visi baner 5

Bakërxhinjtë bukëshkalë të Rubikut

Ditët e fundit, nëpërmes një emisioni investigativ televiziv u shfaqën sekuenca nga akti i fundit i një maskarade: vjedhja  Dedë Shkurtidhe shkatërrimi i Uzinës së Bakrit në Rubik, e justifikuar me dhënien e një kontrate koncesionare me ndryshimin e destinacionit të kësaj uzine.

Këtij investigimi që, siç e thonë në zhargon mirditasit: – “Lan’ m…n me sh…ë”, i kanë paraprirë ankesa serioze të qytetarëve të thjeshtë të Rubikut, punëtorëve e specialistëve që kanë shkrirë jetën në atë uzinë, mendjeve të urta e të qytetëruara që u dhimbset çdo vlerë e qenësishme e krijuar në këtë vend.

Së fundi është në të njëjtën linjë denoncimi edhe pushteti vendor, Bashkia e Rubikut, pas një rotacioni disi të vonuar të kalimit të pushtetit nga duart e “Skrapistëve Bakërxhinj” në duart e pinjollëve të atyre që e ngritën me zemër, thonj e mendje atë.

Tashmë, në atë objekt industrial, më kompetitivin dhe efektivin e Socializmit, kanë mbetur vetëm disa kolona, trarë betoni dhe ca mure tulle që priten nga çasti në çast të shqyhen nga nevojtarët e ndërtimeve në fshat. Midis zërave denoncues spikat në vazhdimësi zëri i një mësuesi të nderuar në pension, Ndre Picaku. Bën mirë që denoncon profesori, pavarësisht se, siç thonë atje në djepin tonë, “asht m’sue uku me cingrema”.

Që “alibalët” bashkë me të gjithë balët dhe hienat e tjera të skrapeve duhet të shkojnë përpara drejtësisë, kjo nuk do mend e as kalem. Do vetëm pak vullnet dhe bashkërendim punësh nga Bashkia Rubik, Ministria e sotme e Energjetikës dhe Industrisë, dhe organet e Policisë dhe të Prokurorisë.
E keqja, i dashur profesor, nuk ka nisur tani, që ju dhe “Fiksi” denonconi.
Fajin fillestar e kanë “adamët” e Rubikut. E kanë ata djem, kolegë të mi, që në vokacionin e tyre, edhe si specialistë të thjeshtë, ndjeheshin si funksionarë dikasteri, si shefa katedrash të Universitetit Politeknik, si “ekspertët” e mëdhenj të bakrit.
Uzina i bëri të tillë, nga pothuajse askushër në dikushër, sepse Ajo ishte objekt strategjik dhe teknologjik i klasit të parë. Që nga viti, tashmë i largët, 1936, Rubiku është qendra e mineralogjisë dhe e metalurgjisë shqiptare.
Janë tre breza metalurgësh, minatorësh dhe gjeologësh që u “murosën” në themelet e “fortesës industriale shqiptare”.

Këtu kanë zënë fill laboratorët dhe katedrat e para të Universitetit të Tiranës, të Akademisë së Shkencave. Këtu janë “kolauduar” inxhinierët, teknologët dhe ekonomistët tanë të lartë.
Këtu dhe vetëm këtu është prodhuar ari, argjendi, platini, seleni dhe teluri shqiptar, këtu është stampuar bimetali për gëzhojat e predhave të kombinateve ushtarake të Gramshit dhe të Poliçanit, pa përmendur prodhimin në masë të artikullit kryesor, bakrit elektrolitik, në sajë të të cilit u ngrit “stacioni i fundit” i përpunimit, Uzina e Telave në Shkodër.
Rubiku, për më shumë se tri dekada ka qenë qyteti më të ardhurat më të larta për frymë nga Industria, edhe përpara kryeqytetit.
Tërë zona e Rubikut (edhe fshatrat) jetonin në një mirëqenie relativisht të lartë. Këtë, ia vlen ta ilustrojmë me një shembull që sot duket qesharak: nëpër shtëpi kishin mbetur vetëm të moshuarit, kooperativat bujqësore ishin në krizë të vazhdueshme për forca pune, (nuk kishte kush t’i ngiste qetë), edhe kabinetet e Shkollës së Mesme Industriale në Rubik ishin në mjediset e Uzinës.

Gradualisht, me kohë, Uzina filloi të konsolidojë ”Elitën” e vet teknokratike me djem dhe vajza të arsimuara jo vetëm nga Mirdita, por nga e gjithë Shqipëria. Rubiku, pas Tiranës, po bëhej një qytet kozmopolit, (në kuptimin e ekzagjeruar të asaj kohe).

Këto “kuadro” të shkolluar e të punësuar me fat dhe me miq të partishëm, filluan të krekosen. Teknologjia bashkëkohore nuk iu linte shumë kohë për vramendje e rifreskim dijesh. Filloi t’u krijohej ideja se vetëm ata “ishin prerë’ për ato pozicione pune, se për ata ishin presidiumet, medaljet e “Heroit të Punës”, certifikatat e kualifikimeve, gradat shkencore pa ndonjë kokëçarje të madhe e mbi të gjitha, synimet për karrierë politike dhe pushtetore të mbështetur në dogmën socialiste, “me prejardhje dhe të kalitur në gjirin e klasës punëtore”.

Këta do të ishin të parët në listat për deputetë, kryetarë, zëvendës e ministra.

Me ndërrimin e sistemit, kur meritokracia filloi të ngrinte krye mbi dogmën dhe tullumbacefryrjen , këta “diturakë province” tashmë, filluan të marrin qëndrime e role të reja.
Është çudi e madhe, por edhe mjerim më i madh, se, kur punëtorët e Rubikut kërkonin ta riaktivizonin Uzinën, ata bënin poza akademikësh se “industria e bakrit qenka jorentabël”. Janë ata që çuan ALBBAKËR-in në Tiranë.
Janë ata që i dhanë Munellën kanadezit dhe turkut, që filluan t’iu përgjëroheshin e gëzoheshin fitimit të paligjshëm të ndonjë leku nga shitjet e projekteve të paarkivuara e të painventarizuara gjeologjike, të qindra tonëve bakërishte, e tunxheve, të skorjeve të mineraleve të rralla por edhe të skorjes masive, të transformatorëve, elektrokompresorëve, të makinave metalprerëse e të shumë pajisjeve të tjera. Megjithë rezistencën stoike të një teknologu vendas, Nikoll Marku, ato shkatërruan laboratorin modern dhe, janë prapë ata që e çuan në gërmadhë pothuajse përfundimisht Uzinën e Rubikut!
Një pyetje shumë dashamirëse, por retorike: i dashur profesor Picaku,
- Sa herë kanë ardhur tash së voni, “djemtë e katapultuar në pushtet” të Rubikut, pasi ranë nga fiku, të bisedojnë me baballarët dhe vërsnikët e baballarëve të tyre për fatin e bakrit dhe të Uzinës?!
Këtu duhet filluar analiza dhe duhet nxjerrë përfundimi.
Marrja e zezë u qoftë!

Reklama-Eagle

4 Përgjigjet për "Bakërxhinjtë bukëshkalë të Rubikut"

  1. Jon  23/10/2013 në 3:35 pm

    Si shume vone kjo ese, cbere deri dje? Ju dhe brezi juaj shakterruat gjithshka te mire qe kishte lene ai rregjim, pervec hidrocentraleve, por edhe aty i fyti hundet turku.

  2. Krasjoti tp  23/10/2013 në 3:48 pm

    Z.Dede.Te komentosh mbi shkrimin tuaj nuk eshte e lehte duhet te jesh njohes i mire i sferes dhe duhet te kesh edhe shume njohuri te tjera qe ju ndoshta i keni.Por une jam agronom. Njelloi si ju edhe une shume vite me pare me keputej shpirti per superfosfatin e Lacit ,per nitrat-urene e Fierit per uzinen e autotraktoreve,per metalurgjikun etj etj .Por gjithe puna eshte me cfare kosto prodhonim ne ishin rentabel dhe nese ne do perfshiheshim ne ndarjen nderkombetare te punes ne sistemin kapitalist ku u perfshim apo do prodhonim duke u mbeshtetur ne forcat e veta.Dhenia me koncension kanadezeve dhe turqve si vende me potenciale te medha teknologjike por edhe konsumatore te medha te bakrit etj,ka orjentuar dhenien e koncensionit ketyre zoterinjve se ne fare mire mund te prodhonim e mos te tregtonim,ose te prodhonim me kosto te larte dhe te tjeret perfshi edhe kanadezet edhe turqit te funizoeshin ne Kili e jo ne Rubik per interesin tone. Nuk dua te mbroj asnje”alibal”sic i cilesoni ju koncensiondhenesit as djemt rubikas bukeshkal sic i konsideroni ju ne shkrim,as te dekurajoj qeverine dhe prokurorine te shikoj,te studjoj koncensionin,shkeljet dhe pergjegjesit nje me nje.

  3. ndue  24/10/2013 në 11:36 am

    nje shkrim qe mbeshtetet tek nostalgjia dhe protagoniste te saj jane dy personazhe ; Ndre picaku ish-sekretar partie ne shollen industriale rubik dhe drejtuesi i pushtetit vendor ,ish -kryetar kooperative ,ne profesion agronom qe lidhjen e vetme me industrine e bakrit e ka nenpermjet babit te tij ish -brigadier qe mbahet mend per kampion te flete rrufeve dhe te mardhenieve jo korrete me punetoret e tij.Eshte per te ardhur keq qe ne kete histori perfshihet nje inxhinier i nderuari Dede shkurti qe sot pas 15 vitesh mosfunksionimi te saj per shkak te falimentimit ,pasoje e nivelit te ulete te teknologjise dhe mungeses se punimeve pergatitore ne miniera per te garantuar kapacitetet ,ben nje analize me shume emocionale dhe kete pergjegjesi ja faturon specialisteve te kesaj industrie perjashtuar nje person (me kontribut qendrestari hahahahha!!!).DOJA TJU KUJTOJA ARTIKULLSHKRUESIT QE ESHTE TEKNOLOGJIA AJO QE VENDOS NE FATIN E NJE INDUSTRIE PERPOS FAKTOREVE TE TJERE SI MENAXHIMI POR A KA PATUR KJO INDUSTRI NJE TEKNOLOGJI TE TILLE , ME SHKALLE REKUPERIMI 78% DHE ME NUMER FUQIE PUNETORE KU PER 10 TON PRODUKT BAKRI TE PASTER PUNONIN 5000 PUNETORE?!Qe te besh konkliuzione te tilla do ju sugjeroja te shfrytezonit arkivat qe ne vitin 1992 te uzines rubik, albabakrit por dhe bashkise rubik per te verifikuar a kane reshtur ndonje here perpjekjet e ish-specialisteve te kesaj industrie per te sjelle alternativa se si mund te mbahej kjo industri ne pune deri ne gjetjen e investitoreve strategjike per te cilen ka patur nevoje realisht!!SMENDOJ SE ROTACIONI NE PUSHTETIN VENDOR ka sjelle ndonje risi ne te tilla perpjekje ndonese sjane kompetence e tij dhe nje denoncim tek fiks-fare nuk mbulon deshtimin total te kryetarit aktual ne pergjegjesite e tij qeverisese ndaj qytetareve gje per te cilen mund te humultoni vete ne kete qytet!!!Nese artikullshkruesi do te humultoje ne arkiva perfshire dhe ministrine e energjitike (ku besoj atakohet nje ish-minister mirditor)per dhenjen me koncension te munelles dhe te ballafaqohet me aktualitetin ne munelle -fushe arrez besoj do te ndyshonte mendim dhe vullneti per te ndryshuar si mungon inxhinierit te nderuar ashtu sic diskutimi dhe me inxhiniere te tjere pervec “qendrestareve”do jepte konkluzione me te qenesishme dhe me afer realiteti qe te ofron nje ish-sekretar partie apo nje ish-agronom qofte ky kryetar bashkie!!!

  4. mark  24/10/2013 në 10:25 pm

    Sinqerisht kam mbetur i befasuar nga ky shkrim i inxhinieri qe ka nivel te beje nje analize realiste dhe pa mlleffe pothuajse te etiketuara per individe te vecante dhe jam i befasuar qe ne kete shkrim aktakuze etikoheshim jodenjesisht edhe une ne ate kohe ,deri ne 1997 kam qene pjese e atij personeli qe ka dhene jo pak alternativa se si mund te rriteshin kapacitetet e prodhimit pas asaj renje drastike te prodhimit mineraleve dhe koncentrateve (per arsye qe tashme dihen )deri ne gjetjen e investitoreve strategjike (bashkohem me opinionin e z Ndue )per te rinovuar kete teknologji te prapambetur e cila eshte ne thelb shkaku i falimentimit per cdo lloj industrie.Sa per kujtese te inxhinierit duhet te kujtojme ate takim ne rubik , ku ishte dhe ministri BUFI , PER CELJEN E UZINES SE BAKRIT RUBIK , ku inxhinieri kundershtoj menyren se si po behej kjo analize , ku ne thelb nuk ishte rrugdalja nga udhekryqi ku kishte rene industria e bakrit por aktakuza e dhene nga franko krroqi qe i kalonte pretencave te ish-prokuroreve te komunizmit.Biles me detaje mund te them se inxhinieri perkrahu edhe nje diskutim timin , te vetmin , i cili atakonte menyren e rivenies ne pune te kesaj industrie pa siguruar mbushjen e kapaciteteve prodhuese ekzistuese por thjesht per te kenaqur triumfatoret e vitit te mbrapshte 1997.Biles shume syresh prej tyre ne kohen e rremujave te vitit 1997 kur angazhimi qytetar i rubiksave ruante uzinen e rubikut ,kerkonin ngritjen e komiteteve te shpetimit gje e cila u kundershtua nga gjithe punonjesit dhe qytetaret e angazhuar,dhe aq me shume ata (perfshire dhe qenrestarin qe ju citoni)moren ne dore drejtimin e strukturave drejtues nga Albbakri deri ne uzinat perkatese , drejtim i cili ishte nje deshtim total. Smund te vihen para pergjegjesise specialistet e rubikut per deshtimin e politikave qeverisese ne vite persa i takon industrise se bakrit por vetem politikbersit por mbi te gjitha sistemi nga i cili kjo industri trashegoi nje teknologji te prapambetur dhe mungese punimesh parapergatitore ne gjeologji dhe minjera e bash kjo eshte e verteta e madhe !!!Fenomenet qe mund tekene ndodhur ne periudha te caktuara te drejtimit te kesaj industrie mund te hetohen pa asnje medyshje dhe pergjegjesit te vihen para pergjegjesive ligjore e ne kete pike bashkohem me ju plotesisht. Sa per merak me vjen mire qe qenke lumturuar nga rotacioni i vonuar ne pushtetin lokal por a je perseri ne ate linje dhe sot pas 2 viteve e gjysem me rezultatet e arritura ne sherbim te komunitetit , me performancen e manifestuar nga pinjollet e atyre qe paskan bere epoke ne industrine e bakrit!!!Mendoj se koleget tuaj , pjese e punes ne industrine e bakrit skane nevoje per atakime joserioze nga ju por mendoj une per vleresime objektive per ate ckane dhene nder vite ne kete industri dhe kane dhene jo pak !! Eshte shume vone inxhinier te nxjerni konkluzione nisur nga nje shqetesim i ndre picakut apo ndonje tjetri , pa njohje as siperfaqesore per industrine e bakrit.

Komentet janë mbyllur