Njeriu i ri komunist, si u formua

Libri Njeriu i ri shqiptar është fryti i një pune kërkimore të thellë, serioze dhe të gjatë. Autori ka paraqitur tezën e vet duke konsultuar jo download (4)vetëm shkrimtarë shqiptarë, por edhe shkrimtarë të tjerë që mund të ndriçojnë dhe kritikojnë idenë e “njeriut të ri”.

Nuk mund të nënçmojmë sinqeritetin e autorit, i cili, veçanërisht në pjesën mbi situatën shëndetësore në Lezhë, nuk u kufizua duke e paraqitur situatën vetëm në periudhën e komunizmit, por edhe duke kritikuar sistemin e sotëm, që ende nuk ia doli mbanë të frenojë korrupsionin në fushën shëndetësore dhe në fusha të tjera. Ai ka shprehur me shumë objektivitet mendimet e tij mbi doktrinën e komunizmit shqiptar si edhe, e kjo ka shumë rëndësi, pasojat e komunizmit që mund t’i vërejmë deri më sot.

Kush është dhe çfarë është “njeriu i ri”? Autori na tregon si u përkufizua ky nga shkrimtari sovjetik Igor Kon: “Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit. Ai është një njeri, qëndrimi i të cilit për jetën është përherë krijues, ai nuk mund ta mendojë jetën pa punë, është një humanist i cili ka ngritur lart flamurin e dinjitetit njerëzor dhe është gati për të sakrifikuar vetveten në luftë për lumturinë e njerëzimit”.

Doktor Nikolla shtjellon shumë mirë moralin e njeriut të ri, degradimin e dinjitetit të njeriut, shkakun e luftës kundër besimit, dhe përhapjen e korrupsionit.

MORALI

Autori tregon qartë se komunizmi shqiptar ka pranuar konceptin leninist të moralit, që “duhej t’u nënshtrohej krejtësisht interesave të proletariatit dhe të ishte promotor i çdo aksioni kundër armiqve të revolucionit”. Pra, në konceptin e moralit, “fjalët punë dhe luftë janë në plan të parë”. E duke cituar fjalët e Leninit, “Sipas nesh, morali u nënshtrohet interesave të luftës së klasave të proletariatit”, autori komenton: “Lufta e klasave në Shqipëri ka njohur një prej formave të saj më të egra. E keqja ishte identifikuar me armiqtë e klasës dhe e mira gjendej vetëm në proletariat”. Morali u identifikua me politikën e partisë, me çdo veprim që ndikon për ndërtimin e komunizmit. “Shfaqet – thotë autori – për herë të parë haptas justifikimi moral i përdorimit të çdo lloj dhune të kaluar, të pranishme dhe të ardhshme në Shqipëri.

Por kjo është thjesht një karikaturë e moralit. Kush ose çfarë vendos a është e mirë një vepër? Sicc thotë Nikolla: “Është e qartë se Lenini e lë mënjanë tërë reflektimin filozofik mbi konceptin e etikës dhe të moralit që i referohen një nevoje të vërtetë spekuluese mbi konceptin e lirisë. Një njeri, për të reflektuar mbi etikën dhe moralin, ka nevojë fillimisht të jetë i lirë” dhe se “morali do të jetë i lirë atëherë kur njeriu do të jetë i lirë, ose në komunizëm. Pra, për gjithë periudhën kalimtare morali do të jetë në shenjën e dhunës”. Dhe autori citon Marcuse, i cili “nënvizon … ndryshimin mes konceptimit marksist dhe themeleve etike Sovjetike”.

E gjeta shumë interesant citimin që bën autori nga Kongresi XXII i PKBS, së pari sepse citohen fjalët e shën Palit: “kush nuk punon, as nuk ha” (2 Sel 3, 10); së dyti, sepse në fund të atij citimi flitet për disa vlera siç janë solidariteti shoqëror, respekti i ndërsjellë mes personave, ndershmëria dhe drejtësia, korrektësia morale, thjeshtësia dhe modestia, paqja, etj. Shumë bukur do të ishte komunizmi, po të arrinte te këto vlera, që si tha Harvey Cox, janë në thelb vlera të krishtera. Por si mundet, një ideologji e themeluar mbi luftën e klasave, të arrijë tek vlera të tilla? E gjithë historia njerëzore na ka mësuar se ideologjitë politike mund të ndryshojnë strukturat, por jo zemrat. Vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat!

Autori ankohet: “Si është e mundur që baza morale e shoqërisë sonë të jetë e plagosur kaq rëndë?”. Dhe tregon sesi “krijoheshin disa situata frike, terrorizohej, intrigohej për të marrë besimin absolut të popullit, të njerëzve të rinj”. Filozofia e Aristotelit, e shën Augustinit, e shën Tomës tregon qartë se njeriu është thellësisht qenie morale. Por filozofia e Marksit dhe e veçanërisht e Engelsit e kundërshton këtë. Dostojevski tha: “Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, gjithçka do të ishte e lejueshme.” Por Zoti s’ka asnjë vend në sistemin komunist. Baza e vetme e rendit publik në Shqipëri ishte frika. Ja pse me rënien e komunizmit shoqëria shqiptare ka përjetuar një periudhë anarkie ose edhe, guxoj të them, amorali.

DEGRADIMI I DINJITETIT TË NJERIUT

Mjaftojnë këto fjalë nga libri Njeriu i Ri për të vërejtur dinjitetin e njeriut në sistemin komunist në Shqipëri: “Në Shqipëri është zhvilluar një sulm i pamëshirshëm kundër familjeve fisnike, familjeve në mirëqenie, intelektualëve, njerëzve të klerit të të gjitha feve, kryesisht kundër atyre që kishin studiuar jashtë si përlyes të moralit të ri. … (Individi) humbet duke u shkrirë në shoqërinë socialiste. Në emër të popullit bëhet gjithçka. Edhe pushkatimet apo arrestimet që bëheshin në Shqipëri ishin të gjitha, pa përjashtim, të paraprira nga formula: “Në emër të popullit”.

Gjithçka ishte në funksion të partisë. Prandaj autori shkruan: “Njeriu i ri shikohet më shumë si një objekt që ka një funksion të saktë dhe të rëndësishëm, sesa si një subjekt që ka një dinjitet të vetin dhe të drejta specifike”. Është idhujtaria e shtetit.

Si pasojë e kësaj politike, njeriut nuk i njihet asnjë hapësirë për jetën private. “Në komunizmin shqiptar (njeriu) bëhet skllav i Partisë që nuk e lë të lirë as në intimitetin e tij”; “duhet të dihet gjithçka rreth çdo njeriu, mbi jetën e tij shoqërore, në punë e në jetën familjare”. Autori citon Piro Kondin: “Në shoqërinë tonë nuk ekzistojnë dhe nuk mund të ekzistojnë interesa personale jashtë interesave të shoqërisë”. Kjo politikë shkaktoi një situatë të tmerrshme, sepse “ndodhte që nuk mund të kihej besim te bashkëshorti, te motra apo vëllai, te prindi”.

Kështu nuk mbetej asnjë kohë e lirë për njeriun. Autori i referohet Servet Pëllumbit, “armik i kohës së lirë të individëve”, i cili “sheh tek aksioni një mjet të rëndësishëm për formimin e njeriut të ri”. Dhe në notë autori sqaron: “Për aksion bëhet fjalë për të ashtuquajturat ‘të shtunat komuniste’ sipas modelit sovjetik, me fjalë të tjera, një punë pa pagesë e kolektivit. Në Shqipëri ai organizohej të dielave, sepse e shtuna ka qenë gjithmonë një ditë pune”.

Autori përmend “terrorin e imponuar të pushtimit nga jashtë dhe ndërtimi i rreth 700.000 bunkerëve” – një simptomë e paranojës së Enverit. Kam lexuar disa shkrime të tij; më kanë konfirmuar se ishte me të vërtetë paranojak. Autori përmend kultin e personalitetit që Enveri nxiti te populli. Kjo tregon sesi e ka manipuluar popullin për të ngjallur këtë kult ndaj vetvetes: “Kulti i tij është i pranishëm kudo … fotoja e tij gjendet në të gjitha familjet shqiptare”.

Ky manipulim i popullit tregohet edhe në mënyrën si e kanë kuptuar dhe interpretuar edukimin. Këtu autori i referohet Beqjes, i cili “ngulmon mbi faktin se metoda e edukimit të njeriut të ri është thelbësisht ajo e bindjes”; dhe bindja “donte të thoshte thjesht dhunë”. Pra edukimi ishte, në fakt, lavazh truri! Edukimi i rinisë, sipas Hoxhës, përfshin: luftën kundër çdo armiku të partisë – terreni më i mirë për edukimin e saj; përdorimin e rinisë kundër manifestimeve fetare të çdo tipi; nënshtrimin e interesave personale ndaj atyre të kolektivit.

E gjithë kjo tregon pse Enveri dhe ideologët e Partisë kishin frikë nga intelektualët, shumë prej të cilëve janë vrarë. Autori vëren se me revolucionin kulturor kinez, “edhe në Shqipëri u transferua e njëjta përvojë: çdo intelektual duhej të kthehej në fshatar, në kooperativat bujqësore për të paktën 15 ditë çdo vit”. “Njeriu i ri – shkruan autori – nuk është një njeri intelektual (ai që di), por një njeri që karakterizohet nga sjellje të përcaktuara nga morali komunist (ai që bën)”.

As familja nuk shpëtoi nga kontrolli i rreptë i shtetit. Sipas Angjelit, familja nuk është një çështje personale. Familja duhet të përgatisë fëmijë që do të jenë kandi-datë të denjë për t’u bërë njerëz të rinj. Autori citon dy shkrimtarë që, sipas mendimit tim, kanë qëlluar jetën martesore në thelbin e saj. I pari është Kadri Hazbiu, sipas së cilit “punëtorët duhet ta zgjedhin bashkëshorten me mjaft kujdes duke u nisur nga pozicioni klasor i saj dhe duke e trajtuar këtë çështje jo si personale, por si një çështje që i përket revolucionit socialist ….. duke mbajtur përherë parasysh mësimet e shokut Enver”. I dyti është Alfred Uçi, që tha se “lidhur me martesën nuk ekziston asnjë dallim mes njerëzve dhe kafshëve”. As Marksi, as Lenini, as Stalini nuk arritën të përulin martesën deri në këtë nivel aq të poshtër!

LUFTA KUNDËR BESIMEVE

Partia kishte frikë nga intelektualët. Por më e madhe ishte frika nga besimet. Autori jep dy arsye për këtë. E para sepse besimtarët “nuk mund të kthehen drejt moralit komunist”; e dyta “sepse mund të ndotin të afërmit e tyre, të cilët kanë marrë rrugën e mirë drejt komunizmit”. Komunizmi shqiptar pranoi idenë e Marksit se feja është opiumi i popullit. “Por, Shqipëria ia doli t’ua kalojë të gjitha shteteve të tjera komuniste”. Komunizmi shpallte një eskatologji tokësore: “Parajsa … do të gjejë një plotësim të vërtetë vetëm në tokë me ndërtimin e socializmit e të komunizmit”. Autori citon Leninin, që tha: “Kjo luftë (d.m.th. lufta kundër besimeve) duhet lidhur me praktikën konkrete të lëvizjes punëtore”. Por këtu dua të citoj një fjalë tjetër nga Lenini, që më duket shumë interesante: “Asnjë libër edukativ nuk mund të çrrënjosë besimin nga mendjet e masave”, dhe pikërisht për këtë arsye tha se lufta kundër besimit duhet t’i nënshtrohet luftës së klasave.

Autori pohon se regjimi komunist kishte shpallur luftë kundër të gjitha besimeve, por shton se ka treguar një urrejtje dhe një egërsi të veçantë ndaj Kishës Katolike. Dhe i referohet Mehmet Shehut, “i cili e përkufizoi Kishën Katolike si ‘një çerdhe reaksioni’ dhe jezuitët si ‘konspiratorë të pabesë’. Prej 200 meshtarëve katolikë, më shumë se 120 u vranë ose u burgosën”.

Secili që ka lexuar ndonjë libër autobiografik të një katoliku që u burgos në kohën e regjimit, si shkrimet e Imzot Zef Simonit, të Atë Zef Pllumit, të Atë Anton Lulit, ose librin e famshëm “Ils ont voulu tuer Dieu”, mund të vërejë se me të vërtetë Kisha Katolike ka qenë viktimë e veçantë e luftës kundër besimit. Por mund të pyesim: Pse komunizmi shqiptar ka treguar gjithë këtë urrejtje ndaj Kishës Katolike? Kam lexuar fjalimin e Enver Hoxhës në Konferencën e Pezës, ku diktatori thotë: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani …. të gjithë hierarkët e kishës katolike, nga më kryesori deri te xhakoi e te famullitari, ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt”. Si njeri që ka pasur gjithmonë frikë nga intelektualët, dhe si njeri paranojak që kishte fiksim se katolikët ishin spiunët e Vatikanit (!), i shikonte katolikët si një kërcënim për ndërtimin e shoqërisë komuniste.

KORRUPSIONI

Autori flet edhe për korrupsionin në kohën e regjimit, por që, fatkeqësisht, ndikon edhe deri më sot. Ai thotë: “Edhe gjatë komunizmit, ashtu si sot, korrupsioni ishte tejet i përhapur. Ishte, nëse mund të thuhet kështu, një ‘korrupsion totalitar’. Çdo qelizë e shtetit komunist shqiptar ishte e korruptuar”.

Autori flet për korrupsion që ekzistonte në spitalet, por ka guxuar të shtojë se “ky sistem korrupsioni, që ende mbijeton në Shqipëri”, përfshin edhe sistemin gjyqësor, dhe vazhdon: “pjesa më e madhe e analistëve dhe e intelektualëve në Shqipëri bien dakord për ta gjykuar si të korruptuar, megjithatë, askush nuk flet haptas për korrupsionin që është i përhapur aty”.

Të jemi të sinqertë: korrupsioni është shumë i përhapur, në çdo nivel, por përmend veçanërisht fushën arsimore, atë shëndetësore dhe atë gjyqësore. Gjynah se, më shumë se njëzet vjet pas rënies së komunizmit, korrupsioni ende është aq i përhapur në këtë vend, mes një populli që sigurisht meriton diçka më të mirë.

PËRFUNDIME

Pas një citimi nga një shkrim i Servet Pëllumbit, autori komenton: “Këta ideologë, që e kanë shkatërruar njeriun gjatë regjimit, nuk duan të lënë të shërohen plagët që kanë shkaktuar, por propozojnë modele të tjera për të vazhduar shkatërrimin e njeriut. Ngulmimi në misionin e tyre na sjell në mendje thënien latine: Errare humanum est, perseverare autem diabolicum.

Dhe dua të mbaroj me një citim tjetër të doktor Nikollës, i cili afër fundit të librit bën këtë rrëfim: “Ne, si komb, do të rilindim vetëm kur do të jemi në të vërtetë të aftë që të mohojmë të kaluarën tonë komuniste, ‘morali’ i së cilës bazohej mbi mashtrimin, mbi të keqen, mbi urrejtjen”.

*Autori është Ipeshkëv ndihmës i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës. Kumtesa është mbajtur gjatë promovimit të librit Njeriu i ri shqiptar-mes moralit komunist dhe krizës së tranzicionit me autor Albert Nikollën.

6 Përgjigjet për "Njeriu i ri komunist, si u formua"

  1. GOGO NUSHI  30/01/2013 në 2:12 pm

    Shoku SERVET ka qene nje nga punetoret e llaqit jo bash arkitekt, i gatimit te ketij NJERIU TE RI.E SH.Servet edhe sot e deri ne varr ne ato pozita eshte.Pas ENVER HOXHES,ZERI I POPULLIT ka qene dhe eshte arkitektja kryesore e gartimit te ketij njeriu.E ZERI I POPULLIT vazhdon te dale, e sh.Servet vazhdon ta lexoje e SH.Servet vazhdon ta besoje.E SH Servet ben sikur eshte kundra;P A LL A V R A! qe nuk i besojne as GRAMOZ RUCI me ERION VELINE.

  2. Marku  30/01/2013 në 2:35 pm

    Mos u merr me politike,por rri brenda kornizes fetare. Ty nuk te pelqen doktrina komuniste,por asokohe shumica e popullit e besonte. Mua nuk me pelqen doktrina jote katolike,sepse jam mysliman dhe jemi shumice,por nuk po merret kush me besimin tand. Perse merresh ti me besimet dhe idete e te tjerve??? PKSH pati fitua besimin e 70 perqind te popullit,prandaj ata mund te t’pergjigjen: Pa u harru besimi katolik,populli nuk ecen perpara. Kjo mund te jete gabim,por sic merresh ti fetar me politike,merren edhe ata politikane me fene.

  3. Hysen Hajdari  30/01/2013 në 3:45 pm

    O Mark myslimani. Une jam katolik hajdari.
    duhet te jemi vellezer e te mos urrejme njeri tjeterin o Mark.
    Monsinjori nuk po merret me piltike por me nje studim mbi komunizmin.
    shume te fala nga prishtina
    hys hajdari

  4. sinan hibro  31/01/2013 në 12:24 pm

    Liber dhe shkrim qe si shume te tjere vazhdojne te merren me komunizmin…Nderkohe qe na duhen alternativa per te tashmen, pse jo per te ardhmen… Ne kete optike kam nje pyetje – me mire ” … ne emer te popullit ” , apo ” … ne emer te parase”. Sa i perket moralit njerezor , tash e dymije vjet , asnje doktrine fetare nuk i ka dhene pergjigje !

  5. mendim i lire  31/01/2013 në 2:52 pm

    Korrupsaioni eshte pjella e amoralitetit te cdo shoqerie, ndryshe cfare kuptimi do te kishte te quante komunist edhe Xhanfranko Finin, ish kryeministri i Italise Silvio Berluskoni pas daljes nga koalicioni, kur Fini eshte nder eksponentet e partise fashiste te Musolinit

  6. Saimir  01/02/2013 në 4:14 pm

    Sinan, ne librat e shenjte ndodhen te gjitha pergjigjet , mjafton ti hapesh dhe ti lexosh p.sh “Jepi Cezarit ate qe i takon Cezarit dhe jepi Zotit ate qe i takon Zotit”, ti kete ekuiliber nuk arrine te gjesh.
    Te kesh nje mendim te lire nuk do te thote te keshe gjithmone te drejte. Korrupsioni mund te zvogelohet por jo te zhduket pergjithmone. Ne Shqiperi korrupsioni eshte shume me i larte se ne cdo vend tjeter te Europes per arsyet e “njeriut te ri”.
    O Zot, falja “njeriut te ri” sepse nuk e dinte cfare bente dhe akoma ka edhe sot ndonje qe nuk e din cfare po ben.

Komentet janë mbyllur