Elektoralizmi i Kryeministrit

Lexova me vëmendje intervistën e deputetit demokrat Mark Marku. Brenda respektit për integritetin e personit dhe të mendimeve të tij, të cilin e perceptoj pro një PD-je edhe më të fortë, edhe më elektorale, edhe më demokratike, ngritën krye disa perceptime të tjera, të kahershme dhe më të reja në llojin e tyre. Këto perceptime lidhen me liderin absolut të kësaj partie, Sali Berishën.

Tashmë, Doktori dhe Partia Demokratike, janë një lidhje e pandashme. E tipit, si mishi me kockën. Dhe kocka apo ashti, apo kollona vertebrale e kësaj partie, duam s’duam, është ai, Sali Berisha. Duket emfatike po është realiste dhe konstatim i drejtpërdrejtë.

Sepse kush u shkëput prej tij, u shkëput në fakt nga partia, që mbeti gjithmonë rreth tij. Aq sa mbeti, aq sa qëndroi. Gjithmonë e ‘rrezikshme’ dhe gjithmonë parti e madhe dhe me peshë.Kushe braktisi Berishën, në vitin e zymtë ’97, në fakt braktisi Partinë Demokratike.Kushu kthye te Sali Berisha, u kthye edhe te Partia Demokratike. Pati shumë prova dhe sprova për të vërtetuar të kundërtën. Që ai dhe partia, janë dy entitete të ndryshme dhe të ndashme.

Pati shumë përpjekje, të respektueshme ose jo, ballore apo tinzare, për të ndarë Berishën nga Partia Demokratike dhe Partinë Demokratike nga Sali Berisha. Mirëpo asnjëra prej tyre nuk funksionoi. Asnjëherë dhe për asnjë çast të vetëm.

Nuk mund të themi nëse ishte apo është mirë apo keq, që ishte apo është kështu. Fakti historik mbi 20 vjeçar dhe i papërgënjeshtrueshëm, është kokëfortë. Me të mirat dhe me të këqijat e veta, me triumfet apo disfatat, me rrokje lartësish apo rrokullisje, me Pushtet apo Opozitë, me konflikt apo paqe, duhet pohuar se kjo Parti Demokratike që njohim sot, pa Sali Berishën, ashtu si ishte dhe ashtu si është, pa virtuozizmat apo defektet e tij, pa Sali Berishën pra, nuk mund të ekzistojë.

Është pra një rast unikal, që kapiteni është edhe konstruktor, edhe bashkëjetues i pandashëm i anijes që e mbart në fitore apo në humbje, në detra të qetë apo në vorbullnaja, në porte ekzotike apo rrugëhumbur në stuhira.

Në këtë këndvështrim, ku preferoj të jem vëzhgues dhe si gazetar kam qenë realisht një vëzhgues 20 vjeçar, Partia Demokratike duket si e derdhur në një kallëp bronxi së bashku me liderin e saj. Partia nuk ‘çlirohet’ dot nga ai, themeluesi dhe kapiteni dhe ai, nuk çlirohet dot nga partia. Anija e sukseseve apo humnerave, e fishekzjarrëve apo e kërcënimeve funerale.

Është kjo një gjë e mirë, e shëndetshme dhe demokratike? Ndoshta po, ndoshta jo. Mirëpo duke llogaritur vitet e mbajtjes së pushtetit dhe numrin e votave, një gjë është e sigurt: ‘në realitetin shqiptar ka rezultuar e suksesshme!’

Duket sikur Berisha është gjithmonë një kat më lart se të tjerët, diku në një majë virtuale dhe i paprekshëm nga psherëtimat apo kontestimet e të pakënaqurve. Kujdes, të pakënaqurit dhe kritikët e të gjitha kohërave, si dhe mendimi i Pakicës, në qerthullin e një Shumice amorfe, janë padyshim të ngjashmit e mi.

Por me fakte dhe shifra në dorë, duke gjykuar politikisht dhe historikisht, askush nga Partia Demokratike, jashtë, pa apo kundër Berishës, nuk e ka fituar dot betejën e madhe ndaj Berishës. Është ky një frustracion për sfidantët? Sigurisht që po. Është ky, të sfiduarit, një trend që duhet të vazhdojë? Sigurisht që po.

Partia Demokratike nuk është një pronë e Berishës, kjo dihet dhe duhet të dihet. Por pa lidershipin, zgjidhjet, zgjedhjet dhe gabimet e Berishës, kjo parti do të ishte ndryshe. Do të ishte një parti tjetër dhe askush nuk di të thotë nëse do të mund të fitonte dot ndonjë palë zgjedhje, kjo parti tjetër, apo kjo parti e tjetërsuar.

Sepse Berisha kur fiton, vërtet e aklamon i pari fitoren, qarkuar pasurisht me dafinat përkatëse, por edhe kur humb, nuk çohet asnjëherë nga tavolina pa paguar ai vetë faturën dhe kostot politike apo personale, deri në qindarkën e fundit.

Sepse për çdo gjë që ndodh, për faj të zgjedhjeve apo zgjidhjeve të tija, qofshin të gabuara apo të ngutura, Kryeministri përballet vetë dhe drejtpërdrejtë me pasojat. Në të mirë e në të keq dhe pa fshehur kokën si struci. Cilësi të cilën, akoma askush nuk e ka në Partinë Demokratike.

Duke vlerësuar edhe njëherë kriticizmin konstruktiv (me disa përjashtime emrash) të Mark Markut, mendoj se është vërtet koha për një debat në Partinë Demokratike. Një debat të hapur, të përgjegjshëm dhe të ndershëm meritokratik. Por duke e përfshirë dhe jo duke e përjashtuar Sali Berishën. Sepse, detyrohem ta përsëris edhe pse perceptoj reagim mosaprovues, mishi nuk ndahet nga kocka në një organizëm të gjallë.

Nuk mund të ketë një rithemelim të Partisë Demokratike, pa themelin dhe themeluesin Berisha. Sepse Partia Demokratike është sot një parti berishiste, është e kotë të kultivohen iluzione të tjera dhe krejt të ndryshme nga realiteti kokëfortë i fakteve kokëforta dhe me qëndrueshmëri historike.

Është ky modeli më i mirë në konstitucionin e një partie?! Personalisht do të preferoja një strukturë më të moderuar. Por të tilla nuk ka pasur apo ndoshta nuk gjinden më në Shqipëri. Partitë shqiptare janë partitë e Njëshit dhe sillen rrotull Njëshit. Ky model që përfaqëson sot Partia Demokratike është një lloj modeli që, ose pranohet si është, ose për ta ndryshuar duhet ta copëtosh. Mirëpo po e copëtove, duam s’duam, ke marrë rrugën e pashmangshme të Opozitarizmit.

Këtu qëndron edhe sekreti elektoral i Kryeministrit, mbajtja e jetëgjatësisë së Pushtetit, përmes drejtimit të tij. Të vetëm dhe të padiskutueshëm.

Sepse dje, sot apo nesër, ai, i vetëm ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë deri në qindarkën e fundit faturat e kostove politike dhe personale. Ekuipazhi i anijes edhe mund të hipë në varkat e shpëtimit, të ndryshme dhe të shumëllojshme. Ndërsa Berisha, nuk ‘çlirohet’ dot nga partia e tij.

Keq apo mirë, kjo është fotografia e këtij realiteti politik.

 

16 Përgjigjet për "Elektoralizmi i Kryeministrit"

  1. rrofeshate  27/06/2012 në 9:32 am

    po kur te iki Berisha do te shrkihet PD apo do te rithemelohet apo mos valle Berisha eshte i perjetshem Artur?

  2. Kirurgu  27/06/2012 në 9:48 am

    Z. Zheji, mos harroni se nganjehere per te shpetuar nje organizem te gjalle qe rrezikohet nga gangrena i vetmi shpetim vjen nga amputacioni. Mishi se bashku me kocken tutje, ky “organizem” po qelbet nga koka.

  3. emigranti.it  27/06/2012 në 10:46 am

    Edhe xhaxhi te njejtin model kishte,,por edhe Berisha ate kishte dhe ka idhull,por dhe populli aq mend ka,keshtuqe mese normale qe ne Shqiperi vetem ky sistem mund te fuksionoje,VETE HAJDAR,VETE GOMAR,se shqiptari ha dhe bar.

  4. arben  27/06/2012 në 1:08 pm

    Kur themo Lenini nenkuptojme Partia dhe kur themi Partia nenkuptojme Lenini!

  5. Albert  27/06/2012 në 1:37 pm

    Me vjen keq i dashur Zheji,po ky shkrim ka shijen e nje supe me fasule,shume leng(i holle!) dhe fare pak kokrra! Sepse te gjitha sa rreshton zotrote,duhen projektuar ne raport me SHTETIN, te ARDHMEN,performancen e administrates shteterore..etj.
    Ndersa ju qasjen e keni sikur behet fjale per karrieren e nje personazhi te show-biznesit dhe jo te menazhuesit te shanseve dhe oportuniteteve te shqiptareve! …Por,le te fokusohemi te ajo cfare ju thoni qe “…partia Demokratike eshte parti berishiste…). Atehere le te analizojme c’eshte “berishizmi”,me ke ngjan,nga eshte frymezuar. Sepse,ne te kundert,nje rrefim i shpelare,”ndoshta po,ndoshta jo” eshte mjegullnaje! Nuk kupton cfare shkakton ky “fenomen”,sjell reshje apo thatesire, kohe me diell apo ngrice dhe rheumatizem! Nuk kerkon ndonje “zahmet” te madh analiza e berishizmit per te kuptuar qe ngjan si dy pika uji me Enverizmin! Ne themel,ose shtyllat e enverizmit ishin: Shpall dhe afisho vetem suksese dhe per cdo deshtim trego me gisht nje armik! Kush nuk mendon si ti,ai eshte kunder teje,pra komplotist potencial dhe ne fund …armik! Tregohu mosmirenjohesi me i madh ndaj atyre te cileve u detyrohesh me shume!…Fotot e Sali Berishes me familjen Hoxha duke shetitur ne varke dhe rreth oxhakut jane deshmi se njeriu ne krye te qeverise ka qene duke ndjekur kursin e trajnimit,zoti Zheji!
    Ato foto te bera publike 20 e kusur vjet me pas duhet te shkaktonin skandal! Imagjino sikur ato foto te afishoheshin ne periudhen dhjetor ’90-janar ’91,bash ne mbledhjen themeluese,apo aktivin e pare kombetar te PD ne 13 shkurt ’91!
    Cfare do te ndodhte?! Do e kishin marre “per zhelesh” e ta nxirrnin perjashta nga mbledhja apo jo?! …Ai,i dashur Zheji,nuk ka paguar dhe nuk paguan asgje! Me faturat merren boset qe e kane nen monitorim qe nga kohet e “varkes dhe oxhakut”,ky eshte i promovuari,i sponsorizuari,i celet udha,e gjen “hazer” cdo gje! ….harxhet e faturave i paguajne shqiptaret e mjere, “sa me drithe,sa me b..the”!!!…

  6. Miri  27/06/2012 në 1:41 pm

    Jam dakord me ju Z. Zheji kur thoni qe PD dhe Berisha janë si mishi me kockën.Parti të tilla në fakt ekzistojnë edhe ne Europe,atje ku ne shpresojme të anëtarësohemi sa më shpejt.Por unë mendoj që partia Demokratike nga brenda është një gërmadhë si nga ana morale ashtu edhe nga ne aspektin e efiçencës,mendoj që Berisha duhet gjejë kohë të merret edhe me partinë, mendoj që nuk duhet humbur më kohë që PD të hapet, të shkundet, të distancohet nga ish sigurimsat etj etj…… Dhe padyshim që kjo do ti shërbente si Berishës, si PD-së, ashtu edhe demokracisë shqiptare.

  7. ismet  27/06/2012 në 2:12 pm

    brravo turi,si enveri me partin,u mundove te ngreshe lart figuren e berishes po harron se eshte film i pare ky per 50 vjet,ske c’ben ,.edhe ti ate brymosje te celnikte rretth partise e salis ke

  8. lucio  27/06/2012 në 2:15 pm

    te besh politike nepermjet te kundertes, nje shans i humbur per Berishen ne 2013 nese i humb zgjedhjet me rithemelim te PD-se i kerkokehet qe te mos jete me as nje personalitet nderi ne kete parti. Teorite e konspiracioneve te perestrojkes duke e rrethuar Berishen me mjegull deri ne buze te gremines se zgjedhjeve te 2013, duken si fundi i pashmangshem i revolucionareve te tranzicionit post komunist ne vendet e Europes Lindore. Ndofta nje gur me i rende i vervitet Berishes ne nentor dhe atehere me siguri Meta do te shfaqet si njeriu qe rrezoi doktorin, politikani me intuite driteshkurter, qe kujton se Berisha duhet te shmanget nga vendi historik dhe glorifik ne historine e tranzicionit te Shqiperise, por pa Berishen nuk ka status, nuk ka angazhime europiane, ka zhballancim te ekuilibrit euro atlantik. Kjo eshte nje loje e rrezikshme me historine, te pakten nje vit para zgjedhjeve te medha te 2013

  9. Tepelens  27/06/2012 në 4:20 pm

    Cilen Pjese nuk Kuptuat o parafolsa Turi eshte shume i qarte ne ato qe thote Por kujdes !!! Nuk eshte shkrim per militante Eshte shkrim per nerez te lire dhe pa fiksime partiake

  10. abc  27/06/2012 në 5:28 pm

    Perseri me lolon e mjere dhe te shemtuar te oborreve te pafund,turimamin?Boll ti shikosh surrane dhe aty fillon karragjozlleku i vertete te marre udhe,pasi as nje germe nuk i lexojme.Megjithate te falemenderit Mapo, qe na jep nje HA,Ha te madhe impulsive, per momentin.Do te vazhdonim t,ju ishim shume mirenjohes,qe dhe kur nuk shkruan turimami,mos na lini pa e pare kete surrat-gallate.

  11. nora  27/06/2012 në 6:02 pm

    Besoj dhe supozoj se edhe mbas Berishës PD do egzistojë dhe do jetë e fortë, por ndoshta jo sa sot. Berisha nuk ka mujt as nuk mundet me u shkëputë nga autokracizmi. Demokratizimi i PD sa ma parë aq ma mirë për të dhe për Shqipninë. Nëse Doktori nuk ndërmerr qysh tash veprime për të parandalu çamjen apo copzimin e saj, edhe mund të ndodhin probleme. Nëse nuk ndërmerr veprime mbas largimit të tij do ndodhin probleme të mëdha.
    Nuk e di se Mark Marku vërtetë a don demokratizimin e PD apo po përgatitë terenin me shku te Topi??!

    • Krasioti TP  28/06/2012 në 1:46 pm

      Opinionit te mesiperm mund ti behet cdo lloj komenti por duhet te pranojme se vizatimi i Zhejit per binjaket e lindur, po perifrazoj eshte realist. Nese kjo lidhje PD-Berishe ka qene nje gure ne qafe te Shqiperise, meqe PD eshte nje parti qeverisese,apo nje kontribut pozitiv ne jeten politike shqipetare ne duhet te gjykojme me mendje te ftohte,pa emocione partiake, fetare e krahinore se: A eshte qeverisja nen S.Berishen keto 7 vjet, qeverisja me e suksesshme ne historine 100 -vjecare te shtetit shqipetar, une pa qene sot i angazhuar me ndonje parti, as fanatik fetar e as tropojan them me bindje; Po eshte me e suksesshmja. Te ecesh sipas filozofise politike te S.Berishes: “te bashkuar ne diversitet”, apo te filozofise politike te shkrimtarit tone te shquar e politikanit te vogel,I.Kadare e idhtarve te tij ne politik, se gjithe shqipetaret duhet te konvertohen ne katolik se ashtu na ka me shume xhan Europa i dha pergjigje Berisha ne Keshillin e Europes. Zhvillimet e pritshme ne PD do varen jo nga gjykimet e adoleshentve politik ,sipas mentalitetit te nje adoleshenti ne nje familje patriarkale: “vdis o baba te hidhem une ne qoshe” ose “sdi gje babai se ka rrudhur nga mente”,kur shohim se si po drejtohen disa parti te tjera ne vendin tone mund te themi se modeli berisha eshte i suksesshem edhe ne menazhimin e partise. Askush me shume se S.Berishes ne PD nuk i dhimbset e nuk e deshiron jetegjatesine e suksesin e pjelles se tij politike. Pas opinionit te z.Mark te Panorama ne mund te themi ‘Asgje e re nga fronti i perendimit’, Berisha ka thene se kur isha i ri kam provuar te shkruaj poezi e tregime por e pash qe skisha talent per to e i hoqa menjan. Sot per fatin e mire te kombit shqipetar eshte ne zanatin e tij. Edhe une thjesht po jap nje koment.

  12. EC  27/06/2012 në 8:35 pm

    Më bën përshtypje se sa ia qajnë hallin PD-së komentuesit që, në fakt, janë me PS-në. Propozojnë deri zgjidhje për “amputim” duke sajuar diagnoza “gangrenash”. Zoti na ruajtë prej të tillë “doktorësh” dhe jo prej Doktorit! Këtyre adhamudhëve, që ftojnë të krresh njërin sy për të shpëtuar tjatrin, s’më kujtojnë tjetër veç batutës së Skëndër Sallakut: “Sa fort e paske desh babën tonë ti, o zoje!” Unë për vete nuk ushqej hipokrizinë që t’i uroj PS-së të gjejë ndonjë kryetar më të mirë se këta që ka pasur që nga Enver Hoxha e gjer më sot, as të krijojë ndonjë mjedis më demokratik nga ai që ka, po i uroj thjesht shpërndarjen a shpërbërjen, teksa misioni i saj ka përfunduar që më 1990-ën.

  13. Tani  27/06/2012 në 8:49 pm

    Zoti Zheji ben mire te mos e shtremberosh aksomen: kur themi Partia nenkuptojme Leninin dhe kur themi Lenini nenkoptojme Partine, ne qofte se do ta ndryshosh perdor shprehjen si bytha me breket se ka me shume sens. Ti ke qene aty dhe e di mire se cfare ka ndodhur me zgjedhjet, nje here i dha Fatosi duke ndjekur Meten dhe dy here te tjera i ka vjedhur me Ristanet te tjerat jane kinezerira, po dihet qeni leh atje ku ha, dhe eshte e sigurte se edhe ti kur te ndrrosh pronare do te ndryshosh edhe melodine e kenges tende, por mos u be i shpelare.

  14. Nik Kodra  27/06/2012 në 10:22 pm

    Z.Zheji eshte gazetar por tash e shume kohe edhe drejtor i ATSH, pra i pelqyer edhe nga Berisha. Edhe Zheji do t’ia ktheje mirenjohjen duke na justifikuar qe diktatura ne parti eshte me e mire se demokracia! Por jo o Z. Zheji njerezit nuk jane budallenj qe te degjojne gjepura te tilla! Ne se ne nje parti ka demokraci atehere aty ka dhe konkurence vlerash dhe ne krye te partise dalin ata me te zotet dhe me te miret. Perndryshe ne diktature ka vetem nje njesh dhe te tjeret jane hija e tij.

    Nik

  15. shqiptar  27/06/2012 në 10:40 pm

    sna the asgje me kete shkrim te shpifur o Artur

Komentet janë mbyllur