Ben Blushi, çfarë fenomeni është në letërsinë shqipe pas viteve ’90

behar gjoka1Ishte një promovim ndryshe ai i zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, i librit “Fenomeni letrar Ben Blushi”, me autor studiuesin, Behar Gjoka. I organizuar në formën e një debati mbi librin, studentë, pedagogë dhe shkrimtarë të ftuar sollën mendime dhe shtruan pyetje për atë që tashmë është fakt; Blushi, fenomen në letërsinë shqipe të pas viteve ‘90. Pikërisht kjo qasje ndaj letërsisë së shkrimtarit-politikan e shtyn studiuesin Behar Gjoka të ulet e të qëmtojë gjatë mbi tre librat e tij; “Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”. “Ky është libri i 11-të, por ndryshe nga librat e tjerë studimorë, pasi është ese. Vetë autori është në proces të hapur, që do të thotë se ka dhënë disa sprova që shënon një fenomen letrar të mëvetësishëm në kuptimin e kësaj atmosfere që kemi. Ndalem për disa arsye në veprën e Blushit. Së pari se, nëse do i thuash dikujt kush është Kadare e kanë gati përgjigjen, për Camajn disa e njohin, disa jo. Për Blushin do të thonë që është politikani që i kundërvihet Ramës etj. Por le të shohim pjesën e letërsisë, sepse mendoj se letërsia shqipe vazhdon të jetë në dritë dhe në hije, e afirmuar dhe në afirmim e sipër, e promovuar, e çmuar, por e lënë diku në harresë. Së dyti, Blushi me romanet e tij provokojnë si askush në këto 20 vite. Pjesë e provokimit kam qenë edhe unë, ku në kundër-librin më kishin vendosur tek autorët kundra, nuk e di si mund të jetë lexuesi kundra. Lexuesi është lexues! Së treti, Blushi luan me fjalën si pakkush nga shkrimtarët e pas ‘90. Nuk jam këtu për të shpërndarë dafina apo stimuj, por për të dhënë ide personale që kemi të bëjmë me një autor, që unë shoh shanse promovuese e ligjëruese të romanit edhe më tej, duke pasur optikën që gjëra thelbësore i thotë me të qeshur, që ngjarje tronditëse dhe vënia në dyshim të shumë figurave në kuptimin letrar është për t’u vlerësuar. Debati apo kundërvënia do të ishte pjesë e plotësimit të idesë sime se kemi të bëjmë me një autor që e ka vëmendjen, po duhet parë si vlerë që na ndihmon të kuptojmë se ç’ka ndodhur me letërsinë shqipe pas ’90-ës, çka ka ndodhur me frazën, me modelimin etj. Letërsia është e vetmja dritare ku jemi thellësisht të barabartë dhe vetëm si të barabartë mund të bisedojmë”, – thotë autori i librit “Fenomeni Blushi”, studiuesi Behar Gjoka.

“Fenomeni Blushi”, ringjallje e kritikës së munguar letrare

 U zgjodh një formë jokonvencionale e promovimit të një libri, për disa arsye sipas Henri Çilit.   “E para, që të mos bënim thjesht një ceremoni ku të flitej dy minuta e thuheshin dy fjalë, të trokitej një gotë verë, por të bënim një diskutim kolegësh dhe klubin studentor të librit mbi një libër shumë  të veçantë. Pa iniciativën tonë, Behar Gjoka e ka shkruar këtë libër në kuadër të interesave të tij kulturorë ose kuriozitetit të tij kulturor, i cili lidhet me analizën e romaneve të një autori që MAPO e ka botuar dhe investuar, romancierit Ben Blushi. Libri titullohet ‘Fenomeni letrar Blushi’ dhe është një korpus kritik mbi të tria veprat e Ben Blushit”. Çili e sheh këtë botim si një investim në kritikën letrare, që konsiderohet diçka e pambështetur, e papërkrahur, një investim apo kapriço intelektuale. “Dhe ky libër i Behar Gjokës është një shtysë për ngritjen e një rrjeti kritikësh të librit në Shqipëri.”

Dhe diskutimi mbi Fenomenin letrar Blushi nis këtu….

 Primo Shllaku: Kritiku i vetmuar dhe libri si e keqja e madhePrimo Shllaku

 Të gjithë ata që jetojnë me gazetat, me shkrimet, me eventet letrare, duhet ta kenë marrë vesh më në fund se Behar Gjoka po profilohet më në fund si kritik. E keqja më e madhe është se po profilohet si kritik i vetmuar dhe ky libër, dhe e keqja më e madhe është se po zhvillohet dhe po jeton pa rivalë, çka i ka të gjitha premisat e ngadalshme që të na shfaqet më vonë edhe si përbindësh. Të paktën kështu mendojnë ata që heshtin. Kemi një situatë kulturore kritike, një diskurs që mund të ndërpresë në mënyrë të dhunshme me anë të heshtjes meisis establishmentit zyrtar që duhet të qeveriste kritikën dhe kritikëve që dalin prej trungut të letërsisë. Kritika zyrtare e inercisë zyrtare nuk merret me shumë punë, por me ngritjen lart të atyre që kanë pru deri në tavan dhe është e rrezikshme sepse ata mund t’u thyejnë qafën atyre që kanë çuar në tavan, se s’kanë ku shkojnë më lart dhe e gjithë risia e letërsisë shqiptare në demokraci, e cila nuk është e vogël dhe jo pak interesante apo pak eksplozive apo e diskutueshme, mbetet për diçka që duhet heshtur dhe heshtja përdoret si varrmihës, por ka dalë ky burrë i cili, jo pa kosto personale ka krijuar solizmin e vet atje në një qoshe, kjo nuk mjafton. Një vend në ringjallje, në rilindje me apo pa thonjëza ka nevojë për një shumësi hapësirash dhe diskursesh të cilat nuk duhet të jenë absolutisht asnjëherë dakord me njëri-tjetrin. Nuk duhet të kërkojmë dakordësi, por diversitet me njëri-tjetrin si virtyti më i rëndësishëm i një epoke demokracie, e cila mundet me ardhë. Këtu s’ka ardhë akoma. Dhe do vijë nëse e sjellim me diskurse.

Fjala fenomen është dhe një mbingarkesë dhe një domethënie tjetër plus që do të thotë: ‘Ai është më i miri, ai është më i rëndësishmi’. Dukuria, fenomeni është ajo që ndodh dhe nuk i ngjet brenda kopshtit vet të tjerëve. Veçantia më madhe e Blushit për mendimin tim, është kjo: Ai është i pritshëm brenda ambientit, i ati shkrimtar e gazetar dhe nga gjyshi ka gjetur një bibliotekë me shumë humus për të rritur një pinjoll të ri, dhe ajo që përbën risi dhe ka shumë rëndësi është se origjina e tij është pjesë e establishmentit zyrtar. E reja po vjen nga brenda establishmentit dhe këtu ka mundësi që ne të fillojmë e të presim risi. Ne që shkruajmë në kohën e demokracisë e ndjejmë veten më të huaj sot sesa dikur, kur i fshihnim me idenë se do të vinte demokracia. Dua ta përgëzoj mikun tim për luftën e tij soliste dhe për faktin se ka vendosur t’i japë zërin e vet kundërshtimit dhe të gjitha qendrat akademike që paguhen nga ne për ta sjellë këtë ndryshim jo vetëm që nuk e sjellin, por nuk duan ta sjellin dhe me siguri kanë shumë arsye që nuk duan ta sjellin.

Viktor Cenosinaj: Steka e narracionit në letërsinë shqipebehar gjoka

 Fjala është baza e letërsisë. Kjo te romanet e Blushit jep dorë për interpretim. Për mendimin tim, që askush nuk e tha, është narracioni. Steka e narracionit të letërsisë shqiptare sidomos me këtë autor dhe me veprën “Të jetosh në ishull” që pëlqej më shumë, dekonspirohet që në titull me veprën “Shqipëria”, në kontekstin e dytë. Steka e narracionit në letërsinë shqiptare me këtë autor  është ngritur mbi nivelet e para-rënies së Murit të Berlinit, sepse nuk dimë si t’i ndajmë epokat. Dhe ky është suksesi i tij më i madh. Këtu pamë shumë lëvdata, ato qëndrojnë të gjitha sepse çdo lexim është i veçantë, megjithatë jam i mendimit që t’i thuheshin edhe disa vërejtje. Më bën çudi se në veprat e tij të gjithë personazhet flasin si docentë, edhe një fshatar. Një shkrimtar profesionist nuk duhet t’ia lejojë vetes. E folura e personazheve është vetë fjala. Mendoj që pati një ngutje për t’i botuar shpejt njëri pas tjetrit. E kanë të gjithë autorët e rinj. Edhe struktura romaneske ndihet pak te “Të  jetosh në ishull”. Për mua, më i realizuari është “Otello”. Është një roman që nuk është kuptuar. Masa më e madhe e lexuesve nuk e kanë kuptuar. Po të kishte pas mbështetje, të përkthehej dhe të hidhej në tregun europian do të kishte pasur sukses. Ky njeri spikati sepse është nga të paktët autorë që shkruan në diksion të pastër. Letërsia jonë vuan nga një sëmundje foshnjore, nuk ngrihet dot në nivelin e diksionit, ngelet te reportazhi, kujtimet, dokumentet etj. Të ngrihesh në nivelin e diksionit nuk është e lehtë dhe ky autor që në veprën e  parë arriti të ngrihet në nivelin e diksionit dhe për shkak të asaj që studiuesit e quajnë realizëm naiv, që spikat te lexuesit e pakultivuar që merren me ngjarjen apo biografizmin naiv, që merren me privatësinë dhe aktivitetin e shkrimtarit, vepra u keqkuptua. Vepra e Beharit është për të vënë ca pika mbi ‘I’ për këtë autor që ka një kontribut për t’u pranuar. Qarqet letrare dihet që vuajnë nga ligësitë, xhelozitë dhe smirat, por duhet të jesh aq i madh sa ta pranosh suksesin e kolegut.

Gilman Bakalli: A përbën fenomen Blushi dhe a përbën fenomen atipik?

 Pyetja e parë që ngrihet është: A përbën fenomen Blushi dhe a përbën fenomen atipik? Kemi shkrimtarë që i hyjnë politikës dhe lënë zejen e krijimtarisë, apo politikanë që kur lënë karrierën shkruajnë libra, por nuk kemi pasur deri më sot një politikan që gjatë periudhës kulmore të aktivit politik të arrijë një lloj kulmi edhe në ngjalljen e debatit me veprën letrare. Pse Blushi përbën një fenomen atipik. Rrallë di shkrimtar pas viteve ’90 që të ketë ngjallur debate aq të shumta në receptimin e librit. Të paktë janë gazetarët që nuk kanë shkruar për librat e Blushit. Një kriter tjetër mbi bazën e të cilit e konsideroj fenomen atipik është se të gjithë politikanë kanë marrë përsipër rishkrimin e historisë. Ben Blushi politikan merr përsipër diçka tjetër, demistifikimin e historisë, sigurisht si interpretim i saj. Nuk e kam hasur në shkrimtar tjetër dëshirën për ta dekonstruktuar atë kohë boshe të shqiptarëve për ta receptuar historinë e vendit vet. Blushi duket se e ka mision demistifikimin e historisë. Është lojcak, po të ishte kaq lojtar në politikë nuk e dimë ku do të ishte Blushi sot. Është i jashtëzakonshëm me fjalën.

Erion Kristo:Libri ka provokuar kritikë më shumë se ç’ka provokuar Blushi në letërsi

 Behari ka qenë më me pak fat sesa Blushi, sepse Behari ka provokuar në kritikë shumë herë më tepër se ç’ka provokuar Blushi në letërsi. Blushin e ka ndihmuar fakti që ka qenë në politikë, personazh i njohur, ndërsa Behari në krijimtarinë e tij ka një trajektore të qartë kundër paragjykimit letrar. Është nga ata të paktë që ka ngarë shumë teza aksiomatike që nuk janë bërë pjesë e kulturës së kritikës letrare. Është më shumë ishulli i Beharit sesa ishulli i Blushit. Ai ka tezë shumë interesante që letërsia nuk votohet. Është më i ftohtë sesa kirurgu.

2 Përgjigjet për "Ben Blushi, çfarë fenomeni është në letërsinë shqipe pas viteve ’90"

  1. Lamtumire Kadare...  21/12/2013 në 8:59 pm

    Prej kohesh,
    vezhgohej: cili do ta rivalizonte Ismail Kadarene?!
    Si njeri politik, si qendrim ndaj historise, si shkrimtar dhe etiken ndaj kolegeve e bashkekohesve?

    Ata te Epokes…, Ismail Kadare i mposhti pa nje pa dy: i kishte te gjitha qe ata s’kishin. Te gjallet e asaj kohe pesuan fatin e te vdekurve perpara se te bente kolltuk komunizmi dhe ata qe mbeten bene harikiri ne gjirin e revolucionit…
    Te mepasmit, e pesuan si tere shqiptaret qe besuan tek pluralizmi: Edhe tranzicionin do ta bejme NE!

    U shfaq, apo u promovua, dite pas dite, nje Ben Blush qe vetem ai mund ta perballe Ise Kadarene ashtu sic u ngrit edhe ay!

    Behar Gjoka e di fatin e kritikeve qe promovuan Kadarene, shpresojme qe Blushi te kete parasysh se si duhet te fitoj me Ismail Kadarene. Si shkrimtar.

    Blend Fevziu, e ka ftuar me shume nga tere sezonalet Ismail Kadarene, por asnjehere nuk kane folur per Letersine.

  2. Anton  22/12/2013 në 10:35 pm

    Primo ka nuhatjen dhe eksperiencen e nevojshme te ndjeje, madje te perkufizoj rrezikun qe i eshte kanosur perhere letersise shqipe, pranine asfiksuese te estabilshment. Cka do te thote se parametrat e suksesit jane klishe, dicka e paravendosur.
    Ben Blushi shkelqeu lehtesisht mbi mediokritetin e gazetarise shqiptare. Ai shkruante lehtesisht, kendeshem dhe arriti te jete interesant, por jo me shume se linear. Si gazetar radioje ai kurre nuk arriti te beje nje interviste. Nje dembel qe kurre nuk mundi ti shpervjele menget. Karriera politike eshte disi si nje shtojce e vockel ne faqen gazetareske.
    Me duket se po kaq lehtesisht ai shkruan letersi. Mesa duket do te provoje te kunderten e asaj qw letersia e mire del me zor, ma zor se veza prej pules, apo femija prej nenes.
    Ndoshta z. Behar, do te gjeje kohe te reflektoje mbi fjalen femomen. Fundja edhe ne shkencat ekzakte ekspertet nuk e perdorin ate si mjet dekori, apo xhingel ne pemen e vitit te ri. Ne nje materie subjektive si letersia ndoshta do te duhej shume me teper kohe.

Komentet janë mbyllur