MASH shpall Formularin A2 me 10 preferenca, rregullat e reja të plotësimit

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht Formularin A2 për garën e pranimeve në universitetet publike të vendit, ku maturantët do të shënojnë preferencat e tyre për studimet e larta. Me marrjen edhe të notave të provimeve me zgjedhje, tashmë maturantët e kanë më të thjeshtë përzgjedhjen e degëve të preferuara, pasi në bazë të pikëve që kanë arritur të grumbullojnë ata mund të gjejnë se në cilën prej degëve kanë shanse të fitojnë, duke marrë si prag minimal pikët e fituesve të fundit në maturat e kaluara. Në këtë pikë, specialistët e arsimit vënë në dukje se ndodh shpesh që maturanti mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por ai shpallet fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të këtij grupi. Kjo është arsyeja që në plotësimin e Formularit A2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat), por dhe renditja e tyre prioritare. Ndaj përpiquni të masni forcat tuaja dhe të zgjidhni programe studimi ku keni probabilitet më të madh të fitoni. Kjo realizohet duke krahasuar pikët tuaja të grumbulluara me pikët e fituesit të fundit në 4-5 vitet paraardhëse për secilin program studimi të përzgjedhur nga ana juaj. Pikët e fituesit të fundit për të gjitha programet e studimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të internetit të MASH-it. Këtë vit në Formularin A2 gjenden të listuara plot 303 programe të ndryshme studimi nga 290 të tilla që kanë qenë një vit më parë. Ministria e Arsimit bën të ditur se Formulari A2 do të plotësohet nga data 25 korrik deri më 2 gusht.

Programet e studimit

Lista e programeve të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në vitin akademik 2012-2013 zë pjesën më të madhe të Formularit A2. Maturantët duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur programet e studimit që preferojnë. Për secilin universitet publik të Shqipërisë janë renditur të gjitha programet e studimit. Përpara secilit prej programeve të studimit ka një numër me 3 shifra, që përfaqëson kodin e atij programi studimi si dhe një kuadrat bosh majtas tij. Duke ndjekur me kujdes listën e programeve të studimit, së pari ndaloni në universitetin ku dëshironi të ndiqni studimet. Lexoni me kujdes programet e studimit të atij universiteti dhe për një program studimi që preferoni, mbani shënim kodin e programit të studimit dhe emërtimin e tij, për shembull në Universitetin e Tiranës: 011 Kimi e Teknologji Ushqimore. Po brenda të njëjtit universitet mbani shënim kodin dhe emërtimin e programeve të studimeve të tjera të preferuara, për shembull 026 Punë Sociale, e kështu me radhë. Mund të mbani shënim kodin dhe emërtimin e programeve të studimit që preferoni në cilindo universitet publik, për shembull në Universitetin Politeknik të Tiranës 073 Inxhinieri Mjedisi.  Këto informacione janë të nevojshëm për të gjithë ata kandidatë maturantë që preferojnë këto programe studimi, sepse secili përzgjedhjen e bën sipas preferencave dhe përllogaritjeve të tij. Por specialistët e arsimit këshillojnë që gjatë plotësimit të Formularit A2 të shikoni me kujdes secilin program studimi, sepse për universitete të ndryshme për disa nga programet e studimit shënohen në kllapa filialet e qyteteve në të cilat këto programe studimi zhvillohen, si edhe kohëzgjatja e studimeve për programe të caktuara. Për herë të parë këtë vit, disa nga programet e studimit në Universitetin e Durrësit, si: Menaxhim i Bankave, Menaxhim Hoteleri Turizëm, Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Multimedia dhe Teknologji Informacioni do të zhvillohen në gjuhën angleze.

 

Preferencat, si duhet t’i rendisni 

Gjatë plotësimit të Formularit A2 keni të drejtë të përzgjidhni deri në 10 programe studimi të preferuara të renditura sipas preferencës suaj. Këto 10 ose më pak programe studimi  përzgjidhen sipas procedurës së më poshtme. Plotësimi i të gjitha preferencave nuk është i domosdoshëm (pra maturanti, nëse dëshiron, mund të plotësojë më pak se 10 preferenca). Por, kujdes, në përcaktimin e preferencave tuaja secili program studimi i përzgjedhur duhet të jetë i parapëlqyeshëm, por dhe i mundshëm për t’u ndjekur nga ana juaj.

•Para se të plotësoni preferencat, formoni një listë ku programet e studimit i rendisni sipas prioritetit të preferencave. I pari duhet të jetë programi i studimit që preferoni më shumë, i dyti ai që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Kjo gjë duhet bërë për shkak se, mbi bazë të preferencave dhe renditjes së tyre, do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet Preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni si i tillë dhe mund të regjistroheni në degën përkatëse. Nëse nuk jeni fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën e fundit. Shpalleni fitues në Preferencën më të lartë në të cilën keni grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera.

• Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen dhe fituesit. Një kandidat mund ta shohë veten brenda listës së fituesve, në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë në këtë grup preferencash.

•Pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave nga 1 në 10, vetëm atëherë jeni të gatshëm për të plotësuar Formularin A2.

2 Përgjigjet për "MASH shpall Formularin A2 me 10 preferenca, rregullat e reja të plotësimit"

  1. adrijan  17/07/2012 në 4:13 pm

    Pershendetje Mapo.
    Doja te kerkoja nese eshte e mundur formularin A2 dhe piket e secilit universitet dhe seciles dege te universiteteve te gjithe vendit ne vecanti (UNIVERSITETIT TE TIRANES DHE TE DURRESIT).

    FALEMINDERIT PER MIREKUPTIMIN

  2. Fabiola selimaj  17/07/2012 në 7:00 pm

    Pershendetje MAPO
    Jam e interesuar te di, po maturantet e viteve te shkuara qe duan te konkurojne kete vit, duhet te plotesojne A2 apo A3?
    ju falemindeirit per mirekuptimin

Komentet janë mbyllur