Një “monark” i varur nga vota e lirë

Kemi në libraritë tona të përkthyer në shqip një biografi shumë interesante të Charles de Gol, gjeneralit të famshëm që ruajti nderin e Francës me lëvizjen “Franca e lirë”, që krijoi dhe udhëhoqi gjatë Luftës së Dytë Botërore, atdhetarit dhe luftëtarit që në një nga periudhat më të vështira të Francës dhe në një konfigurim të ndërlikuar të skenës politike-ushtarake e diplomatike të kohës, ia doli të printe dhe të marshonte me flamurin e Francës në Parisin e çliruar, duke shënuar përmbysjen epokale të fatit të vendit.

Sa herë flitet qoftë edhe telegrafikisht për jetën e De Gol-it dhe kronologjia mbërrin datën 25 gusht 1944 të hyrjes së tij në Parisin e çliruar, nuk mund të vazhdosh më tej pa kujtuar fjalimin e tij të frymëzuar e të ndjerë, karakteristik për oratorinë e tij antike : “Paris! Paris i poshtëruar! Paris i thyer! Paris i martirizuar! Por përsëri Paris i çliruar. I çliruar nga vetvetja. I çliruar nga populli i tij, me ndihmën e mbarë Francës. Të Francës që po lufton, vetëm të Francës, të Francës së përjetshme”.

Ky është momenti kur Franca ka një fytyrë të vetme për ta gdhendur në histori si fytyrën emblematike dhe mitike të çlirimtarit, por ndërkaq De Gol është një individ, një francez, një njeri me jetën e tij, me historinë e tij që fati e kishte shënuar të ndërthurej ngushtë me historinë e Francës moderne përgjatë tri dekadave, nga viti 1940 deri në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.

Po kush ishte ky njeri që koha në rrjedhën e saj e ka shndërruar në një lloj legjende apo miti jo vetëm për kujtesën e Francës, por shumë me gjerë? Kush ishte njeriu i 18 qershorit të vitit 1940 që pasi u arratis nga vendi tij i pushtuar nga nazistët, i foli Francës nga valët e radios BBC si bartës i sovranitetit të saj, megjithëse askush nuk ia kishte dhënë as më trashëgimi dhe as më votë ketë përfaqësim? Kush ishte njeriu që themeloi të drejtën e çdo individi të lirë për të përfaqësuar sovranitetin e atdheut të vet, kur atdheu lëngon nën zgjedhën e pushtimit dhe qeverisë kukull? Kush ishte gjenerali pa ushtri dhe pa front në kuptimin klasik të fjalës që arriti t’u bashkëngjitej tre liderëve të aleancës së madhe antifashiste, Çërçillit, Ruzveltit dhe Stalinit si një figurë e katërt me peshë në skakierën e politikës botërore të kohës? Kush ishte njeriu që qeverisi Francën si një “monark” , në dy periudha të ndryshme, pas çlirimit, por si një “monark” që nuk e kishte njohur historia dhe nuk e ka përsëritur më as e ardhmja, i varur kryekëput nga vullneti i popullit sovran, i shprehur me votë të lirë. Dhe së fundi, kush ishte njeriu që dha dorëheqjen si President i Republikës së Francës dhe u tërhoq nga shkëlqimi i Parisit në qetësinë e fshatit të tij Colombey-les deux Eglises, pasi humbi me pak vota një referendum popullor të kërkuar prej tij për rajonizimin dhe reformën e senatit francez?

Për të gjitha këto momente kulmore të karrierës së De Gol-it dhe për ngjarje e hollësira të tjera mjaft tërheqëse, që kanë veshur me dritë, pse jo me mister aspekte të ndryshme të jetës së këtij burri të madh shteti, lexuesit shqiptar mund të marrin informacion dhe kënaqësi në faqet e librit “Gjeneral de Gol”, të autorit Eric Ruossel, botuar në shqip nga shtëpia botuese ‘Botart”, në përkthimin e Eqerem Gaxhollit.

Autori është një historian dhe publicist që ka shkëlqyer më parë me botimin e një biografie për ish-Presidentin Zhorzh Pompidu dhe të disa librave të tjerë biografikë e studimorë, të vlerësuar me çmime prestigjioze në Francë. Padyshim nuk ka qenë e lehtë për këtë autor të shkruajë një libër të ri për personalitetin politik më të shquar të historisë francezë të shekullit të njëzetë, për të cilin janë botuar dhjetëra libra dhe kujtime nga autorë, biografë dhe figura të shquara të botës akademike, letrare dhe politike gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Eric Roussel ia ka dalë falë lakonizmit në një anë dhe shtjellimeve të reja e risive që sjell në planin dokumentar në anën tjetër. Ka gjithnjë diçka për t’u ndriçuar apo zbuluar në jetën e pasur e të stuhishme të një shtetari të madh si De Gol. Përkthyesi i librit, Eqerem Gaxholli është një ish-diplomat me karrierë të gjatë në shërbimin tonë diplomatik në Hungari, Francë, SHBA. Ai ka bërë një zgjedhje të qëlluar, duke përkthyer një libër biografik për një personazh historik që frymëzon dhe për të cilin mendoj se ka interes dhe kuriozitet të veçantë në Shqipëri.

Libri fillon me një përpjekje për të ndriëuar prejardhjen e De Goli-t, duke pikasur gjurmët e kësaj familjeje në Parisin e trazuar të Revolucionit francez të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, ku De Gol-ët ishin borgjezë parisianë në kulmin e lulëzimit, njerëz të respektuar e krenarë për prejardhjen e tyre në vendin e vjetër të galëve. Krenaria e të qenit francezë, fryma fetare dhe kulti i familjes janë tri “dogma” që De Gol-ët i përcjellin nga brezi në brez. Kjo trashëgimi dhe edukata që mori në familje patën një ndikim përcaktues në formimin e karakterit dhe botëkuptimit të pinjollit që do të shënonte historinë e Francës moderne. Lidhja e tij e fuqishme me atdheun, vizioni i tij i madhështisë së Francës, i shtetit të fortë, i qeverisjes autoritare dhe i Lirisë- të gjitha këto vlera, që de Gol do t’i manifestonte në shkallën më të lartë, do të përcaktojnë profilin e tij të papërsëritshëm si politikan dhe burrë shteti.

Të jetuarit brenda një psikologjie elitiste, që ka si kredo madhështinë dhe lavdinë e atdheut, del në pah edhe në faktin e regjistrimit të hershëm të De Gol-it në një shkollë ushtarakë. Ai plagoset dy herë në front në Luftën e Parë Botërore, kapet rob nga gjermanët prej nga arratiset mes peripecish, dekorohet, gradohet, promovohet në hierarkinë e lartë ushtarake, shkruan libra që nuk kanë sukses të bujshëm, por që dëshmojnë shpirtin e hollë e të ndjeshëm të autorit, të përzier me doza misticizmi e mesianizmi. Këtë njeri ka lindur e gatuar Franca për të ngritur flamurin e Francës së Lirë në kohën kur ushtarakët dhe politikanët e trembur e të korruptuar nënshkruan nënshtrimin ndaj Hitlerit.

I ndërtuar si një kolazh kronologjik tregimesh rreth momenteve kulmore të jetës dhe karrierës së De Gol-it, libri shtjellon me realizëm dinamikën dhe frymën e ngjarjeve që çuan në pushtimin e Francës, marrëdhëniet e një finese romaneske, sa miqësore, aq edhe të ndërlikuara , midis kryeministrit anglez Çërçill dhe gjeneralit emigrant që ka ardhur t’u lëshojë kushtrimin e luftës bashkatdhetarëve të tij që nga toka angleze. Krenaria dhe ideja e vjetër e madhështisë së Francës e bëjnë De Golin një personazh të vështirë për tre liderët e aleancës, Çërçill, Ruzvelt dhe Stalin, veçanërisht për dy të parët, të cilët do të tundoheshin ta siluronin presidentin e ardhshëm të Francës. Çërçilli nuk kishte dyshime se pas luftës, nëse merrte pushtetin në Francë, De Gol-i do të bëhej një udhëheqës i tipit autoritar që do t’u hapte probleme aleatëve. Por kjo nuk e pengoi të shprehte edhe stimën e tij të lartë për vendosmërinë dhe krenarinë e francezit.

Në një dritë të re, mjaft interesante, jepen në libër marrëdhëniet që tentoi të vendoste De Gol me udhëheqësin e Kremlinit, në kuadrin e politikës së tij të duarve të zgjidhura në një skenë të dominuar nga anglo-amerikanët. Kjo është periudhë kur mori formë akoma më të qartë ai lloj antiamerikanizmi dinjitar që do të shënonte jetën e De Gol-it në Presidencën franceze.

De Gol, si kulturë dhe psikologji vinte nga elitat e vjetra të Francës, por ai kishte një lloj përbuzjeje për partitë dhe ideologjitë. Duke qenë interesi i Francës “ideologjia” e tij, ai nuk pati asnjë problem të ndërtonte një aleancë me komunistët në luftë, të cilën e vazhdoi edhe kur mori pushtetin. Përbuzja ndaj partitokracisë e çoi në dorëheqjen e parë si kryetar shteti. Dështimi i partitokracisë e thirri sërish në skenë për të themeluar atë që sot e kësaj dite quhet Republika e pestë franceze, në të cilën De Gol la shenjën e personalitetit të tij të fortë.

Libri është një mozaik i gjallë i suksesit të gjeneralit në një mjedis të ngarkuar me pasion dhe intrigë politikë. Me largpamësinë e një shtetari të kalibrit të Napoleonit apo Bismarkut, ai shtrëngoi një aleancë të rrallë me kancelarin e Gjermanisë, Adenaur. Të dy vunë gurin e parë në themelet e Europës se Bashkuar me marrëveshjen e famshme të qymyrit. Francez i madh dhe europian i madh, De Gol e jetoi dhe e shërbeu deri në fund ëndrrën e një Europë sovrane dhe në paqe.

Kapitulli përmbyllës i librit që i kushtohet dorëheqjes dhe tërheqjes së de Gol-it në fshat është nga më të bukurit dhe prekësit. Ai që njihej si monark në drejtimin e punëve të shtetit, ndihej me mendje dhe me zemër një nënshtetas i bindur i sovranitetit të popullit. Kjo nuk ishte një parullë demagogësh, por një princip. U vërtetua qartë me rastin e referendumit për rajonizimin dhe reformën e senatit, menjëherë pas lëvizjeve studentore rinore të vitit 1968. Sapo mori lajmin e humbjes, De Gol-i mbledh plaçkat, jep dorëheqjen dhe kthehet në fshat. “Tani u kthyem përgjithmonë”, do t’i thotë së shoqes. Në vitin e fundit të jetës do t’u kushtohet kujtimeve dhe refleksioneve filozofike për ekzistencën dhe vdekjen, gjersa do të pushojë përgjithmonë në nder dhe lavdi. Libri për De Gol-in bashkon lëndën e jashtëzakonshme me stilin e thjeshtë e të bukur të të shkruarit. Ai përcjell me tone të ndezura shembullin e një jete të jetuar në ideale.

NJë përgjigje për "Një “monark” i varur nga vota e lirë"

  1. Skender Zogu  28/07/2012 në 9:06 am

    Lexova me shumé interes shkrimin e Z.Prenc Zogajt cipér librit”Charles de Gaulle”.Déshirojé me két rasté té shenojé njé artikull shkrujtun nga i itelektuali i ri Thomas Frasheri qé jeton né France dhe ashté antaré i “Fondancionit Charles de Gaulle” né Paris.Artikulli ashté né frengishté me titullin,”Le general de Gaulle et la résistance royaliste albanaise”(Gjeneral dé Golli dhe rezistenca mbretnore shqiptare” ,publikue né Revistén”Espoir” no.163-dimni 2010-2011.I sugjerojé zotit Prec Zogaj, qé zoténon frengishten shumé miré, me e pérkéthye két shkrimin né gjuhén shqip,dhe besojé lexuesét doté zbulojné disa veprimet pa té njoftuna té Mbretit Zog gjaté luftés dyté botnore.PS;Zoti Prec Zogaj mundet me mé kontaktue né mailin timé skender.zogu@wanadoo.fr; po té déshirojé me e plotésue déshirén temé,doté jemé i mirénjoftun qé t’mé shénojé njé adres né Tirané ku mundem me ia ndérgue artikullin.Me shumé té fala,Skénderi.

Komentet janë mbyllur