Bajraktari, i dënuar me 7 vjet burg në Shqipëri

Kreu i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, tha dje se për llogari të Vasil Bajraktarit ishin sekuestruar veç hotelit luksoz në rrugën “Gjin Bue Shpata” edhe disa apartamente në zonën e ish-Bllokut. Vasil Bajraktari është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë me 7 vjet burg për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Për këtë vepër penale, Gjykata e Apelit Torino – Itali e ka dënuar me 8 vjet burgim. Ai mësohet se është arrestuar në muajin shkurt, pikërisht për këtë dënim. Sipas burimeve të policisë, Bajraktari është dënuar për shfrytëzimin e disa femrave në Itali, duke u shpallur fajtor në këtë vend e më pas dosja është transferuar në Tiranë. Paratë e fituara nga ky aktivitet mësohet se janë investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri, ndër to hoteli në kryeqytet dhe disa apartamente e troje në emër të tij apo të të afërmve. Kreu i Policisë së Tiranës tha po kryhen hetime për identifikimin e pasurive të tjera dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, ndër të cilët edhe familjarë apo të afërm të tyre.

 

Komentet janë mbyllur