla Avokati i Lexuesit, dhe një shpjegimore e vogël se çfarë përfaqëson ky koncept, qëndron në një vend të dukshëm prej muajsh.

Duhet thënë megjithatë se komunikimi me lexuesit ose numri i ankesave ka qenë modest. Kjo mund të shpjegohet me disa arsye. E para, mendoj se ka të bëjë me një ‘qark të shkurtër’ që përdor individi shqiptar si pjesë e shoqërisë për t’u përballur me institucionet, ose për të zgjidhur gjërat, qofshin këto probleme të mëdha, të vogla, apo thjesht ankime etike ose estetike për punën e një reporteri, komentatori apo linjën editoriale të një gazete. Ky ‘qark i shkurtër’ konsiston në atë se parapëlqehet telefonata e drejtpëdrejtë me pronarin/bosin e medias, apo në rend të dytë kryeredakatorin, duke e anashkaluar kështu ‘rrugën institucionale’, të Avokatit të Lexuesit në këtë rast. (Kjo mund të vlejë edhe për Avokatin e Qytetit në Bashkinë e Tiranës, pra nuk është një përjashtim nga rregulli).

Arsyeja e dytë mund të jetë gazeta MAPO si një media që njihet për një mesatare integriteti dhe etike dhe kjo e bën ‘të panevojshëm’ ndërmjetësimin e Avokatit të Lexuesit.

Një arsye e tretë, që është edhe më dramatikja nëse është e vërtetë, ka të bëjë me humbjen e besueshmërisë së medias. Lexuesi nuk preferon komunikimin, as mbrojtjen, nga i njëjti ent që bën edhe shkeljen sepse beson se ajo është bërë në dashakeqësi, dhe një ankesë nuk do të zgjidhte asgjë.

Sidoqoftë, Avokati apo Editori i Lexuesit është një organizëm që mund të institucionalizohet me kalimin e kohës, dhe të forcohet duke e provuar veten si të nevojshëm. Një praktikë dhe një aksion është gjithmonë më e mirë se mungesa e një praktike dhe aksioni.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Editori i lexuesit, përvoja e gazetës MAPO"

  1. Zamir  01/11/2013 at 11:39 am

    Personalisht mendoj se “avokati i lexuesit” eshte nje nisme per t’u pershendetur(ISHM & MAPO), edhe pse lexuesit nuk ia ka vene/vrare shume syrin a veshin.

    Kjo mendoj se ka ardhur per arye te mungeses ne kohe te ketij institucioni ndermjetesues. Ne kete rast MAPO mendoj se duhet pergezuar qe hodhi hapin e pare edhe pse ne nje toke te shkrete. Me pas mund te flitet edhe per strukturen e tij.

    Se pari mendoj se avokati i lexuesit duhet te jete i emertuar(emer-mbiemer), ne vijim duhet te kete edhe nje imejl(vetjak) te shpallur, ku te gjithe lexuesit mund te shprehin (pa)kenaqesite e tyre ndaj komentuesve te kesaj gazete. Jo detyrimisht te gjitha ankesat a kerkesat e lexuesve mund te botohen. E kjo nuk ka te beje me mungesen e transparences ndaj lexuesit. E aq me teper nuk mund te kuptohet si nje rubrike ku lexuesi i ve medaljen a gurin ne qafe analist/opinionistit te gazetes(me apo pa te drejte).

    Nga te gjitha shqetesimet elektronike te lexuesit, avokati(nominal) i lexuesit priret te perkape shqetesimet perbashkuese te lexues/komentuesve ne imejlin e tij. E ne nje dite te caktuar te javes(shembujt perendimore rendom perzgjedhin fundjaven) del me nje editorial te tijin/te sajen (edhe)duke cituar shqetesimet e lexuesve, por njeherazi duke shperfaqur mendimin e tij/e saj sa me pak subjektiv( sa me prane objektivitetit) ndaj temes mbizoteruese javore.

    Ne median perendimore zakonisht ky institucion perpiqet te fashise prushin emocional qe mund te pershkoje lexuesit dhe analist/opinionistet e medias ne fjale. Thelbi qendron tek etika: perdorimi a shperdorimi i nje termi a terminologjie nga nje apo disa komentues te medias perkatese.

    Per shembull: shperdorimi termit autik, magjyp, lustraxhi, bojaxhi, tullaxhi, miop, anadollak, turkoshak, kaurr, kryqali, verdhacuk, etj; apo edhe perdorimi me tepri i huazimeve gjuhesore, nderkohe qe shtjellimit mund t’i shkoje me per shtat nje fjale a frazeologji e gjuhes amtare; lehtesimi i captha-s, e shume e shume te tjera.

    Njeherazi, edhe pse institucionalisht eshte ‘betuar mbi logon mediatike’ per besnikeri ndaj lexuesit, kjo nuk do te thote qe detyrimisht te mos shprehet kritik( kur e mendon a e gjykon te tille) duke i dale ne mbrojtje analistit te medias ku punon(kur e gjykon se me keqdashje apo pa dashje eshte keqinterpretuar fjala a fjalia e analistit).

    Avokati i lexuesit gjendet perhere ne nje pozicion te pavolitshem: nga njera ane duhet te mbroje lexuesin nga ‘lendimet a fyerjet’ e penes a tastieres se analistit, e nga ana tjeter duhet te mbroje te drejten e fjales e shprhejes se lire, duke e mbrojtur analistin nga vetecensurimi qe mund t’i shkaktohet nga skrupujt(filtrat) e tepert, ngaqe kjo i pamundeson shpalosjen e arsenalit te tij dijesor, ndijesor, gjuhesor e frazeologjik.

    A eshte i afte avokati i lexuesit te veproje ne kete terren klon, pa cenuar njeherazi interesin e lexuesit e shkruesit, por duke mbrojtur interesin e interesimin publik, kjo eshte jo vetem çeshtja, por edhe sfida e tij/saj.

    Personalisht mendoj se nje detyre e tille qe perkon me emancipimin shoqeror fillimisht mund t’i ngarkohet nje femre, me qellim qe gjithkush andej e ketej ekranit komjuterik te jete me i perkore ne goditjen e shkronjave te tastieres: qe debatit mos t’ia zere vendin polemika.

    Per me tej, duhet fat e mirekuptim. Prandaj urohet: Fat te mbare ne nje rrafsh te pashekelur, por mjaft te nevojshem per te ecur perpara… drejt mbrothesise.

  2. Zamir  01/11/2013 at 1:03 pm

    Per te mos e ngjeshur reagimin e pare edhe me perkthimin ne fjale, tashme po ju dergoj nje shembull konkret se si “Avokatja e lexuesit” te gazetes spanjolle “El pais”, Milagros Perez Oliva, e shtjellonte editorialin e saj javor te paradokohshem:

    —–

    “El Pais”

    Metafora që lëndojnë, tullaxhinj që lëngojnë

    MILAGROS PÉREZ OLIVA – “Avokatja e lexuesit”

    Shpërfaqja publike përbën një kushtëzim thelbësor të qënies së asaj që rëndom shquhet si shoqëri mediatike. Për këtë arsye, kontrolli mbi imazhin që projektohet në mjetet e komunikimit, është shndërruar kësisoj në pikësynim parësor të çdo lloj institucioni, individi a grupimi shoqëror. Të emërtosh do të thotë të përcaktosh, të vendosh, të shenjosh e më pas të katalogosh. Gazeta në vetevete, nuk përbën vetëm një ofertë e pasqyrimit të përshkallëzuar të realitetit që hasim në përditshmëri. Por, mbi të gjitha ajo mbart në vetvete edhe rolin e përcaktimit të morisë së realiteteve, e mundësuar kjo nëpërmjet përdorimit të fjalës si mjet shprehës. Nga ana tjetër, fjala me ngjyrime emocionale, apo siç njihet rëndom shprehja frazeologjike, nuk mund të trajtohet as si e paanshme, e aq më pak e pandryshueshme, e ngurtë. Në thelb, shprehja frazeologjike që vihet në përdorim, pasqyron një mënyrë mendimi në ndryshim e sipër, siç edhe vetë mendimi. Për të shkuar pak më tej, edhe vetë mendësia.
    Dëshira për të pasur një mbikqyrje të shpërfaqjes mediatike është arsyeja për të cilën gazetarët janë objekt i trysnisë mbi formën e përzgjdhjes së fjalëve që përdorin. Kjo lloj trysnie piksëpari shfaqet në dy fronte: nga njëra anë prej atyre që i japin të drejtë vetes, për shkak të përdorimit të shprehjeve gjuhësore që hasen në gazeta, si një burim i steriotipeve negative që mbartin pasoja diskriminuese te disa grupime të caktuara; nga ana tjetër, prej atyre që në mënyrë të drejtpërdrejtë ngulmojnë të modulojnë leksikun e gazetarisë brenda normave të qënies politikisht korrekt, e që kanë si qëllim të diktojnë njëllojësinë e pikëvështrimit të realitetit, në përputhje ndonjëherë kjo edhe me interesat e tyre të ngushta. Të dyja këto së bashku, ushqejnë me bollëk postën elektronike të ‘Avokatit te lexuesit’.

    Po përpiqem të analizoj njërin prej këtyre dy fronteve, atë të përbaltjeve. Filli i pakënaqësive të shkaktuara, që mund të vlerësohen si cënuese a lënduese të personalitetit njerëzor, është i pambarimtë. E fundit në radhë që kam marrë në shqyrtesë, ka të bëjë me artikullin “Faji i tjetrit”, artikull në të cilin prof. Rafael Argulloll ngrinte shqetësimin e tij mbi…” hijet e dyshimit që vërtiten tek brezi i të rinjve, si shkaktarë të veprimeve çnjerëzore gjithnjë e më shqetësuese, pasojë kjo e injorancës, apatisë, autizmit apo edhe veprimeve të dhunshme. Kjo fjali vuri në siklet disa lexues, prindër fëmijësh që vuajnë nga autizmi. Eva Rodello na qortoi “për përdorimin e termit gjuhësor autizëm, si sinonim të fjalës barbarizëm”…”unë personalisht, kur nuk kisha një fëmijë që të vuante nga autizmi, isha peng i koncepteve se ata janë persona që duan ishullohen nga bota që i rrethon, që shprehin kundërshti ndaj saj, e që kalojnë nga gjendje limontie në rebelim po ndaj saj. Por, ky është një këndvështrim sa bajat aq edhe kallp. Ime bijë është një fëmijë i këndshëm, sa e ëmbël aq edhe e hareshme dhe ngazëllyese”- shprehet mes të tjerash znj.Reduello. Nga ana e saj, Ester Cuadrado kërkon me ngulm për “respekt dhe etikë”, sepse sipas saj “përdorimi i shpeshtë i termit gjuhësor ‘autizëm’, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjendjen shpirtërore të këtyre fëmijëve”, një mënyrë kjo argumentuese që mbështetet edhe nga prindër të tjerë me dalje publike si Eva Campano, David Vaguco Mariano Alvira.

    “Nuk është vetëm çështje gjuhësore” ngulmon Eva Reduello. “Është diçka më tepër.Ne duhet të përpiqemi të ndryshojmë konceptin që kjo shoqëri mbart rreth kësaj sindrome, e për t’ia dalë mbanë, fillimisht duhet ta nxjerrim në pah, me qëllim që ajo të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë. Ky është çelësi, thelbi i ofshamave të kësaj lloj problematike që e ndeshim rreth e qark. Nga ana e tij, Rafaell Argulloll i pranon këto kritika, duke u shprehur se “kishte përdorur termin gjuhësor ‘autizëm’, si një metaforë, si një figurë letrare me ngjyrim retorik. Më tej, ai shton se “parapëlqen përdorimin e fjalëve me ngjyrim emocional, pasi një shkrimtar duhet të jetë njëherazi po aq i përgjegjshëm ndaj evoluimit të fjalës, si mjet shprehës.”Si autor, mund edhe të kem lënduar jo pak individë, e për këtë arsye e shoh të arsyeshme ta tërheq mbrapsht. Pasi më kushton më pak të tërheq pas një metaforë që shkakton plagë ( qoftë edhe të lehta), sesa ta hedh në tregun mediatik.

    Një e përditshme duhet të jetë e ndjeshme ndaj evoluimit shoqëror të gjuhës dhe fjalëve me ngjyrim emocional, si dhe të shmangë sa të mundë përdorimin e fjalëve a shprehjeve frazeologjike stigmatizuese(damkosëse), si autizmi, skicofrenia, psikopatia, të cilat mund të shkaktojnë mjaft dëme. Fjala ‘anoreksi’, për shembull, po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë në disa ambiente rinore, në formën e saj përkeqësuese dhe fyese të personalitetit. Megjithatë, a mundet vallë që ky term të mos përdoret askund, qoftë edhe si metaforë në një situatë të çfarëdoshme? Mund të them se kjo nuk mund të ndodhë. Sepse është tjetër gjë të etiketosh a stigmatizosh dikë, e krejt ndryshe të pranosh me ndërgjegje kufizime të tilla që varfërojnë shprehjet gjuhësore, ashtu si edhe vetë gjuhën. “Duke marrë mbi vetë pasojat e sipërpërmendura, do të bitisnim në përdorimin e një gjuhe simbolikisht letrare. Fjala ‘shëndet’, është një prej burimeve kryesore të përdorimit të metaforës, pasi sëmundja ka të bëjë ‘me mungesën e shëndetit’, çka do të thotë të mos jesh në gjendje të mirë shëndetësore, të jesh shëndetlig. E kjo gjendje e dobësisë a ligështimit, ka ushqyer së tepërmi figura letrare si metafora, bie fjala”.

    I pyetur rreth kësaj çështjeje, Vicente Jiménez shpreh gjykimin e tij: “Disa lloj shprehjesh frazeologjike mund edhe të vënë në siklet lexuesit, dhe është me vend që këto shprehje të mënjanohen. Nga ana tjetër, një gazetë nuk mund të zhvillojë veprimtarinë e saj përmes kufizimit në përdorimin të stilistikës, as edhe të heqë dorë nga leksiku, apo edhe nga përdorimi i përcaktorëve që i vijnë në ndihmë kuptimit sa më të qartë të tekstit. Gazeta duhet të jetë e ndjeshme ndaj lexuesve, kryesisht ndaj sëmundjeve, pasaktësive, apo edhe deformimeve në tekst, që kanë të bëjnë me këto çështje, por, një teprim i korrektimit gjuhësor do t’i vinte fre vetë pasurisë stilistike.

    Gjetja e drejtpeshimit në raste të tilla nuk është e lehtë. Për më tepër që pritshmëritë dhe kërkesat e lexuesit janë gjithnjë e në rritje. Fillimisht duhet hequr dorë nga përdorimi i fjalës ‘i çmendur’, ngaqë ka kuptim përkeqësues, e duke e zëvendësuar me togfjalëshin ‘i sëmurë mendor’. Kjo mbetet padyshim një zgjidhje me vend. Por kjo zgjidhje mund të jetë e vlefshme deri në atë kohë që ndonjë shoqatë pacientësh të na kërkojë medoemos të mos flasim për “të sëmurë mendorë” apo ‘të mangët”, por për ‘persona me sëmundje mendore’ apo ‘persona me aftësi të kufizuara’. E ç’mund të flitet më pas për skicofreninë, për diabetikët, apo edhe për sa e sa situata të ngjashme. Jam dakord. Por këto grupe shoqërore duhet të na mirëkuptojnë se në qoftë se ne e shtrëngojmë edhe më shprehjen frazeologjike, nuk na mbetet çka tjetër, përpos ta vendosim në fashë allçie.

    Vetë problematika, herë-herë nuk ka të bëjë më shumë me përdorimin e metaforës, se sa me aftësinë që mbart mbi vete gazetaria për të krijura steriotipe. Arkitekti Héctor Sequero Marcos, i është drejtuar ‘avokates se lexuesit’ , i shqetesuar nga perdorimi i termit ‘tullaxhinj’ kur i referohet sektorit të ndërtimit. Sipas gjykimit të arkitektit, atij i duket si një shtrembërim i pasqyrimit të realitetit. “ Është e vërtetë që sektori i ndërtimit ka shkaktuar dëme të mëdha, por jo i gjithë ky sektor është i përfshirë në veprimtari të tilla. Po përdoret shpesh një term përkeqësues për të gjithë ndërtuesit, ndërkohë që kjo dukuri negative është e vërtetë vetëm për një pjesë të këtij sektori”.

    Vicente Jiménez nuk e pranon këtë kritikë të adresuar ndaj tij, si drejtues përgjegjës në gazetë. “ Në gazetari, si dhe në të gjithë lëmin e letërsisë, sinekdoka (përdorimi i të tërës për pjesën ) është e ligjshme e për pasojë edhe e lejueshme. E kuptoj faktin që për shumë drejtues të sektorit të ndërtimit, fjala tullavënës dhe më tej edhe tullaxhinj, mund të përftojë ngjyrim emocional përkeqësues, e që shpesh edhe ndajshtimet në radhë të çojnë në masë drejt veprimtarive kriminale. Nga ana tjetër, besoj se në këtë rast nuk është faji i terminologjisë së përdorur, qoftë edhe nga gazetarët, por rastet e bollshme të zhvatjeve a përfitimeve të shpejta, që tullaxhinjtë ( biznesmenët e sektorit të ndërtimit ) e kanë shfrytëzuar si një rast të artë, për të tejmbushur xhepat e tyre nëpërmjet shmangies së detyrimeve ligjore.

    “Avokatja e lexuesit” mendon se jemi duke keqpërdorur termin ‘tullaxhinj’ kur flasim për sektorin e ndërtimit,çka as nuk pasuron gjuhën dhe as nuk i ngre vlerën gazetës. Përkundrazi varfëron si njërën ashtu edhe tjetrën, pasi i lë shteg të lirë teprimeve. E për më tepër, përdorimi përkeqësues i shprehjes në fjalë, krijon një perceptim shoqëror dëmsjellës ndaj sektorit të ndërtimit. Ky debat mori aq rëndësi, sa që detyroi edhe arkitektin Luis Fernández-Galiano, bashkëpunëtor i rregullt i EL PAIS-it, të dalë në mbrojtje të sektorit të ndërtimit, me një artikull të titulluar “Elegji për ndërtuesit”. Ndërkohë, më duhet që t’i referohem vetë Fernández Galiano-s, i cili dy vjet më parë dhe po në këtë gazetë – pak para së të plaste skandali i parregullsive në hipoteka – shprehej kështu : “Sendërtohemi me anë të ideve. Boom-i i sektorit të ndërtimit është një përzierje e babëzisë me çimenton, ndërkohë që në të vërtetë ngrehina hedh shtat përmes mendësive lartpamëse”.

    Ngrehina e gazetarisë lartësohet nëpërmjet leksikut të përzgjedhur, dhe vetë kjo e fundit e ka bazën tek mendimi. Ne hedhim shtat nëpërmjet ideve. E nëpërmjet përzgjedhjes së fjalëve nuk nxjerrim në pah vetëm atë çka na rrethon, por njëherazi vendosim edhe nga një tullë në po këtë ngrehinë, në emër të vetë profesionit tonë, të gazetarit, duke e ngritur ashtu tullë pas tulle vetë sektorin tonë të ndërtimit, atë të gazetarisë. Për t’ iu kthyer edhe një herë çështjes që ceka në nismë të artikullit: Si të përballojmë trysninë e përballjeve tejet të ideologjizuara, që orvaten të na detyrojnë për pasjen apo qasjen e/ndaj një perceptimi të paracaktuar, të një realiteti politikisht korrekt, apo edhe të përdorimit pa kriter të fjalëve të thata, pa brumë e të stërpërsëritura, si p.sh mbështje, përkrahje, solidaritet apo bashkëpunim.

You must be logged in to post a comment Login