Oficerët e liruar nga Tahiri, ankesë në Sindikatë

policia1-320x197Tiranë Një grup oficerësh të liruar apo të nxjerrë në dispozicion ankohen në Sindikatën e Policisë së Shtetit, duke pretenduar se masat ndaj tyre janë të paligjshme. Ndër të shkarkuarit që janë ankuar kanë mbajtur pozicionet e zv.drejtorëve në Elbasan, Berat e Shkodër dhe detyra të tjera drejtuese në qarqet e tjera. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, që tha se prej javësh ka marrë ankesa nga oficerë të Policisë së Shtetit, të cilët janë nxjerrë në reformë që prej fillimit të muajit tetor e në vazhdim. Numri i tyre, sipas Fishtës është në rritje, ndërsa shumë prej oficerëve iu është komunikuar se janë shkurtuar vendet organike të punës. Lirimet nisën në javën e parë të tetorit, kur ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj firmosi i pari largimet e punonjësve nga struktura që ai vetë kishte krijuar dhe bashkëpunuar në 5 vite të shkuara. Në ankesën e tij për sindikatën, Erzen Breçani thotë se largimi i tij ka qenë i pamotivuar dhe se do të ankimojë këto veprime në Gjykatën Administrative. Një veprim të tillë, kryesindikalisti Fishta ua ka këshilluar edhe të tjerëve, nëse atyre iu është kthyer përgjigje që nuk mund të rifillojnë punë në Policinë e Shtetit. Fishta tha se lirimet nuk janë të argumentuara, pasi nuk ka vendim qeverie që shkurton numrin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që aktualisht janë afërsisht 9800 . “Ka një riorganizim strukturor, ndryshojnë disa funksione, efektivët i hiqen një strukture dhe i kalojnë një tjetre, por nuk ka shkurtim në numrin e përgjithshëm. “Kur i shkurtohet funksioni një oficeri, atij i ofrohet një vend tjetër që mund të jetë i lirë me këtë gradë, ose një me gradë më të ulët kur nuk ka. Pastaj shkurtohen oficerët që kanë gradën më të ulët dhe që kanë më pak kohë pune në polici”,- shtoi Fishta. Ai sqaroi se iu është kërkuar titullarëve lista e vendeve që janë shkurtuar dhe e numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë që janë shkurtuar.

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur