Tjetër barazim ‘big’ Anglia shënon e para Franca e kursen më pas

Franca dhe Anglia luanin të parën në grupin D, në një përballje ku të dyja skuadrat kërkonin të dominonin dhe të linin pas disi zhgënjimet në Kupën e Botës. Befasi ka në të dy formacionet, ku Loran Blank ka vendosur që të luajë një 4-3-3 alla Barcelona, duke vënë në një krah Maluda dhe Riberi, që përkthehej një presion i jashtëzakonshëm për Glen Xhonson, krahun e djathtë të mbrojtjes që në formacionin ishullor është cilësuar prej kohësh “thembra e Akilit”. Nga ana tjetër, Roi Hoxhson kishte vendosur të luante me një skemë 4-4-1-1, ku në mungesë të Runit, detyrën e sulmuesit do ta mbulonin Uellbek dhe Jang, që me ndërthurjet e tyre duhet ta vinin në vështirësi mbrojtjen blu. Sfida nis e shpejtë dhe është e pëlqyeshme. Raste për gola do të kenë të dyja formacionet, ndërsa. Milner do të ketë mundësinë më të mirë për të shënuar, kur do të driblojë edhe portierin Loris, por do të godasë keq, duke shpërdoruar me portën bosh. Franca kërkon të vërë në vështirësi Xho Hart me gjuajtjet nga distanca. Në fillim Nasri dhe më pas Kabaje për pak ia arrijnë të shënojë, por gardiani është në formë. Loja bie në ujëra të qeta, por ai që i turbullon është Xholion Leskot. Qendërmbrojtësi i Mançester Sitit do të shfrytëzojë potencën e tij ajrore, teksa nga goditja e dënimit e ekzekutuar nga Xherrard do të mposhtë portierin Loris dhe do t’u japë “Tre Luanëve” avantazhin në minutën e 30-të. Megjithatë, avantazhi i anglezëve nuk do të zgjasë shumë, sepse nëntë minuta më pas Samir Nasri do të shënojë golin e barazimit. Kësaj radhe, lojtari i Sitit do ta kolaudojë të djathtën e tij dhe, nëse në të parën gjeti rrjetën e jashtme, kësaj here do ta detyrojë portierin Hart që ta nxjerrë topin nga brenda. 1-1, shifrat nuk do të ndryshojnë deri në fund dhe skuadrat do të shkojnë në pushim në barazim. Por në pjesën e dytë, sfida do të jetë edhe më e ndezur, sepse skuadrat do të hapen disi dhe kjo përkthehet futboll i bukur, ndonëse nuk do të ketë raste të mira për shënim, të paktën në fillimin e saj. Trajnerët mendojnë ta shtyjnë më vonë “shahun” e ndërrimeve, ndërsa goditjen e vërtetë në portë në pjesën e dytë do ta shohim në minutën e 64-ët, kur Benzema do të shenjëstrojë kuadratin, por në qendër. Si Anglia, ashtu edhe Franca kërkojnë që të dominojnë territorialisht rivalin, ndërsa duket se skuadra e Blank ka një avantazh të lehtë, por jo të mjaftueshëm për të nënshtruar Anglinë. Skuadrat gabojnë shumë në hyrje të zonës së rreptësisë. Lëvizjen e parë do ta bëjë Hoxhson, që nxjerr jashtë Parker dhe Çambërlein në minutën e 77-të dhe në vend të tij hedh Henderson e Defo, ndërsa Blank e bën diçka të tillë në të 85-ën, duke larguar Kabaje dhe Maluda, të cilët ua lënë vendin Ben Arfas dhe Martin. Minutat e fundit të ndeshjes janë më të mira për Francën, e cila e izolon Anglinë në zonën e saj, por pa mundur dot që të shënojë. Përfundimisht, edhe kjo përplasje e madhe e Euro 2012 mbyllet në paqe.

Komentet janë mbyllur