Moratoriumi, tërhiqet mazhoranca, lejohen varkat me vela dhe jahtet

Mazhoranca ka bërë një hap pas dhe ka pranuar që të heqë kufizimin e lëvizjes në ujërat tona territoriale të disa prej mjeteve lundruese. Bëhet fjalë vetëm për ato mjete që janë në shërbim të turizmit, siç janë anijet me vela si dhe jahtet. Për këtë qëllim mazhoranca me anë të deputetit demokrat të qytetit të Durrësit, Osman Metalla, deputetit të LSI-së po të këtij qyteti, Lefter Koka, si dhe të deputetit të PDIU-t të qytetit të Vlorës, Dashamir Tahiri, paraqiti dje në seancë plenare një amendament me anë të cilit në listën e mjeteve që lejohen të qarkullojnë në ujërat e deteve dhe të liqeneve, shtohen dhe anijet me vela dhe jahtet. Kjo bëri që nisma e paraqitur nga deputetët socialistë për shfuqizimin e moratoriumit të mos votohet dhe për shkak të këtij amendamenti të rikthehet dhe një herë për diskutim në komisione.

Seanca

Seanca plenare ka nisur dje me debatin për nismën e opozitës për shqyrtimin moratoriumit të mjeteve lundruese, i njohur ndryshe si moratoriumi i skafeve. Pasi janë njohur me rendin e ditës, opozita ka kundërshtuar vendimin e drejtueses së Kuvendit për të hequr nga rendi i ditës nismën e paraqitur nga deputetët socialistë për këtë qëllim. Duke folur në emër të grupit, Gramoz Ruçi akuzoi mazhorancën se e ka hequr projektligjin e opozitës për shkak se nuk kishte numrat e duhur në sallë për ta rrëzuar atë. “Ju, stafi juaj, keni hequr nismën e opozitës, pavarësisht se jemi pro të gjitha procedurave. Këto që paraqisni ju nuk janë shkaqe. Kjo është një shkelje procedurale dhe kjo vetëm se nuk keni votat në sallë për ta rrëzuar nismën tonë”, – tha Ruçi. Ndërkohë në emër të grupit demokrat ka folur nënkryetari i grupit demokrat, Edi Paloka, i cili ka bërë të ditur se për shkak se disa deputetë të mazhorancës kanë sjellë një amendim për këtë projektligj, atëherë u pa e arsyeshme që ajo të rikthehet për diskutim në Kuvend. “Kemi vendosur që më parë të kalojë në komisionin e ligjeve pastaj në seancë. Për të mirën e tyre. Por, siç jemi mësuar, PS e mohon edhe kur është në të mirë të tyre”, – u shpreh Paloka.

Amendamenti

Ndërsa e rrëzoi nismën e deputetëve socialistë në dy komisionet ku dhe u diskutua, mazhoranca ka reflektuar dhe në kundërshtim me ato argumente që paraqiti gjatë këtyre mbledhjeve, dhe ka vendosur që të liberalizojë efektet e moratoriumit të mjeteve të lundrimit. Në kuadër të këtij reflektimi, tre deputetë të mazhorancës që përfaqësojnë respektivisht tri forca të ndryshme politike, por që vijnë nga dy rrethe bregdetare, siç është Durrësi dhe Vlora, Osman Metalla, Lefter Koka dhe Dashamir Tahiri, kanë depozituar në Kuvend një amendament konkret që synon të krijojë mundësi reale për disa lloj mjetesh për të lundruar në ujërat tona. Kështu, veç motorëve të ujit që u lejuan që me ndryshimet e bëra para 3 vitesh, tashmë me amendamentin e paraqitur nga këta tre deputetët e mësipërm synohet që të lejohen edhe anijet me vela si dhe jahtet. “Në vijim të germës “d” të Nenit 3 të ligjit Nr.10220 datë 04.02.2010 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet lundruese të Republikës së Shqipërisë”, shtohen germat “dh”  dhe “e” me këtë përmbajtje: mjetet lundruese me vela dhe mjetet lundruese të klasifikuara si jahte”, – thuhet në këtë amendament. Nisma në fjalë synon që të japë efektet që gjatë këtij sezoni veror dhe t’u vijë në ndihmë të gjithë operatorëve turistikë apo edhe atyre familjeve që zotërojnë një mjet të tillë. Ky amendament mund të konsiderohet dhe si një fitore për deputetët socialistë, që kërkuan shfuqizimin e plotë të moratoriumit, pasi megjithëse nuk arritën të bëjnë të mundur lejimin e lëvizjes në ujërat tona detare dhe liqenore të të gjitha mjeteve lundruese, bënë të mundur ndërgjegjësimin e kolegëve të tyre demokratë për të zgjeruar listën e atyre që këtë verë do lejohen të qarkullojnë.

 

Komentet janë mbyllur