Vjedhje në paradhomën e zv/ministres, arrestohet “tmerri” i grave në Tiranë

Tiranë Shkresurinat në duar ia kanë lehtësuar hyrjen në paradhomën e zv/ministres së Arsimit, prej nga doli me një telefon celular dhe një kuletë të vjedhur. Por grabitja është zbuluar shpejt, duke çuar në pranga një 37-vjeçar, ish-pjesëtar i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, i cili rezulton të jetë një hajdut serial i çantave, kuletave dhe bizhuterive. Roland Beqiraj, baba i dy fëmijëve, banues në bulevardin “Zogu i Parë” u arrestua nga policia e Komisariatit Nr.3 me akuzën e “vjedhjes”, ndërsa dyshohet se është autor i dhjetëra vjedhjeve me dhunë të femrave në rrugët e kryeqytetit, duke iu marrë çantat, varëset apo bizhuteri të ndryshme. Policia bllokoi autorin e dyshuar të krimit pa dalë nga zyrat e Ministrisë së Arsimit, duke e shoqëruar atë me pranga në Komisariatin e Policisë nr.3, në kryeqytet. Lajmi u bë i ditur për “Mapo”-n nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat thanë se personi i ndaluar dyshohej të ishte një hajdut serial, pasi në banesë i janë gjetur shumë çanta, para, bizhuteri, si varëse byzylykë, ora, telefona celularë e objekte të tjera të vjedhura.

Vjedhja në Ministrinë e Arsimit

Roland Beqiraj kishte hyrë mesditën e djeshme deri në zyrën e sekretares së zv/ministres Nora Malaj, me pretekstin se kishte një hall për të zgjidhur. Por aty ka sulmuar sekretaren me emrin Mirela, së cilës i ka vjedhur portofolin. Gjithsesi, hajduti profesionist nuk mundi t’i gëzohej shumë parave që sapo kishte marrë dhe telefonit celular, pasi pa dalë ende nga dera e Ministrisë së Arsimit, ia behën policët e Komisariatit Nr.3. Atij iu bllokuan portofoli dhe telefoni celular e më pas u prangos, për t’u izoluar në mjediset e Komisariatit Nr.3. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në ambientet e Ministrisë së Arsimit, kur 37-vjeçari hyri në derën kryesore të kësaj ministrie ndërsa punonjëses së sportelit arriti t’i “vidhej”, duke mbajtur në duar disa shkresa të ngjashme me dokumente zyrtare.

Pasi kaloi hyrjen e derës së poshtme të Ministrisë së Arsimit, i arrestuari kërkoi të gjente ndonjë derë të hapur apo vend ku mund të futej për të marrë sende me vlerë. Ende nuk dihet qëllimi i saktë i futjes së tij në këtë dikaster, por hetuesit e policisë thanë dje për “Mapo”-n se i vetmi qëllim i Beqirajt ka qenë të zhvatë ndonjë send me vlerë apo para nga ndonjë zyrë në këtë ministri. Sapo ka vënë re se një prej zyrave ishte e hapur dhe nuk kishte njeri brenda, mori telefonin që ndodhej në tavolinë dhe një portofol, ndërsa tentoi të largohej. Pikërisht në këtë kohë ai u diktua dhe më pas u arrestua nga policia.

Zbulimi i vjedhjeve

Menjëherë pas ndalimit të Roland Beqirajt, efektivët e këtij komisariati kryen një kontroll në shtëpinë e tij në bulevardin “Zogu i Parë”. Agjentët e policisë janë habitur kur kanë gjetur aty një numër të madh çantash dhe bizhuterish me vlerë, si orë, portofola, para e sende të tjera. Duket se kjo rastësi ndihmoi policinë e kryeqytetit të identifikonte dhe të ndalonte një nga autorët më të rrezikshëm të vjedhjes së çantave, për shkak se në shumë raste, pavarësisht denoncimeve nuk ishte arritur të zbulohej autori. Në Komisariatin e Policisë Nr.3 mbërritën edhe efektivë të komisariateve të tjera, për të kryer një verifikim mbi vjedhje të ngjashme që kanë pasur në zonat e tyre. Ende nuk dihet saktësisht numri i vjedhjeve, për të cilat mund të akuzohet Beqiraj, por burimet e policisë thanë se ndaj të dyshuarit tashmë rëndon së paku vjedhja në Ministrinë e Arsimit e sekretares së zëvendësministres Nora Malaj, ndërsa pritet që ndaj tij të depozitohen edhe kallëzime nga të dëmtuar të tjerë.

 

 

Komentet janë mbyllur