Goditja politike e Bedri Spahiut dhe replika me babanë e Enverit

Përjetimi i Spartak Ngjelës për ndëshkimin politik të Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës dhe biseda që s’u harrua kurrë mes Halil Hoxhës dhe “armikut” të ri të Enverit. “E, Bedri, po ikën? – i tha plaku, me një ton shumë miqësor. Po, po – iu përgjigj Bedriu menjëherë – po iki, por për mua u gjet një kamion, për atë tëndin nuk do të ketë as karrocë, xha Halil”

 

 

 

Klasa e parë fillore kishte nisur pas një viti të çuditshëm, ku përreth meje kishte pasur të burgosur politikë që ndërtonin pallatet më të larta të Tiranës, por kishte pasur edhe një goditje të armikut të brendshëm, që në fakt kishte tronditur të gjithë Bllokun dhe rrethet pranë tij: ishin përjashtuar nga Partia, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Që të dy figura të njohura. I kisha njohur edhe fëmijët e tyre dhe ndjeva për herë të parë tensionin e fatkeqësisë, sepse mund të të ndodhte gjëma e madhe edhe ty, nëse yt atë përjashtohej nga Partia. Ata të dy ishin shpallur armiq të popullit dhe të Partisë dhe unë vetë i kisha parë tek ngarkonin plaçkat nëpër kamionë, sidomos familjen e Bedri Spahiut, sepse ajo jetonte mu në hyrje të Bllokut, përgjatë rrugës “Pjetër Bogdani”, pikërisht aty ku sot ndodhet bari që quhet Lux.

Ishte mëngjesi i një fund qershori, ndoshta 22 ose 24 qershor i vitit 1955 dhe me kujtohet se, bashkë me shokët, po rrinim përpara një fushe të vogël që ndante atëherë shtёpinë e Enver Hoxhёs nga tё gjitha shtёpitё qё gjendeshin ne rrugёn “Pjetёr Bogdani”, pikërisht aty ku ndodhet sot bar “Rovena”. Madje, ndonëse tani është e mbuluar me ndërtim, aty përbri, përballë me Lux-in, ndodhej një bunker i ndërtuar si vendstrehim nga italianët për t’u mbrojtur nga bombardimet. Tё gjithё pamё nga larg  se te dera e shtёpisё së Bedri Spahiut po ngarkohej njё kamion me plaçkat që dilnin prej saj. Pas disa çastesh u afrua edhe njё tjetёr e po priste. Pas rreth një ore pamё se tё dy kamionёt e mёdhenj u ngarkuan cit me plaçka, kurse vetë Bedri Spahiu, një burrë i zeshkët e me një nishan në faqen e djathtë, i ngrysur e nervoz, lëvizte aty afër, a thua se po priste që të ikte me gjithë kamionët. Por, aty pashё të afrohej ndërkaq i ati i Enver Hoxhёs, xha Halili, i cili i foli këtij sikur ta kishte një mik të vjetër:

-E Bedri, po ikën? – i tha plaku, me një ton shumë miqësor, a thua se vetë Bedriu po bënte një lëvizje rutinë, nga ato që dihen. Por ajo që na bëri përshtypje të gjithëve, ishte përgjigjja me ton të ashpër e me një luajtje gishti akuzues, e Bedriut.

- Po, po – iu përgjigj Bedriu menjëherë – po iki, por për mua u gjet një kamion, për atë tëndin nuk do të ketë as karrocë, xha Halil.

Halili ndenji i shtangur në vend, dhe nuk po kuptonte gjë prej gjëje nga ajo ndodhi, prandaj si i hutuar nuk e zgjati bisedën dhe iku dalëngadalë përgjatë rrugës, e cila ishte fare e paasfaltuar atëherë dhe me dy kanale anash.

Nuk di kush ishte pranë meje, por kemi qenë disa vetë, kur aty u tha se familja e Bedriut dhe e Tukut po niseshin për në plazh.  Kjo sepse, të gjitha familjet e udhëheqjes shqiptare, duke filluar nga 25 qershori, niseshin për në plazhin e Durrësit; të gjithë bashkë në plazh, në atë vend që edhe sot quhet Bllok, për të veruar aty deri në fund të muajit gusht. Por më vonë e morëm vesh se nuk kishte qenë fjala për një nisje në verim, por për një goditje politike që u ishte dhënë të dyve, edhe Bedri Spahiut, edhe Tuk Jakovës; pra, kishte qenë  thjesht një largim politik. Në të vërtetë, ky ishte një nga ato largime politike, të cilat ishin  bërë të njohura në Shqipërinë e pasluftës, por që unë  po e përjetoja për herë të parë, sepse goditjet e mëparshme që kishin qenë të ngjashme me këtë, nuk mund t’i mbaja dot mend, ngaqё ato kishin ndodhur në vitin 1948, 1950, 1951. Por kuptohet se, as Halili nuk ka pasë ditur gjë, e siç duket për ketë shkak iu drejtua Bedriut me atë ton,  ngaqë ka menduar se Bedriu po shkonte për verim, duke qenë se ishte fundi i qershorit.

Ja, kjo ishte ngjarja, një replikë e çuditshme për ne dhe krejt e pakuptueshme atëherë, ndonëse ndihej se ajo, brenda vetes, mbante një nëntekst hakmarrës. Nuk po kuptoja dot qartë asgjë, por kur shkova në shtëpi, aty m’u sqarua gjithçka: Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu ishin goditur në atë fund qershori të vitit 1955 si armiq të Partisë e të popullit. Gjithmonë më pas, të dy të goditurit ishin nga njerëzit që u përfolën më shumë në historinë e komunizmit shqiptar, por përsëri nuk kuptohej dot fare se cili ishte faji i tyre, për shkak të të cilit ata u trajtuan aq mizorisht, atëherë dhe për dekada të tëra në vazhdim. Ata kishin shprehur mendimet e tyre që nuk përputheshin me ato të Enver Hoxhës. O Zot! Megjithatë, asnjëherë nuk e harrova replikën tronditëse të Bedri Spahiut: “ Për atë tëndin nuk do të gjendet as karrocë, xha Halil!”, i kishte thënë Bedriu Halilit për djalin e vet, për Enver Hoxhën, të atit të tij, dhe të them të drejtën, ashtu të duket, por kjo replikë, e cila kurrë s’m’u hoq nga kujtesa, më ka dhënë forcë gjithmonë, sepse përherë gjatë përplasjeve të mia, e kisha një model, i cili as që kishte çarë kokën fare për fuqinë e Enver Hoxhës.

Të them të drejtën, gjatë gjithë jetës sime, unë kurrë nuk arrita dot të kompleksohem ndonjëherë se shprehja e idesë së kundërt mund të ishte edhe faj. Ndoshta kjo ka të bëjë me konstitucionin shpirtëror të njeriut, e po të jetë kështu, unë në këtë ndërtim timin nuk duket ta kem pasur ndonjëherë ndjenjën e brendshme se mendimi i kundërt i njeriut përbën faj apo krim. Por, nga ana tjetër, me vete kam mbërritur në përfundimin se ka qenë pikërisht kjo pika që më ka revoltuar së brendshmi kundër regjimit diktatorial të Tiranës, sepse më pas, kjo ndjenjë u rrit e u rrit derisa arriti të bëhej dominantja e jetës time.

Kështu pra, e mendova gjatë faktin e goditjes familjare të Tukut dhe të Bedriut gjithë atë verë dhe jo vetëm që nuk arrita të organizoja ndonjë mendim të qartë për veten, por me sa pashë, edhe moshatarët e tjerë nuk kishin ndonjë ide më të qartë për këtë fakt. Megjithatë, ndonëse për arsye të moshës nuk mund të kem qenë shumë i saktë, në të vërtetë, pavarësisht se nuk kam ditur sesi ta artikuloja si mendim, e ndieja se gjithë armiqësia e tyre, por edhe e të tjerëve para këtyre të dyve, kishte lidhje me Enver Hoxhën. Që fëmijë, unë dhe  të gjithë moshatarët e mi e dinim se Enver Hoxha të vriste po të ishe kundër tij. Dhe natyrisht që kjo më dukej një gjë normale, sepse e konceptoja atë si një njeri të fuqishëm, paçka që kuptohet se në atë kohë nuk mund të isha në gjendje të konceptoja se nga i vinte ajo forcë komandantit Enver Hoxha. Megjithatë, e shihja atë si komandantin e të gjithëve, por kurrë nuk arrita të pyesja se përse kishin zgjedhur pikërisht atë si komandant? Kurse propaganda bëhej, se ai ishte udhëheqësi kryesor, sepse ishte më i miri dhe më humani, dhe sigurisht më i dituri. Historia kishte qenë krejt tjetër dhe vetëkuptohet që edhe forca e tij vinte nga të tjera burime, por kjo do të më lidhej brenda vetes si e kuptueshme vetëm atëherë kur dallova mirë se ç’ishte pushteti dhe si ishte fituar pushteti politik nga klasa dirigjente që ishte në fuqi e që unë e kisha aq pranë.

4 Përgjigjet për "Goditja politike e Bedri Spahiut dhe replika me babanë e Enverit"

  1. Gjergji  18/08/2012 në 8:43 pm

    Tir,tir,moj valle,lëmshin e Ngjelës,që ende nuk e kupton,se atij i erdhi mendja,kur vajti në burg vetë,se për të tjerët edhe sot nuk i dhëmb by..a e tij…

  2. Jaho  19/08/2012 në 8:32 am

    Do ti isha shumë mirënjohës Zotit Spartak nëse ai do të kishte kurajon dhe burrësinë e ta përshkruante po të njejtën ngjarje kaq makabre me rastin e kundërt, kur Familja Nxhela u vendos në shtëpinë e Luarasve, të cilët pësuan fatin e njejtë të Spahit dhe shtëpinë e tyre e zuri Kiqo Nxhela. Kjo, pastaj do ti jipte kuptimin e plotë tregimit “Patriotik” të Spartak Ramës (Nxhelës)!!

  3. agimi  19/08/2012 në 11:31 am

    Se pari ky shkruan per te fitoje ca leke qe te laje borxhet,sedyti genjen qe ka degjuar kete bisede se vete thote qe ishim me shoket anes yjeter te rruges,dhe kryesorja ne moshen qe kishte si i ka degjuar fjalet kur ishte ne anen tjeter te rruges e si i kuptoka dhe i MBAJTEKA MEND.RRENA ME SUPER BISHT vetem per tu dukur tani si i persekutuar,z Jaho ka te drejte cfare thane Luaraset per grabitjen qe i bene per shtepine???!!!???!!!

  4. lefter  20/08/2012 në 10:54 am

    po kush i beson keto qe ai i ka degjuar vete ,ai ishte vete familje komuniste dhe vete ai eshte komunist i qel…sepse nuk duron dot demokraci,ai sot eshte i pa besueshem per vete faktin qe ka bere per kohe te gjate burg,nuk ka asnje shans te jete normal.

Komentet janë mbyllur