Përgjimi i drejtorit të burgut: Leje me epikriza dhe vërtetime false martesash

Hetimi për drejtorin e burgut të Shënkollit zbulon skandalin me lejet shpërblyese për të dënuarit për vrasje. Valentin downloadMiri këshillonte të burgosurit të falsifikonin epikriza mjekësore, ndërsa në një rast ishte urdhëruar nga eprorët për t’i dhënë leje të burgosurit

 

Tiranë Nga telefoni i një drejtori burgu mund të gjesh gjithçka! Zyrtarë që urdhërojnë vartësit e tyre t’u japin leje të burgosurve, porosi për falsifikimin e epikrizave mjekësore apo vërtetime të dyshimta martese. Dhe të gjitha këto bëhen që të burgosur, të dënuar për vepra të rënda penale, të përfitojnë disa ditë leje. Arrestimi i drejtorit të burgut të Shënkollit në Lezhë, Valentin Miri, zbardh skandalin e lejeve shpërblyese që disa herë janë bërë objekt hetimi, por fatkeqësisht pa sukses.

Mjaftuan 15 ditë përgjime telefonike që “Task Forcë” të zbardhë një aferë të vërtetë korruptive, e cila dyshohet se nis në Drejtorinë e Përgjithshme, vazhdon në burgun e “Shënkollit” e përfundon te mjeku apo kryeplaku i një fshati në veri të vendit. Sipas prokurorisë, janë të paktën tre episode që ngarkojnë me përgjegjësi ish-drejtorin e burgut të “Shënkollit”, Valentin Miri, i cili tashmë ndodhet i arrestuar, pasi gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Fillimisht kanë qenë disa informacione të marra në rrugë operative nga SHKB e Ministrisë së Drejtësisë, ato që hodhën dyshime mbi një skandal të mundshëm me lejet shpërblyese. Më pas, përgjimet telefonike sqaruan një sërë detajesh të rëndësishme për hetimin, ku dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i lartë i administratës së burgjeve.

Pas përgjimeve telefonike, prokuroria arriti të zbulojë komunikime të shumta mes ish-drejtorit të burgut të Shënkollit dhe të burgosurit K.K. Po ashtu, drejtori Valentin Miri ka këshilluar familjarë të këtij të burgosuri të sigurojnë epikriza mjekësore të falsifikuara për familjarët e të burgosurit, me qëllim që ai të përfitonte leje shpërblyese. “Nga përgjimi telekomunikativ del në pah se lejet e veçanta të marra nga i dënuari K.K. kanë qenë në kundërshtim me ligjin, pasi janë përfituar kundrejt epikrizave fictive, jo reale, të marra në rrugë korruptive kundrejt pagesës së shumës prej 50 mijë lekë të vjetra”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej, prokuroria sqaron se ish-drejtori i burgut të Shënkollit në kontaktet me një prej familjarëve të të dënuarit e drejton dhe e mëson si të marrë një epikrizë shëndetësore ku të pasqyrohet gjendja e rëndë shëndetësore (fiktive) e një familjari të afërt të të dënuarit.

“Po kështu, në disa biseda telefonike del qartë se familjari i të dënuarit, në takimet që realizon me drejtorin Valentin Miri, ia dorëzon paraprakisht vlerat monetare për dhënien e lejeve të dënuarit”- thuhet në dosje. Por pavarësisht përpjekjeve, kjo leje nuk është dhënë, pasi epikriza është vlerësuar nga mjeku i burgut, i cili ka arritur në përfundimin se kjo epikrizë nuk është konform rregullave. “Mjeku i institucionit ka konstatuar se kjo epikrizë nuk është konform rregullave dhe si e tillë nuk përbën një dokument të vlefshëm, i cili mund të justifikojë dhënien e lejes këtij të dënuari. Për pasojë, nga ana e drejtuesit nuk ka qenë e mundur pajisja me leje e të dënuarit K. K., pavarësisht se Valentin Miri kishte marrë 300 euro të dënuarit për ta nxjerrë me leje të veçantë”- thotë prokuroria. Episodi i dytë për të cilin dyshohet se ka shpërdoruar detyrën ish-drejtori Valentin Miri lidhet me lejen e veçantë për të burgosurin R.R. Ky i burgosur ka përfituar leje pas kërkesës së tij me argumentin se do të martonte vajzën. Por praktika e dhënies së lejes i është fshehur fillimisht Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili ka insistuar për marrjen e dosjes së këtij të burgosuri. “Nga ana e IEVP Lezhë i janë vënë në dispozicion drejtorisë së SHKB-së praktika të ndryshme, duke fshehur praktikën e lejes së veçantë akorduar për të burgosurin R.R.”- thuhet në dosjen hetimore. Kjo praktikë është bazuar në aktin e shpalljes së martesës së vajzës së të burgosurit dhe vërtetimin e një drejtuesi vendor, por të dy këto dokumente nuk ndodheshin në dosje. Ato u janë dorëzuar oficerëve të SHKB-së më datë 24 janar 2013, por nga hetimi rezultoi se këto shkresa nuk ishin protokolluar.

 

Komentet janë mbyllur