Bllokohet kompleksi “Jon” në Vlorë, zbardhen lejet e ndërtimit

jonInspektorët e INUK dhe forcat e policisë kanë rrethuar dje kompleksin “Jon” në zonën e “Ujit të Ftohtë”, duke shkaktuar tension tek banorët. Shiriti rrethues pengon hyrjen në godinën 6-katëshe ndërsa punonjësit e Inspektoratit, me në krye Zyhdi Dajtin, kanë nisur matjet e objektit. Ky veprim është cilësuar arbitrar dhe i kundraligjshëm nga avokati i banorëve, Maksim Haxhia, i cili ka paralajmëruar edhe një padi në gjykatë. Inspektorët e INUK, të cilët kanë zbarkuar prej ditësh në Vlorë kanë kërkuar dokumentet e pallatit. Godina e shumëpërfolur është e pajisur me leje ndërtimi dhe është regjistruar në hipotekë, por Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar pretendon se ka parregullsi në ndërtimin e parkingut. Sipas dokumenteve që MAPO ka siguruar nga avokati Haxhia, godina 1-4-5 kate+ 1 kat papafingo+ 1 kat nëntokë dyqane në Ujin e Ftohtë është pajisur me leje ndërtimi në mbledhjen e 17 gushtit 2010 nga KRRT-ja e Vlorës. Formulari A2 mban edhe firmën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika përkrah asaj të KRRT-së, ku specifikohen kriteret e ndërtimit. Në të njëjtën datë është firmosur edhe formulari 4, ku janë të përcaktuara edhe kushtet e ndërtimit dhe distancën që ky kompleks duhet të ruajë nga objektet e tjera. Burimet nga INUK pohojnë se nuk ka ende një vendim për prishjen e pallatit, çka pritet të merret pas shqyrtimit të dokumentacionit të plotë dhe kushteve të zbatimit të projektit. Por kryetari i këtij institucioni la të kuptohej se godina rrezikon shembjen, edhe pse është e pajisur me të gjitha lejet e nevojshme.  Kryetari i INUK, Zyhdi Dajti tha dje se kanë mbetur edhe 190 objekte për t’u prishur përgjatë vijës bregdetare në Vlorë, për t’i hapur rrugën projektit të shëtitores. Në listë sipas tij janë edhe objekte me leje, por që cenojnë urbanistikën. “Ky aksion nuk do të ndalet për asnjë arsye”,- tha dje Dajti nga Vlora, pa deklaruar më tej se ç’vendim do të merret për kompleksin “Jon” në ditët e ardhshme. Operacioni i INUK dhe i forcave të policisë, për të bllokuar godinën ka shkaktuar tension mes banorëve. Këta të fundit kanë kërkuar shpjegime mbi arsyet e këtij bllokimi, duke pohuar se ndërtimi është konform rregullave.  Banorët pohuan për mediat se i kanë blerë apartamentet me kredi dhe ky ndërtim disponon dokumentet dhe hipotekën. Vetë banorët që kanë blerë hyrje në pallatin e bllokuar ditën e djeshme nga policia kanë reaguar, duke thënë se nuk i ka njoftuar njeri për sekuestrimin e tij. Ata kërkojnë të hyjnë në banesat e tyre. “Nuk po hyjmë dot në banesat tona. Kemi fëmijët në shkollë. Nuk na ka njoftuar njeri më parë për sekuestron”, – ankohen ata. Përfaqësues të kompanisë së ndërtimit thanë dje se bllokimi i pallatit bëhet në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, prishja për interesa publike duhet të bëhet vetëm pas zhdëmtimit të pronarëve të pallatit.

 

Policia dhe Ushtria në aksionin e Vlorës

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka zbarkuar prej ditësh në Vlorë për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje. Të ndihmuar edhe nga forcat e policisë, ata janë stacionuar në zonën e bregdetit, ku kanë prishur ndërtime sezonale por edhe hotele e lokale. Paralelisht me këtë, inspektorët e INUK, forcat e policisë dhe të Ushtrisë po bëjnë pastrimin e zonës nga ndërtesat e rrëzuara. Fadromat janë ende tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Shembja e objekteve ka mbërritur deri në zonën pas “Rrapit”. Aksioni do të vazhdoje deri tek tuneli i “Ujit të Ftohtë”. Inspektorët e INUK, policia dhe ushtria janë angazhuar në pastrimin zonës, pas rrëzimit të objekteve. Vetë pronarët e tyre janë përfshirë në aksion, duke çmontuar që më parë investimet e tyre. Nuk dihet ende se di do të veprohet me investimet e pajisura me leje, por INUK ka shprehur vendosmërinë për të shembur çdo ndërtim poshtë rrugës, përgjatë vijës bregdetare Skelë-Uji i Ftohtë.

 

Haxhia: Aksioni cenon Kushtetutën, padi në gjykatë

Avokati i banorëve të kompleksit “Jon” në Vlorë tha dje se veprimi i INUK është arbitrar dhe i kundraligjshëm. Përmes një deklarate për mediat, Haxhia sqaroi se ishte kontaktuar nga një grup i shqetësuar banorësh, të cilët sipas tij, u gjendën të rrethuar nga policia dhe INUK pa asnjë paralajmërim. “Pasi shqyrtova dokumentacionin e banorëve dhe pronarit të truallit, rezulton se në mënyrë arbitrare, me metoda antiligjore, antihumane, forcat e policisë dhe INUK po shkelin Kushtetutën, Aktet Ndërkombëtare, Kodin tonë Civil, dhe çdo normë, duke mos lejuar qytetarët e vendit të gëzojnë të drejtën e tyre themelore, të drejtën e pronës”,- tha Haxhia. Ndërsa ka vënë në dispozicion 9 dokumentacionet që zotëron kjo godinë, që nga leja e ndërtimit e deri tek vërtetimet hipotekore, Haxhia e ka cilësuar aksionin e djeshëm një precedent të rrezikshëm për shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut. “Thuhet se kjo godinë është sekuestruar, por nuk ka asnjë vendim të argumentuar si nga institucionet, ashtu edhe nga gjykata. Veprimet e kryera për të rrethuar pallatin janë të pambështetura në ligj dhe ne kërkojmë të na vihet sa më parë në dispozicion vendimi për këtë veprim”,- tha Maksim Haxhia. Ai shtoi më tej se me të marrë një vendim të tillë do t’i drejtohet gjykatës për ta goditur atë. “U bëj thirrje autoriteteve të na vënë në dispozicion vendimin. Në të kundërt, që nesër (sot) do të bëjmë kallëzim penal për këtë ndërhyrje”,- tha Haxhia. Avokati bëri më tej thirrje për ndarjen e menjëhershme të këtij aksioni, pasi çështja do t’i kalojë gjykatës. “Do t’i drejtohem Gjykatës së Vlorës, i sigurt se në këtë vend ka ende garanci që do të pengojnë arbitraritetin dhe anti-ligjin”,- përfundoi avokati Haxhia.

2 Përgjigjet për "Bllokohet kompleksi “Jon” në Vlorë, zbardhen lejet e ndërtimit"

  1. ilir  04/11/2013 në 2:31 pm

    po ketyre vlonjateve mire tju behet se votuan per Ps tani le te shikojne se si do tju prishet shtepia.

  2. Theodor Drajzer  04/11/2013 në 5:56 pm

    precedentet si ku ndertim ketu qe thuhet se ka leje ndertimi dhe mund ta kete jane:
    mund te kesh leje ndertimi ketu ne amerike porse ne rast se ke dale jashte saj ndertimi prishet krejtesisht dhe ata qe kane dhene lejen se bashku me ata qe e kane zbatuar penalizohen. nje denim shembullor i jepet dhe avokatit mbrojtes per arsye se legjislacioni amerikan parashikon dy gjera te reja si rubrika krimin rrugor dhe penalizimin e atij qe quhet avokati i djallit.

Komentet janë mbyllur