Dino Asanaj, Djali i Amerikës

Madeleine Albright e quante me simpati Dino De Niro. Njeriu që verën e kallur të 1999 na dha shpresë, na ndezi zemrat me skenën e djemve të gjatë shqiptarë që niseshin nga Amerika drejt luftës në Kosovë.

Ndoshta ishte momenti më shpresëdhënës i luftës me Serbinë. Ishim të ngulitur para televizionit me familjen time, të cilët ishin bërë refugjatë në pranverën e 1999-ës, pas katrahurës së trenave drejt Bllacës. Erdhëm në Norvegji dhe me javë të tëra ekzistenca jonë dhe qindra mijëra të tjerëve të shkapërderdhur nëpër botë, si hebrejtë pas Eksodusit, ishte e reduktuar në përcjelljen e lajmeve. Konferencave të shtypit të Jamie Sheas. Lajmet e mira nga lufta ishin të pakta, lajmet e tmerrshme veç sa shtoheshin.

Por momenti kur djemtë e burrat shqiptarë, me uniforma të reja dhe të gjatë si malësorë, defiluan në Amerikë para se të niseshin për në luftë në Kosovë, ishte momenti i kthimit përfundimtar të shpresës. ‘Mbaju nëno, mos kij frikë se ke djemtë në Amerikë!’. Kanalet botërore raportonin që lufta në Kosovë nuk është veç e Kosovës, por e tanë shqiptarëve kudo që janë. Helikopterët televizivë e përcillnin brigadën ndërsa neve, kudo që ishim, zemra na u bë mal. Ngazëllimi dhe lotët në sy me të parë të skenave në CNN ishte momenti kur e dije që lufta do të mbarojë dhe ne do të fitonim. Nëse në tokë të ShBA-ve një qeveri lë aq hapur krijimin e formacioneve dhe dërgimin e armëve, kjo do të thoshte se kjo ushtri ishte edhe ushtri e Amerikës. Këta ushtarë ishin edhe amerikanë.

Pas lufte e kemi kuptuar se ishte një burrë pejan, me zë të trashë por zemër të madhe, që qëndroi prapa krijimit dhe programit të luftës shqiptare në Amerikë. Për shkak të theksit njujorkez, sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, e thërriste me nofkën Dino De Niro. Emrin e kishte Dino Asanaj. Punëtor i madh, që krejt pasurinë e derdhi për çlirimin e Kosovës. Ama, bash krejt pasurinë, aq sa pas lufte, iu desh që t’ia niste jetës nga zeroja. Darkonte senatorët dhe kongresistët me vite të tëra. Mblidhte fonde për gara kongresmenësh e ato presidenciale, ashtu që politikanë pro-Kosovës të fitonin fuqinë politike. Gjente miq dhe dashamirë të çështjes shqiptare. Edukonte parinë shqiptare me referencat politike dhe kulturore amerikane. U bë, me forcën e personalitetit të vet dhe me zemrën e gëzuar që kishte, një nga urat lidhëse në mes ShBA-së dhe Kosovës. Pa dyshim, ishte ndër personat më të rëndësishëm të luftës çlirimtare.

Mu kjo kolona e ushtarëve faqebardhë shqiptaro-amerikanë më ra në mend tek shihja kortezhin e Gardës Kombëtare duke bartë trupin e pajetë të Dinos në pushimoren e tij të fundit, në pjesën e vjetër të varrezave të Prishtinës. Më ra në mend se sa shumë e kam dashtë edhe nënën edhe babin edhe vëllanë dhe sa shumë jemi përqafuar kur e kemi parë Brigadën ‘Abraham Lincoln’ të shqiptarëve të Amerikës, kur me sy e pamë se në tmerrin e verës së kallur të 1999, se me të vërtetë nuk kemi nevojë të kemi frikë se i kemi pasur gjithmonë djemtë në Amerikë.

Dino i pasluftës, në dreka e darka, deka e darsma, mbeti urë lidhëse në mes të njerëzve. Zëri i tij i trashë e i ngrohtë kumbonte në cilëndo tavolinë. Solli investitorë të njëmendët, përdori lidhjet e kahmotshme në State Department, bëri çmos që rrëfimi i Amerikës të bartet në Kosovën e lirë. Që gjithkush që ka ëndërr dhe ka dëshirë të punojë, të ketë mundësi ta kërkojë lumturinë në tokën e Kosovës.

Por Kosova nuk u bë Amerikë. Dashuria e ka çuar larg projektin amerikan, projektin e vendit ku nuk është me rëndësi emri që ke, apo lëkura që ke, por liria që askush s’guxon ta cenojë. Në Kosovë projekti amerikan do të dështojë, sepse thjesht dashuria në mes njerëzve nuk është fanari që udhëheq politikën tonë.

Policia do ta thotë të vetën, por Dino i ndjerë nuk e meritoi fundin që e gjeti. Nuk meritoi linçimin publik. Nuk meritoi mungesën e dashurisë dhe njerëzisë.

Dino De Niro në banesën e vet në Nju-Jork ka pasur në të gjitha muret, në të gjitha skutat, fotot e familjes dhe miqve. Atyre do t’ju mungojë. Do t’i mungojë evladit të vet. Por do të gënjej nëse them se shoqëria jonë do të qesë ndonjë mësim nga humbja.

Për atë momentin e dashurisë dhe shpresës gjatë verës së kallur të 1999-s, Dino i dashur, të falënderoj!

 

2 Përgjigjet për "Dino Asanaj, Djali i Amerikës"

  1. Sokol  17/06/2012 në 11:45 am

    Eshte e frikeshme te analizosh fjalet e sinqerta te poshtecituara nga shkrimi i Zv. Ministrit te Jashtem te Kosoves: “Kosovë projekti amerikan do të dështojë, sepse thjesht dashuria në mes njerëzve nuk është fanari që udhëheq politikën tonë.”
    Dino ka qene shume me shume se cfare shkruan me shume respekt e adhurim idealist z. Selimi.
    Pyetja eshte, pse qeveria e Thacit hesht, shpif, dhe hedh balte mbi njeriun qe e deshi Kosoven me aq perkushtim. Si eshte e mundur qe nje njeri te godase veten me thike njembedhjete here? Vetem ne Kosove e Shqiperi ndodh kjo. Vetem nder shqiptare.

  2. Male osdrimi  17/06/2012 në 3:06 pm

    Si mund te quhet nje popull qe pergojon inteligjencen e vet ?
    Si mund te sillesh me nje popull qe vesin e quan virtut e kete te fundit ves ?
    Si mund te komunikosh me nje popull qe mirenjohjen e quan turp ?
    Si mund te respektosh nje popull qe apostujt e vet i perbalt ?
    I qofte I lehte dheu njeriut te mencur e fisnik. Dino Asanaj.

Komentet janë mbyllur