Arrestimet tek Tatimet/ Skema, si përfituar miliona euro TVSH kompanitë fantazmë

Dy zyrtarë të lartë në Drejtorinë e Tatimeve Tiranë përfunduan në pranga, ndërsa pesë të tjerë, përfshi edhe ish-drejtorinbriseda-shehaj-drejtoresha-tatimeve-400x230 u shpallën në kërkim si të dyshuar për abuzim me detyrën. Policia njoftoi arrestimin e Afërdita Hysës, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë dhe ish-inspektorit të Procedurave të Rimbursimit, Tahir Kuka, të cilët në bashkëpunim me pesë zyrtarë të tjerë kanë rimbursuar TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) për 11 kompani me aktivitet fiktiv në shumën e 5 milionë eurove. Hetimet për këtë çështje u kryen nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, e cila brenda pak ditësh arriti të zbardhë skemën e mashtrimit me TVSH-në, ku të përfshirë janë shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe, të cilët rezultojnë pronarë të 11 kompanive që janë rimbursuar në shumën e 515 milionë e 455 mijë lekë të reja, pra rreth 5 milionë euro. Ministria e Financave, nëpërmjet një auditi të brendshëm evidentoi se 11 kompani në pronësi të dy personave ishin rimbursuar për TVSH-në brenda një periudhe shumë të shkurtër në masën e rreth 5 milionë eurove. Prokuroria thotë se zyrtarët e Tatimeve nuk kanë respektuar kriteret ligjore gjatë kontrolleve të ushtruara në kompanitë në fjalë dhe në kundërshtim me ligjin kanë propozuar dhe miratuar rimbursimin e TVSH-së, pasi dy pronarët e kompanive kishin kërkuar likuidimin dhe kërkonin t’u rimbursoheshin mallrat e mbetura stok. Por sipas prokurorisë, aktiviteti i këtyre kompanive ka qenë tërësisht fiktiv dhe i regjistruar vetëm në letra, pasi në asnjë rast nuk është vërejtur aktivitet real i tyre.

Skema e mashtrimit

Sipas hetimeve të prokurorisë rezulton se 33-vjeçari Mirjan Beneja dhe bashkëpunëtori i tij, Gjergji Tupe kanë mundur të sigurojnë disa prokura të falsifikuara nga disa shtetas kinezë, të cilët i autorizonin ata të kryenin çdo veprim të mundshëm me kompanitë. Bizneset, kryesisht me emra kinezë ishin regjistruar në Shqipëri përgjatë vitit 2004 dhe pronarët e tyre ishin shtetas kinezë, që autorizonin dy shqiptarët tashmë të shpallur në kërkim për kryerjen e veprimeve të nevojshme për llogari të kompanive. Zyrtarisht, të gjitha këto kompani kishin si aktivitet kryesisht import-eksportin e mallrave të ndryshme, lodrave dhe veshje fëmijësh dhe ishin regjistruar si biznese të mëdha. Përgjatë vitit 2007, shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe sigurojnë prokurat që sipas prokurorisë janë të falsifikuara dhe nisin një operacion shit-blerjesh kompanish mes tyre. Nga 11 kompanitë me veprimtari fiktive rezulton se 6 prej tyre janë blerë nga shtetasi Mirjan Beneja dhe pesë nga shtetasi Gjergji Tupe. Të gjitha kontratat e shitjes së kompanive janë realizuar pranë një notereje në qytetin e Korçës, ku dy personat paraqiteshin herë si shitës e herë si blerës të kompanive. Veprimet kontraktore janë kryer përgjatë muajit korrik 2013 dhe pas nënshkrimit të kontratave, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe janë bërë pronarë të ligjshëm të 11 kompanive, të cilat janë regjistruar në QKR.

Likuidimi i kompanive

Pasi përfundojnë procedurat e regjistrimit të kompanive në emër të tyre, shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe përgjatë muajit gusht 2013 i drejtohen me disa kërkesa Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë për të kërkuar shpalljen e likuidimit të 11 kompanive. Për realizimin e këtij procesi, Drejtoria e Tatimeve ka caktuar inspektorët e Kontrollit, Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia, të cilët duhet të kryenin verifikimin për gjithë dokumentacionin që dispononin kompanitë. Kjo edhe për faktin se përveç likuidimit të 11 kompanive me qëllim çregjistrimin e tyre në QKR, pronarët e tyre të rinj, shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe kishin kërkuar rimbursimin e TVSH-së që prej vitit 2008, pasi përgjatë periudhës 2004-2008 nuk ekzistonte dokumentacioni i nevojshëm. Kontrollet e kompanive kanë filluar përgjatë pjesës së dytë të muajit gusht, por inspektorët e kontrollit: Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia, sipas prokurorisë kanë kryer një sërë abuzimesh me detyrën. “Në të gjitha kontrollet e subjekteve të kryera nga ana e inspektorëve të Kontrollit: Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia nuk janë kryer detyrat e përcaktuara në programet e kontrollit të subjekteve që kanë të bëjnë me tërheqjen e inventarëve fizikë të fundit të kryer të mallrave dhe materialeve, aktin e fundit të kontrollit, inventarin fizik të mallrave dhe materialeve në momentin e kontrollit”, – thotë prokuroria.

 

Prokuroria: Ku implikohen zyrtarët e Tatimeve

Auditi i brendshëm, i kryer me urdhër të ministrit të Financave ka arritur në përfundimin se shtatë zyrtarë të tatimeve janë përfshirë në skemën e mashtrimit me rimbusimin e TVSH-së, pasi nuk kanë kryer siç duhet detyrën. Zinxhiri i abuzimeve sipas prokurorisë ka nisur nga kontrolli që tre inspektorët kanë ushtruar pranë 11 kompanive, e deri tek drejtori i Drejtorisë Rajonale te Tatimeve Tiranë, Ismail Muça, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim si i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Prokuroria thotë se tre inspektorët e caktuar për të ushtruar kontrolle në 11 kompani ndër të tjera nuk kanë marrë në konsideratë ndërtimin e bilaceve sipas inventarizimeve të kryera dhe në mënyrë të veçantë treguesit financiar për kryerjen e analizave të mëtejshme të TVSH-së. “Inspektorët e Kontrollit nuk kanë evidentuar blerjet sipas pjesëmarrjes në aktivitet (mallra për shitje, material dhe lëndë e parë për prodhim apo investime apo ndertime). Po kështu për TVSH-në në shitje nuk janë realizuar detyrat për realzimin e lidhjeve fature – libër – FDP si dhe evidentimi i shitjeve sipas natyres, tregeti, prodhim, shërbim, gjendje malli apo materiale, investime, reference, mos aplikim i çmimeve të tregut etj”- thotë prokuroria. Por pavarësisht mangësisë në ushtrimin e detyrës, inspektorët kanë paraiqitur raportet e tyre për rimbursimin e TVSH-së për 11 kompani, të cilat ju janë përcjellë më pas eprorëve të tyre në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë. Prokuroria thotë se kontrollet e inspektorëve të tatimeve janë kryer për periudhën 1 korrik 2008 – 31 korrik 2013, kohë për të cilën është bërë edhe rimbursimi i TVSH-së në vlerën e rreth 5 milion eurove. Por pavarësisht se është konstatuar se përgjatë kësaj periudhe, kompanitë nuk kanë patur asnjë aktivitet, inspektorët e Tatimeve e kanë miratuar rimbursimin e TVSH-së, edhe pse pjesa e aktivitetit i përkiste periudhës përpara vitit 2008. Ky fakt është pranuar nga inspektorët, të cilët kanë bërë miratimin e TVSH-së së mbartur përpara vitit 2008, edhe pse për këtë periudhë nuk ka patur asnjë lloj dokumentacioni që mund t’i nënështrohej kontrollit. “Pavarësisht se është konstatuar se nuk  mund të ushtrohej kontroll dhe nuk ka qenë e mundur kryerja e detyrave për kontrollin e TVSH-se, për shkak se kjo TVSH ishte e mbartur përpara vitit 2008 dhe nuk ka patur asnjë lloj dokumentacioni për një kontroll të tillë, nga ana e inspektorëve është bërë miratimi i TVSH-së në shumën që është kërkuar nga ana e përfaqesuesve të subjekteve dhe këto raporte kontrolli kanë kaluar për miratim”- thuhuet në dosjen e prokurorisë.

Ish-kreu i Tatimeve në kërkim firmosi i fundit

Raportet e kontrollit, të përpiluara nga tre inspektorët të cilët miratonin kërkesën e përfaqësuesve të 11 kompanive për rimbursimin e TVSH-së u janë përcjellë eprorëve të tyre në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë. Sipas prokurorisë, fillimisht këto raporte janë miratuar nga Përgjegjësi i Kontrollit, shtetasi Laurent Vata, i cili raportet i ka përcjellë tek drejtoresha e Kontrollit, Afërdita Hysa. Hallka e fundit e procesit ishte drejtori i Drejtorisë Rajonale, Ismail Muça i cili ka miratuar kërkesën për rimbursimin e TVSH-së, sipas prokurorisë në kundërshtim me ligjin. “Drejtori i Drejtorisë Rajonale, Ismail Muça ka  miratuar kërkesën e rimbursimit të TVSH-së në kundërshtim të plotë me ligjin e TVSH-së dhe duke shkaktuar një dëm financiar prej  515 milionë 455 mijë e 275 lekë të reja”- thotë prokuroria. Procedurat e rimbursimit të TVSH-së për 11 subjektet në pronësi të shtetasve Mirjan Beneja Gjergji Tupe, sipas prokurorisë është realizuar nga i dyshuari Tahir Kuka, i cili ka bërë edhe sitemimin e detyrimeve në sitemin e Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. “Më pas me urdhërat e rimbursimit të Drejtorit të Drejtorise Rajonale, Ismail Muça është urdhëruar rimbursimi i subjekteve”- thotë prokuroria.

 

 Të arrestuar:

Afërdita Hysa, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë

Tahir Kuka, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve

Në kërkim:

Ismail Muça, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë

Lauren Vata, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë

Edmond Osmani, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë  

Gramos Milushi, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë

Kujtim Metaliaj, ish-Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Mirjan Beneja, pronari i 6 kompanive për të cilat është rimbursuar TVSH-ja

Gjergji Tupe, pronar i 5 kompanive për të cilat është rimbursuar TVSH-ja

 

Kompanitë e rimbursuara

Sheng- Da Ana – 40.000.000 lekë

Tai– Ping-Yong – 60.000.000 lekë

Tirana HQ Import Eksport – 61.500.000 lekë

Be-Ni-Sa – 40.600.000 lekë

Asterix – 40.911.200 lekë

Ventura – 42.000.000 lekë

Nam Këong – 41.634.350 lekë

Tong Da Horizonti – 30.170.000 lekë

Lumturia – 43.650.000 leke

F & M  Import Eksport – 58.053.200 lekë

Hong De – 41.890.000 lekë

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Arrestimet tek Tatimet/ Skema, si përfituar miliona euro TVSH kompanitë fantazmë"

  1. patrioti  08/11/2013 at 1:04 pm

    SHTETI JA KA KINEZIT LEKET
    TATIMORET JA DHANE
    NUK KA SHKELJE LIGJI
    SHIKO SI DEVIJOJ AKUZA
    NE FILLIM VJAEDHJE TANI SHPERDORIM DETYRE
    HAAAAA
    KETA TE DY BIZNESEMNET JU LUMT QE JUA MORREN LEKET KINEZEVE
    PASI SHUME FIRMA KINEZE KAN DERGUAR GURE NE VENED TE LETRES
    ATLETE TE SKADUARA
    UJE NE VEND TE VAJIT
    ETJ ETJ QE JANE NE KURRIZ TE BIZNESIT
    FIRMAT KANE IKUR
    SHTETI JU KA BORXH
    JA MOREN KUR DORZUAN PUSHTETIN
    PO KESHTU EDHE NE BIZNESEVE TE TJERA TE NA JAPI RIMBURSIMIN E TV SH
    KOMUNISTAT TERRORISTAT QE PROPOGANDOJNE
    DHE DEMAGOGJI
    NGA MENGJEZI NE DAREKE
    DHE DEL MINISTRII POLICISE QE I KAP KETO SHKELJE
    HAJDE TRAPELLEQE HAJDE

You must be logged in to post a comment Login