Ditët austriake në Tiranë, objektivi 2014, europianizmi i arsimit shqiptar

1380214_10200244208102873_447821718_n

Nisi dje edicioni i dytë i “Ditëve austriake” në Shqipëri, i organizuar nga Shoqëria Austriake në Shqipëri (ASA) me një tryezë të rrumbullakët që u mbajt në “Hotel Rogner”. Tryeza shpalli objektivin kryesor të këtyre organizatave gjatë vitit 2014: Arsimi europian, Shqipëria europiane, sfidat dhe kontributi austriak për sektorin e arsimit. Në tryezë ishin të pranishëm ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli, ministrja e Inovacionit, Milena Harito, përfaqësues të ASA-s dhe IG Alpbach Albania, politikani austriak Dr. Erhard Busek, ish-drejtues i Forumit europian Alpbach dhe koordinatori i nismës së përbashkët europiano-lindore, si dhe përfaqësues të universiteteve jopublike shqiptare “Luarasi” dhe “Marubi”. Të ftuarit austriakë sollën propozimet e tyre për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve për të rritur në njëfarë mënyre qarkullimin e trurit, si një alternativë më ndihmuese për vendin tonë në krahasim me ikjen e trurit. Theksi u vu në fushat që kërkojnë përmirësim të menjëhershëm në fushën e arsimit shqiptar, si zhvillimi i teknologjisë së informacionit, por edhe vendosja e standardeve të cilësisë, si një nga synimet e qeverisjes së re.

Arsimi, drejt reformës cilësore

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli shpalli gjatë tryezës së djeshme disa nga synimet e qeverisë ‘Rama’ mbi arsimin. Ajo shprehu gatishmërinë e qeverisë për ta bërë arsimin një aktivitet gjithëpërfshirës të gjithë personaliteteve që operojnë në arsim, duke e ndryshuar atë, duke ofruar një cilësi që e ardhmja europiane kërkon. “Programi ynë mëton qartë që çdo i ri shqiptar deri në moshën 29 vjeç të ketë mundësinë e një diplome universitare, një formimi profesional, e një punësimi, mos të ketë vetëm qasjen që ka ekzistuar deri më tash, vetëm me një drejtim, kalimin në universitet pa një mundësi reale për punësim”, – tha Nikolli. Ajo përmendi standardet e vendosura nga Këshilli Europian për mesataret e shkollimit të komunitetit europian: “Mesatarja e viteve të shkollës nuk duhet të jetë më pak sesa 15 vite, por ne e kemi 11. 9 vite shkollë, mesatarja e atyre që lënë shkollën nuk duhet të jetë më shumë se 10 për qind, shifrat zyrtare flasin për 1,5 por USAID thotë që ka afruar 13 %, ndërkohë që 82 për qind duhet të jetë e kompletuar me arsim të mesëm dhe të lartë, ndërsa në Shqipëri është 68 %. I thashë jo për të rendur pas shifrave, por për të treguar që ne duhet të mbështetim tek arsimi, sepse është politika më e mirë ekonomike, politika më e mirë që e zhvillon Shqipërinë dhe e integron atë në Europë. Duhet të shpallim reformën e cilësisë në arsim. Duhet të rendim drejt cilësisë”. Në këtë kuadër ajo shpalli dhe një herë objektivin e qeverisë që brenda 100-ditëshit të parë do gjejë agjencinë ndërkombëtare që do bëjë akreditimin dhe rankimin e universiteteve publike duke bërë pjesë të politikave më të mira të arsimit stafet akademike, duke u kthyer në statusin e vendimmarrjes për politikat më të mira të arsimit. Ministrja Nikolli deklaroi gjithashtu që do ketë një rivitalizim të kërkimit shkencor në universitete nëpërmjet një fondi të veçantë dhe që do ndryshojë format e menaxhimit në arsim. “Do ndryshojmë formën e menaxhimit në arsim, sepse deri tani gjithë orientimi i buxhetit, i politikave, standardeve ka qenë me fokus inputet dhe jo outputet. Ne do ndërtojmë një filozofi të re që e përdorin gjithë vendet europiane, të menaxhimit në bazë të rezultatit që prodhon shkolla, prandaj dhe skema e re do ketë këtë filozofi si tharmin e vet zhvillues”, – mbylli fjalën e saj. Ministrja Nikolli vlerësoi tryezën që kishte arritur të bënte bashkë personalitete të fushës së arsimit dhe politikave të tij, të cilat ndihmojnë në nismat qeverisëse.

Harito: Zhvillimi i teknologjisë së informacionit, jo një luks, një domosdoshmëri

Një nga drejtimet ku u propozua marrja e shembullit austriak ishte dhe mbështetja në teknologjinë e informacionit. “Ne të gjithë po avancojmë drejt dijes dhe Shqipëria ka një rol për të luajtur në gjithë zhvillimet në fusha të ndryshme, por është e rëndësishme t’i japim hov zhvillimit të teknologjisë për disa arsye, sepse kompeticioni botëror zhvillohet në këtë fushë dhe të rinjtë që të kenë mundësinë për këtë kompeticion duhet të kenë akses, të jenë të gatshëm për këtë kompeticion botëror, por kjo është dhe një mënyrë për t’u ofruar punë në një fushë ku ka shumë kapacitete”, – tha ministrja e Inovacionit Milena Harito, e cila theksoi që kjo fushë ka ende shumë mangësi në vendin tonë, çka kërkon sipas saj një punë të madhe për rritjen e këtyre kapaciteteve dhe cilësisë së studentëve në këtë fushë, si dhe promovimin e bizneseve që veprojnë në këtë fushë. “Një nga zotimet e forta është zhvillimi i një programi shumë të gjerë për shkollat e mesme, që është pajisja me tableta e nxënësve dhe e-learning, që këta të fundit të kenë akses në shoqërinë e informacionit, ta përdorin jo vetëm për t’u argëtuar, por edhe për të punuar për të krijuar për vete dhe shoqërinë. Ne kemi shumë probleme imediate, si mungesë dritash, uji, por nuk duhet ta shohim si  luks IT, por si një mundësi për të bërë hov përpara me pak kosto sepse teknologjia përshpejton zhvillimin në shumë fusha”, theksoi Harito.

I pranishëm në tryezë, Sokol Muça, Menaxher i Programeve Akademike i Microsoft Albania, theksoi rëndësinë që ka zhvillimi i kësaj fushe dhe hapat përpara që duhet të bëjnë kryesisht mësuesit në këtë drejtim, të cilët shpesh gjenden të tejkaluar në njohuri nga nxënësit e tyre, parë kjo në numrin e aplikimeve që bëjnë nxënësit në krahasim me ato të mësuesve pranë kësaj kompanie. Sipas ministres Harito, qeveria do të mbështesë start up-et për të rinjtë që të futen në tregun ekonomik.

ASA dhe IG Alpabach, synimet për përmirësimin e arsimit

Kjo tryezë u organizua në vitin e dytë që ASA sjell ditët austriake tek ne. “Synimi ynë është të rritet bashkëpunimi mes ekonomive dhe kulturave tona, të promovohen modelet e suksesit austriak dhe arritjet shqiptare në Austri”, – tha përfaqësuesja e bordit drejtues të ASA-s Lindita Komani e cila është njëkohësisht dhe koordinatore e temës së vitit të ardhshëm. “Tema kryesore e këtij viti ishte siguria rrugore që po kurorëzohet me këshillin përkatës. Tema për vitin 2014 do të jetë transformimi i arsimit me shpresën që do kurorëzohet me projekte për të sjellë modelet austriake në Shqipëri. Drafti do prezantohet në nëntor dhe do krijohet një grup pune me përfaqësues të ndryshëm nga institucionet dhe organizatat që veprojnë në fushën e arsimit”, tha ajo. Ndër propozimet e ASA-s si modele suksesi për të sjellë nga Austria në Shqipëri, Komani përmendi sistemin e shkollave teknike, standardet e cilësisë në shkollat e larta në Shqipëri, përfshirë shkollat shtetërore dhe private dhe çfarë modelesh përdoren për të matur cilësinë, më shumë IT në shkolla, dimensioni moral dhe human në arsim, lufta kundër korrupsionit në arsim etj.

Gjatë tryezës, gjithashtu Brunilda Noka presidente e IG Alpbach Albania, bëri një prezantim të organizatës, pjesë e Forumit Europian Alpbach, duke përmendur kontributin e deritanishëm në informimin e studentëve për aktivitetet që organizon çdo vit Forumi dhe mundësinë për të përfituar nga bursat. Vetëm vitin e kaluar, 21 studentë shqiptarë përfituan bursa të plotë për të marrë pjesë në forumin e EFA-s me pjesëmarrës nga 58 vende të botës. I pranishëm në takim ishte dhe këshilltari i Kryeministrit për diplomacinë kulturore, i cili shprehu nismën e tij për ta kthyer Kryeministrinë në një derë të hapur për aktivitetet kulturore të artistëve të huaj, për studentët dhe të rinjtë shqiptarë.

 

 

 

Komentet janë mbyllur