Rama ikën nga sheshi, mitingu për Tiranën në Pallatin e Sportit

Me prezantimin e tij si kandidat për deputet në Vlorë, Rama i dha një kthesë të papritur imazhit të fushatës së PS, me download (5)trajektore zhvendosjeje nga sheshi tek sallat e mbyllura. E njëjta gjë do të përsëritet sot në Tiranë, kur lideri i opozitës do të prezantojë listën e deputetëve të kryeqytetit. Hapja e fushatës për Tiranën është planifikuar të zhvillohet pasdite në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, duke përmbyllur kështu turin e parë të prezantimeve për Partinë Socialiste. Burime nga selia rozë bëjnë me dije se ky aktivitet do të ketë thuajse të njëjtin skenar me prezantimet në qarqet e tjera: fjalime nga kandidatët për deputetë dhe më tej tribuna do t’i lihet Ramës. Gara për Tiranën konsiderohet si një ndër më të fortat e 23 qershorit dhe në këtë qark lista e PS-së kryesohet nga Pandeli Majko. Por përkundër rivalitetit të fortë në elementët e tjerë, socialistët kanë bërë një hap mbrapa në sprovën për të konkurruar me PD-në, në mbushjen e sheshit “Nënë Tereza”. Një skemë kjo e përmbysur nga ajo e Partisë Demokratike, që sprintin e nisi me një miting butaforik për nga organizimi dhe pjesëmarrja në këtë shesh, për t’u shpërndarë më pas në qarqet e tjera. Ndërkohë që motorët e garës elektorale janë nxehur, diferenca mes dy kampeve shikohet me lupë edhe tek fuqia e secilit prej tyre për të tërhequr sa më shumë njerëz në mitingje. Pasi ka testuar me disa prezantime jo edhe aq entuziaste në sheshe, Partia Socialiste u është rikthyer takimeve në salla të mbyllura. Por ç’ka ndryshuar në fushatën e PS-së, që si forcë në opozitë do të duhej të sfidonte mazhorancën edhe me sheshet plot?  Burimet nga PS thonë se kjo është pjesë e strategjisë elektorale. Sipas tyre, Partia Socialiste do t’u rikthehet mitingjeve voluminoze në turin përmbyllës të fushatës, ku edhe premton surpriza sa i përket masivitetit. Arsyet shikohen edhe tek nisja e hershme e fushatës prej liderit të opozitës, Edi Rama. Që prej fillimit të prillit Rama ka nisur prezantimin e prurjeve të reja në PS në qarqet kryesore të vendit. Një tjetër tur në qarqe ka qenë edhe ai për prezantimin e programit të së majtës. Ky i prezantimit të listës është turi i tretë i liderit të opozitës nëpër Shqipëri, çka duket se ka krijuar më shumë lodhje në elektoratin e majtë. Në anën tjetër, Partia Demokratike vazhdon ta përqendrojë fuqinë e imazhit të vet tek sheshi, edhe pse nuk mungojnë akuzat për përdorimin e administratës publike si dekor për fushatë. Në garën për të mbushur sheshet nuk mbetet pas edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia e Ilir Metës ka debutuar me sukses në mitingjet e saj elektorale në Berat dhe Fier, duke i dhënë fund edhe në këtë pikë bipolaritetit politik, ku vetëm dy partitë e mëdha guxonin të organizonin mitingje në sheshe të hapura. Kuriozitetit se kush e fiton garën e shesheve nuk i kanë shpëtuar as qytetarët e shumtë, të cilët sfidojnë transmetimin me regji qendrore përmes fotove që tregojnë realisht se sa njerëz kanë mundur të mbledhin partitë në këto mitingje të para për garën e 23 qershorit.

 

Komentet janë mbyllur