FMN dhe BB ndryshojnë kursin e këshillave, në plan të parë rritja ekonomike

Ndërkombëtarët ndryshojnë timonin e këshillave për ekonominë e Shqipërisë. Nga masat e drejtpërdrejta për uljen e borxhit, si rritja e taksave download (2)dhe ulja e shpenzimeve, tani fokusi zhvendoset te rritja ekonomike nëpërmjet së cilës sigurohet edhe ulja e borxhit. Lehtësimi i ambientit të investimeve, përmirësimi i klimës së biznesit dhe ulja e barrës fiskale për biznesin investues dhe prodhues shihen si masa emergjente. Ekspertët e Bashkimit Europian ata të FMN dhe të Bankës Botërore në një takim të përbashkët me ministrin Bode dhe guvernatorin Fullani në fundjavë u kanë bërë të qartë atyre strategjinë më të përshtatshme që qeveria shqiptare duhet të ndjekë për uljen e borxhit, e cila duhet të vijë nëpërmjet stimulit të biznesit dhe rritjes ekonomike. Duke u rritur ekonomia mund të gjenerohen më shumë taksa, e për pasojë borxhi në periudhë afatmesme duhet të ulet. Por duket se institucionet ndërkombëtare financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndajnë dy qëndrime sesi duhet të ulet borxhi i Shqipërisë. Nadem Ilahi muajin e fundit tha se Shqipëria duhet të rrisë taksat që të ulë nivelin e borxhit. Ndërsa kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill tha se ulja e borxhit duhet të vijë nëpërmjet lehtësimit të taksave dhe klimës së biznesit në segmentin prodhues. Kjo mënyrë sipas tij do të mund të gjenerojë më vonë të ardhurat për uljen e detyrimeve shtetërore. Por çfarë modeli po aplikon qeveria shqiptare? Modeli i Bankës Botërore duket më i përshtatshëm. Qeveria dy muajit e fundit ka çliruar nga pagesa e TVSH të gjitha makineritë që futen në vendin tonë për investime. Gjithashtu është në proces projektligji për përjashtimin nga TVSH të të gjitha makinerive dhe pajisjeve dhe lëndëve të para për sektorin e bujqësisë.  Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, të gjitha këto masa që do të vijojnë edhe më tej me reforma të tjera në klimën e biznesit që synojnë në rritjen e prodhimit vendas dhe për rrjedhojë dhe rritjes së eksporteve. Që nga viti 2000 eksportet janë tetëfishuar, duke sjellë rreth 2 miliardë euro në buxhet. Rritja e mëtejshme e tyre forcon vlerën e lekut. Me një lek më të fortë bëhet më e lehtë shlyerja e borxhit. Fondi Monetar Ndërkombëtar nga ana tjetër është më konservativ në këshillat e tij, të cilat nuk po merren në konsideratë nga qeveria. Ata kërkojnë përcaktimin e objektivit sasior të qartë të borxhit në periudhë afatmesme dhe gjithashtu një plan të qartë nga qeveria për uljen e tij. Vetë Fondi sugjeron rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve si metoda më e sigurt për të ulur nivelin e borxhit. Po ky model nuk stimulon rritjen ekonomike, sipas ekspertëve shqiptarë të financave, por nga ana tjetër shihet si më i sigurt për të parandaluar një krizë si ajo e Greqisë. Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Europën Juglindore. Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale, meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit. Një nivel 40-45% i borxhit në raport me GDP shihet si më i përshtatshëm.

 

Që nga viti 2000 eksportet janë tetëfishuar, duke sjellë rreth 2 miliardë euro në buxhet. Rritja e mëtejshme e tyre forcon vlerën e lekut. Me një lek më të fortë bëhet më e lehtë shlyerja e borxhit

 

Komentet janë mbyllur